“Lotaria Kombëtare, kushtet e tenderit të Bodes i plotëson vetëm një kompani”

Jun 20, 2012 | 12:00
SHPËRNDAJE
Drejtori i Zhvillimit të Biznesit në kompaninë “INTRALOT”, Dotsis

Flet drejtori i Zhvillimit të Biznesit në kompaninë “INTRALOT”, Dotsis.

“Në Maltë, e njëjta licencë u shit për 39 milionë euro, në Shqipëri kërkohen vetëm 3.5 milionë euro”

Thellohet skandali i tenderit për Lotarinë Kombëtare. Vetëm një ditë përpara hapjes së procedurave, zbulohet se kushtet e vendosura nga ministri i Financave për të marrë pjesë në tender i plotëson vetëm një firmë e huaj.
Por paracaktimi i firmës, pra shpallja fituese pa filluar gara, është vetëm një pjesë e aferës. Financat, jo vetëm që kanë kopsitur dokumentet duke i përshtatur me fituesin, por edhe po e “dhurojnë” këtë licencë. Shifra që merr buxheti, pra qytetarët, nga kjo e drejtë që po tenderohet është vetëm 500 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro. Qartësimi pse kjo shifër është tepër e vogël, vjen nga intervista që gazeta ka marrë dje me drejtorin e Zhvillimit të Biznesit të kompanisë INTRALOT. Gjigandët botërore në fushën e lotarive pak kohë më parë kanë marrë pjesë në tenderin që Malta, një shtet me rreth 410 mijë banorë, e shiti këtë të drejtë për 39 milionë euro. Diferenca është e qartë dhe zbulon hapur tentativën që pritet të fillojë sot me hapjen e procedurave, për një aferë të kopsitur që në kushtet që duhet të plotësojnë firmat për të marrë pjesë në tender. Në intervistën për gazetën, Velissarios Dotsis thekson se “ne mundëm të identifikonim vetëm një kompani që mund të plotësojë tërësisht kriteret e kualifikimit dhe që mund të ishte potencialisht e interesuar për të marrë pjesë në tender”. Ai shton se ndryshe nga bisedat dhe vullneti i treguar gjatë takimeve me Kryeministrin Berisha, është Ministria e Financave ajo që ka tjetërsuar kushtet e garës, duke minimizuar deri në 1 pjesëmarrësit në tender. “Në besojmë se përkushtimi i Kryeministrit për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent nuk është në koherencë me procesin që po ndiqet nga autoriteti kompetent për dhënien e licencës Lotarisë Kombëtare”.
INTRALOT i ka dërguar së fundmi një letër Kryeministrit dhe ministrit të Financave lidhur me kushtet me të cilat po organizohet tenderi për licencën e Lotarisë Kombëtare. Sipas mendimit tuaj, kushtet e vendosura nga qeveria janë të ndryshme nga ato që aplikohen në vendet e tjera?
Kompania jonë ka marrë pjesë në një numër të madh tenderësh të kësaj natyre në të gjithë botën. Në të vërtetë, kriteret që po aplikohen në këtë tender në Shqipëri përfshijnë kritere unike kualifikimi në të gjithë botën, të cilat nuk i kemi parë në ndonjë tender tjetër.
Si ndryshojnë këto kushte, pra cilat janë specifikat unike që ka përdorur qeveria shqiptare, në dallim nga vendet e tjera?
Kriteret më të rëndësishme që ndryshojnë krejtësisht nga tenderët e ngjashëm, janë:
a) Mungesa e çmimit si një element dhe kriter kyç i dhënies së licencës.
Ofertat financiare të operatorëve janë të fiksuara në 500 milionë lekë, kështu që ofertuesve nuk u kërkohet që të konkurrojnë për çmimin. Kjo tarifë për këtë lloj licence është ekstremisht e ulët krahasuar me tenderë të tjerë të ngjashëm.
b) Në tender përfshihen dy certifikata specifike si kriter kualifikimi: WLA Responsible Gaming Certification – Niveli 4, dhe WLA Security Control Standard për më shumë se 3 vjet.
