“Vdekja në maternitet, Prokuroria po fsheh provat”

Dec 26, 2011 | 11:20
Marie Buçka

BERAT- Familjarët e Marie Buçkës, e cila ndërroi jetë gjatë lindjes në maternitetin e Beratit, akuzojnë Prokurorinë e këtij rrethi se po fsheh provat. Sipas tyre, gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Beratit, organi i akuzës ka hequr nga dosja e saj ekot e viktimës që janë bërë gjatë muajve të shtatzënisë së saj. Këto eko, sipas tyre, tregojnë se e ndjera nuk ka pasur asnjë shqetësim apo problem gjatë shtatzënisë, si dhe asnjë provokim për abort apo lindje të parakohshme, ashtu siç pretendojnë mjekët e Beratit në kartelën e Marie Buçkës. Kunati i viktimës, Niko Buçka, u shpreh dje se në seancën e radhës në Gjykatë, Prokuroria nuk kishte paraqitur të gjitha provat që ndodhen në dosje. Ai kërkon që Prokuroria të paraqesë edhe ekot, si dhe çdo provë tjetër të mundshme që do të vërtetonte se kunata e tij nuk kishte vuajtur nga asnjë sëmundje, duke akuzuar kështu bluzat e bardha për neglizhencë. Pas ngjarjes, drejtori maternitetit, Leka Papa, deklaroi se Marie Buçka kishte ardhur në gjendje të mirë në spital. Por, në momentin kur do të futej në sallën e lindjes, gjendja e saj është rënduar. Sipas tij, shkak i kësaj vdekjeje të menjëhershme ka qenë plasja e një membrane, që ndryshe quhet dhe likidi amiotik dhe më pas u kthye në emboli aniotike. Ai u shpreh se nuk kishte mundësi shpëtimi, pasi bëhet bllokimi i mushkërive.  “Kunata ime ka shkuar vetë në spital, në gjendje normale, kur sapo i kishin nisur dhimbjet. Ndërsa mjekja te kartela e ka shkruar se ka ardhur urgjent dhe se kishte të bënte me një lindje të parakohshme. Këto ajo i ka shkruar më vonë, pasi Maria ndërroi jetë në spital si pasojë e neglizhencës së stafit mjekësor. Në momentin që Maria ka mbërritur në spital, në kartelë është shkruar vetëm emri i saj, më pas kartela është falsifikuar për t’i shpëtuar përgjegjësisë”, shprehet Niko Buçka.                  d.xh

© Panorama.al

Te lidhura