
Shumëngjyrësh nëntori këtë vit. Moti i ngrohtë i la dorë të lirë vjeshtës në penelata, duke e pasuruar në ngjyra. E tillë është edhe ekspozita që mban të njëjtin emër “Nëntori”, i cili këtë vit është në edicionin e tij të 14-të. Ndonëse një ekspozitë e kthyer në traditë tashmë, ajo nuk qas rreth vetes vetëm piktorë në vjeshtën e tyre të jetës, por edhe të një brezi të mesëm e deri tek më të rinjtë. Kështu në krah të Sali Shijakut, Hasan Nallbanit, Ksenofon Dilos, Vilson Kilicës, Zef Shoshit, Kujtim Buzës etj., punë të hershme të të cilëve janë ekspozuar në linjën muzeale të Galerisë Kombëtare në sallat: “Realizmi Socialist: 1960-1986” dhe “Piktura dhe Skulptura Moderniste: 1989-2001”, ekspozojnë edhe Gazmend Leka, Stefan Taçi e Pashkë Përvathi, deri te Ledia Konstandini, Andi Hila etj. “Të vjetrit” gjejnë aty një dritare të përhershme ku mund të ekspozojnë punët e tyre, pa pasur nevojë t’u largohen linjave apo temave të preferuara, kurse të rinjtë, një vend ku kanë mundësi të “dialogojnë”, apo të “rivalizojnë” me mësuesit e tyre. Janë gati 30 artistë që sjellin 50 punë në sallën e ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pas disa vitesh shtegtim, më në fund duket se organizatorët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e GKA-së, duke u bërë pjesë e kalendarit të këtij institucioni. E duket se punët tjetër hije kanë në sallën e ndriçuar mirë, me mure të bardhë e parket të pastër. Si artisti, edhe publiku ndihet më i plotësuar dhe ka mundësi ta shijojë artin e ekspozuar.
Mes punëve të “Nëntori”-t
Në shumicën e herëve, ekspozitat në grup kanë një lidhje tematike. Me “Nëntori”-n, i cili këtë vit kurohet nga piktorët
Aleksandër Filipi dhe Adrian Devolli, ndodh pak më ndryshe. Ajo çka i bashkon të gjithë artistët, pavarësisht brezit që i takojnë, është piktura. Me gjithë mediumet e reja në modë si videot, instalacionet, fotografia etj., shumica e nëntoristëve u kanë mbetur besnik kavaletave, duke siguruar vazhdimësinë e traditës. Me ndonjë përjashtim në grafik, pjesa më e madhe e punëve të paraqitura në “Nëntori 14” janë pikturë, krijimet e tyre më të fundit. Por puna e kuratorëve është që gjithsesi
t’i gjejë fijet e lidhjes mes tyre, apo të paktën t’i paraqesin bukur. Dhe një nga këto fije që i bashkon një pjesë të mirë të veprave me njëra-tjetrën, është edhe një tis vjeshtak, që ndihet në pjesën më të madhe të tyre. Ka shumë natyra të qeta, si “Tinguj vjeshte” nga Ksenofon Dilo, “Fushë e blertë” e Vilson Kilicës, “Prag dimri në fushën e Korçës” nga Pashk Përvathi, apo një triptik shumë interesant i Stefan Taçit, plot ngjyra diellore, titulluar “Retë mbi kishën e Shën Ilias”, një vështrim i dyfishtë. Zef Shoshi e Sali Shijaku u qëndrojnë linjave të tyre, ku përzihen elementet e traditës, kostumet popullore, me qëndrimin emocional. Gazmend Leka, besnik i temave me karakter disi mistik, të errët sjell “Gjumi i dragoit”, frymëzuar nga motivi biblik i gjarprit dhe mollës së Evës e Adamit. Piktori Agim Zajmi është frymëzuar nga një vepër infrastrukturore, por i ka dhënë dhe ca nuanca legjendare, me male që ngjajnë si kreshnikë mustaqegjatë, ndërsa “Rruga e Kombit” i gjarpëron nëpër trup. Ndërsa një pjesë tjetër e artistëve nuk i ka qëndruar dot indiferent përditshmërisë. Ata sjellin jetën e rrugës, teknologjinë çoroditëse, globalizimin, ndotjen, korrupsionin, evazionin fiskal, që të bëhet si fytyrë e dytë, si në rastin e punës së Besim Tulës, apo edhe ndonjë moment ankthi, që evokon kohën e diktaturës, si në rastin e dy punëve të Llazar Taçit, “Hetuesi” dhe “Ankth”. Janë imazhe të drejtpërdrejta, me hekura qelish, fytyra të vrazhda hetuesish, duarlidhur, gra fytyrëvrara që presin pas dere… të gjitha imazhet notojnë në gri. Të tjera punë të “angazhuara” janë ato të Andi Hilës, Agron Mesit, Aleksandër Filipit etj. Me pak fjalë, tek “Nëntori” i gjen të gjitha, veçse në pikturë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 16 dhjetor.
ALMA MILE