Kushti i parë kufizon jashtëzakonisht shumë të ardhurat që qeveria mund të gjenerojë nga ky transaksion. Kushti i dytë kufizon konkurrencën pa i shtuar asgjë cilësisë së propozimeve, pasi: Certifikimi The Responsible Gaming (Kumari i Përgj-egjshëm) është i vlefshëm vetëm për një veprimtari specifike në një vend specifik. Nëse Shqipëria do që ta aplikojë këtë standard, fituesi duhet të ricertifikohet specifikisht për Shqipërinë. Pra, kjo në një farë mënyrë nuk është se ka kuptim edhe praktik. Për më tepër, kombinimi i të dyja certifikimeve mund të plotësohet vetëm nga një numër shumë i vogël kompanish, mes atyre që do të ishin të interesuara realisht për këtë tender.
A mendoni se këto kushte janë vendosur për të paracaktuar apo për të përjashtuar nga konkurrimi kompani të caktuara?
Gjatë përgatitjeve tona për këtë tender dhe bazuar në eksperiencën tonë në treg, ne mundëm të identifikonim vetëm një kompani që mund të plotësojë tërësisht kriteret e kualifikimit, dhe që mund të ishte potencialisht e interesuar për të marrë pjesë në tender. Ashtu sikurse e theksova më sipër, për shkak të këtyre kritereve ne presim që pjesëmarrja të jetë shumë e limituar.
Ju në letër theksoni se qeveria shqiptare nuk përfiton të ardhura të mëdha nga shitja e kësaj të drejte. Në vendet e tjera, sa është mesatarisht apo specifikisht shifra që përfiton qeveria që shet një të drejtë të tillë?
Si shembull mund t’ju sjell qeverinë e Maltës, e cila së fundmi përmbylli tenderin për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare (të cilën e fitoi kompania jonë). Licenca pati një çmim fillestar, i cili në vlerën e tij finale gjatë tenderimit arriti 39 milionë euro dhe këtu flasim për një vend mjaft më të vogël sesa Shqipëria. E njëjta tarifë respektive për tenderin e Lotarisë Kombëtare në Shqipëri është fiksuar 500 milionë lekë dhe nuk ka oferta mbi këtë çmim.
Ju theksoni në letër që shtyrja e tenderit dhe ndryshimi i kushteve specifike do ta zgjeronte garën. Mendoni se edhe vetë qeveria do të përfitonte më shumë nga ky propozim?
Sigurisht. Sugjerimi ynë është zhvillimi i një procesi konsultimi të hapur, në mënyrë që të tërheqë një numër të madh kompanish dhe të rrisë konkurrencën. Gjithashtu sugjerimi ynë për të përfshirë një tarifë licence, pra një kriter çmimi, pa dyshim që do maksimizojë të ardhurat e qeverisë, pasi ofertuesve do t’u duhet që të rrisin ofertat në mënyrë që të fitojnë tenderin.
Grupi juaj ka pasur një takim para disa kohësh me Kryeministrin Berisha lidhur me këtë proces, a ndiheni sot të abandonuar, pra të përjashtuar nga premtimet e atij takimi?
Nuk jemi të zhgënjyer nga Kryeministri. Përkundrazi, grupi ynë (INTRALOT dhe INTRACOM) ka pasur takime me Kryeministrin për t’i shprehur interesin tonë për të investuar në Shqipëri në një sërë sektorësh dhe projektesh, përfshirë Lotarinë Kombëtare.
Në besojmë se përkushtimi i Kryeministrit për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent nuk është në koherencë me procesin që po ndiqet nga autoriteti kompetent për dhënien e licencës Lotarisë Kombëtare dhe sigurisht që nuk jemi të kënaqur nga fakti që kompania jonë, një kompani lider botëror, po përjashtohet nga ky tender. Mbase ishte mungesa e eksperiencës së Ministrisë, por mendoj se ka kohë që gjërat të korrigjohen. Kjo është edhe arsyeja pse ne kërkojmë shtyrje të tenderit.

