“21 janari”, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë dëshmon për kamerat

Dec 7, 2011 | 13:50
Nga protestat e 21 janarit

TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me “fshirjen e imazheve të 21 janarit nga serveri i kamerave të Kryeministrisë”. Nuk është e qartë ende nëse ka pasur fshirje në serverin në fjalë, megjithatë Prokuroria shqiptare duket se është duke hetuar për këtë fakt, në një dosje të hapur për “pengim në zbulimin e së vërtetës” lidhur me ngjarjen e 21 janarit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se Njësia Task-Forcë Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me “pengimin në zbulimin e së vërtetës” për ngjarjet e 21 janarit. Pjesë e këtij hetimi mësohet se janë disa procedura hetimore të kryera nga policia në lidhje me demonstratën e dhunshme që pasoi me katër të vdekur. Në hetim është edhe çështja e regjistrimeve filmike në serverin qendror të Kryeministrisë dhe po ashtu, dorëzimi i armëve nga Garda e Republikës. Pas verifikimeve që i janë bërë serverit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prokuroria ka vendosur të thërrasë sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Gjergj Lezhjen, për të dhënë deklarime në lidhje me këtë çështje. Imazhet e serverit të Kryeministrisë u kërkuan nga Prokuroria menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, me qëllimin për të parë nëse kamerat e godinës së qeverisë kishin fiksuar apo jo momente kriminale si nga Garda e Republikës, ashtu edhe nga turma e protestuesve. Imazhet u dhanë menjëherë, bashkë me njësinë qendrore në të cilën ruheshin pamjet e marra prej “syve” vëzhgues të kamerave. Prokuroria pretendoi se në serverin e Kryeministrisë nuk u gjet asnjë sekuencë ku të dukej se gardistët po qëllonin me armë mbi turmën. Sipas organit të akuzës, imazhet e kamerave të Kryeministrisë përmbanin vetëm pamje ku protestuesit kryenin veprime të dhunshme ndaj policisë e gardës, duke qëlluar me sende të forta. Për këtë shkak, organi i akuzës pretendoi se disa pamje mund të ishin fshirë nga serveri. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, ka deklaruar në dëshminë e tij në Prokurori se serveri i është dhënë Prokurorisë siç ka qenë, menjëherë sapo është kërkuar. Pak ditë më parë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se ngjarja e 21 janarit po hetohet në tri drejtime, vrasja e protestuesve, thirrjet për veprime të dhunshme ndaj institucioneve dhe pengimi në zbulimin e së vërtetës.

© Panorama.al

Te lidhura