Zbulohet fituesi
Në ambientet e Ministrisë së Financave ka kohë që përflitet për fituesin e tenderit për licencën e Lotarisë Kombëtare. Shumë prej tyre parashikojnë edhe emrin e fituesit. Dje në blerje, kur skandali i këtij tenderi u përhap maksimalisht në media, qarkulloi një e-mail i cili tregonte fituesin. Sipas informacioneve jo zyrtare, mendohet që në tender do të marrë pjesë dhe do të fitojë “Austria Lottary”. Kompania e vetme që plotëson kushtet e dy licencave dhe teknikalitetet e tjera të kërkuara në tender nga Ministria e Financave.

PS, kërkesë Bodes: Si i vendosët kushtet?
Pas skandalit të publikuar për herë të parë nga “Panorama” lidhur me dyshimet për tenderin e dhënies së licencës së Lotarisë Kombëtare, reagimet kanë qenë të njëpasnjëshme. Në një letër drejtuar ministrit të Financave Ridvan Bode, deputeti i PS-së Taulant Balla ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion informacion mbi “procedurat e ndjekura nga Financat për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare, metodologjinë e përzgjedhjes së kritereve të kualifikimit dhe pritshmërinë e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga kjo licencë dhe ky aktivitet”. Çështja e licencës së Lotarisë Kombëtare u ngit si problematikë pas letrës që CEO i kompanisë INTRALOT i dërgoi Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, si dhe ministrit të Financave Ridvan Bode, në të cilën theksonte faktin që tenderi kishte një sërë kriteresh unike përjashtuese. Nga ana tjetër, ai theksonte se kjo mënyrë procedimi kufizonte konkurrencën duke futur në garë pak ofertues, çka nuk do të rezultojë as me ndonjë përfitim të madh në të ardhura për arkën e shtetit. Duket se pikërisht këtu është fokusuar edhe kërkesa e Partisë Socialiste, e cila kërkon mbi të gjitha të dijë vlerën e parave që buxhetit do t’i shkojnë si efekt i shitjes së kësaj të drejte.

NERTILA MAHO

 

—–

Kompania greke, “Intralot” i shkruan Berishës dhe Bodes: Kriteret parapërcaktojnë fituesin, të shtyhen afatet.

Kreu i kompanisë greke Intralot kërkon shtyrjen e konkurrimit.

Letra për Berishën e Boden: Kriteret paracaktojnë fituesin.

Ridvan Bode

Vishet me hije skandali procesi i tenderimit të Lotarisë Kombëtare. E shpallur nga Ministria e Financave, më datë 21 maj, duket se e gjithë procedura për konkurrimin është ndërtuar në një mënyrë të tillë që fituesi të jetë i parashikuar pa filluar tenderi. Skandalin e zbardh letra, të cilën gazeta e boton sot të plotë, e kreut të kompanisë gjigande të lotarive, “Intralot”. CEO, Constantinos Antonopoulos, në një letër dërguar ministrit të Financave, Bode dhe Kryeministrit Berisha, tregon qartë “hilet” e ndjekura nga Ministria e Financave në procedurat e tenderimit. Abuzimi i parë duket se ka të bëjë me kriteret e kualifikimit të kompanive. Sipas letrës, kriteret e vendosura nga ministri Bode “janë unike në të gjithë botën, në një mënyrë të tillë që përjashton të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri”. Pra, që në nisje duket se konkurrenca në vend që të hapet në sa më shumë kompani, zvogëlohet. Por ky është vetëm fillimi i procedurave. Ndryshe nga ç’pritej, në kriteret e vlerësimit nuk është vendosur tarifa apo çmimi. Kjo e bën konkurrencën pa kuptim në rritjen e të ardhurave në buxhet, në një kohë kur qeveria po shet gjithçka për të plotësuar mungesën e të ardhurave dhe vetë Bode po rishikon buxhetin për të plotësuar këtë mungesë. “Për këtë qëllim, unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do të kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani”, theksohet në letrën që i ka shkuar edhe Berishës. Pra, tenderi për Lotarinë Kombëtare qartësisht po kufizohet për interesa të disa kompanive. Letra vazhdon më tej me kërkesën e gjigandit “Intralot”, për shtyrjen e afatit të tenderit dhe rishikimin e procedurave dhe kritereve. Limitimi i kompanive pjesëmarrëse dhe për më tepër, heqja e kriterit të çmimit në konkurrim, duket se e bëjnë tenderin më shumë një dhuratë, se sa një konkurrim për një çmim më të lartë. “Ju sugjeroj të shtyni procesin e kërkesave për aplikime dhe të rikonsideroni kualifikimin specifik dhe kriteret e vlerësimit të bazuara në fakte të një industrie solide, të mbledhura nëpërmjet një procesi konsultimi të hapur publik. Unë mund t’ju siguroj me ta gjitha mënyrat se një iniciativë e tillë do të rezultojë me përzgjedhjen e partnerit më të aftë, duke maksimalizuar të ardhurat e qeverisë dhe duke mbrojtur integritetin e dhënies së licencës, përkundër pretendimeve dhe interpretimeve”.

Intralot
Athinë, 15 qershor 2012

Drejtuar ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë,
Z. Ritvan Bode
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, prof.dr.Sali Berisha
a)    Kërkesë për aplikimet për çmimin e licencës së Lotarisë Kombëtare të Shqipërisë, lëshuar më datë 21/05/2012
b)    Ftesë për aplikimet. Lëshuar më datë 18 maj 2012

Shkëlqesia juaj
Pas hapjes së konkurrimit “për marrjen e licencës për organizmin e Lotarisë Kombëtare”, dëshiroj t’ju drejtohem ju me qëllim për t’ju shprehur shqetësimin tim të thellë për mbarëvajtjen e procesit të dhënies së licencës, pasi ai nuk siguron konkurrim të vërtetë dhe është ndërtuar në një mënyrë që do të rezultojë me të ardhura konsiderueshëm të ulëta për shtetin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare.
Për këtë arsye, unë dua të theksoj se procesi aktual po limiton konkurrencën pa arsye, duke futur kritere kualifikimi që janë unike në të gjithë botën, në një mënyrë të tillë që përjashton të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri, përfshirë INTRALOT, duke mos mbrojtur interesat themelore të qeverisë suaj për një veprimtari të qëndrueshme dhe të përgjegjshme sociale të Lotarisë në Shqipëri.
Çështja kryesore ka të bëjë me kriteret e kualifikimit në të cilat kërkohen dy certifikata shumë specifike të fushës (WLA-Niveli 4 i përgjegjshmërisë së lojës dhe WLA-Standarde të kontrollit të sigurisë mbi tre vjet), të cilat, të kombinuara, mund të përmbushen vetëm nga një numër ekstremisht i limituar kompanish. Vlen për t’u theksuar se disa nga këto entitete janë organizata të kontrolluara nga shteti me përgjegjësi strikte  fiskale dhe, ose nuk i përmbushin kriteret financiare të paraqitura të sektorit privat, ose, në shumicën e rasteve, ndjekin mundësitë që janë jashtë mandatit të tyre. Për më tepër, ata pak kandidatë potencialisht të kualifikuar që ne kemi identifikuar, nuk kanë ndonjë eksperiencë në zbatimin e Lotarisë jashtë vendit ku banojnë.
Për më tepër, dhe për çudinë tonë të madhe, ne kuptuam se kriteret e vlerësimit dhe dhënies së licencës nuk përfshijnë tarifën e saj apo ndonjë element çmimi, çfarëdo qoftë ai, por në vend të kësaj, tarifa është vendosur në një nivel të ulët pa arsye për një aset të tillë premtues, siç është provuar në dhënie licencash të ngjashme nëpër botë.
Në kontekstin e kufizimeve të ashpra të buxhetit dhe vështirësive ekonomike në shumë vende europiane, sigurimi dhe akordimi efikas i fondeve publike është një shqetësim i veçantë dhe unë jam i sigurt se qeveria juaj është në linjë me realitetin.
Sugjerimi i fortë i Kryeministrit, se paratë e siguruara nga dhënia e licencës duhet të përdoren në mbështetje të sporteve, talenteve të reja dhe për pacientët e neoplazmës, i shtohet besimit tonë se ju vërtet inkurajoni rritjen e kontributeve sociale nga asetet publike. Për këtë qëllim, unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do ta kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani.
Kam besim se INTRALOT, operatori lider dhe tregtues i teknologjisë në lotaritë e sistemuara nga qeveria dhe në sektorin e lojërave prej më shumë se 20 vjetësh, me prani në më shumë se 50 vende në të 5 kontinentet, është më i afti dhe i mirë-kualifikuari për të zbatuar një projekt të këtyre përmasave dhe qëllimeve. Për më tepër ne jemi të angazhuar të investojmë kryesisht në zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme dhe me teknologji të avancuar.
Jam i sigurt se kujdesi e mirësia juaj dhe konsiderata e mendimit për këto çështje, mund ta çojë konkurrencën drejt një procesi të hapur, transparent dhe vërtet konkurrent, që janë në linjë me garancitë e siguruara për ju nga Shkëlqesia e tij Kryeministri pas takimit tonë, në maj 2010.
Në përpjekje për të evituar një proces të fragmentarizuar me një numër ekstremisht të limituar ofruesish pa ndonjë eksperiencë të dukshme ndërkombëtare mbi çështjen-subjekt, që do të rezultonte me një humbje të madhe të ardhurash për qeverinë shqiptare, unë me mirësi ju sugjeroj të shtyni procesin e Kërkesave për Aplikime dhe të rikonsideroni kualifikimin specifik dhe kriteret e vlerësimit të bazuara në fakte të një industrie solide, të mbledhura nëpërmjet një procesi konsultimi të hapur publik. Unë mund t’ju siguroj me të gjithë mënyrat se një iniciativë e tillë do të rezultojë me përzgjedhjen e partnerit më të aftë, duke maksimalizuar të ardhurat e qeverisë dhe duke mbrojtur integritetin e dhënies së licencës përkundër pretendimeve dhe interpretimeve.
Duke u mbështetur në përpjekjet e deklaruara dhe të provuara të qeverisë suaj për sigurimin e kontributeve domethënëse për shtetin shqiptar nga asetet publike dhe krijimin e benefiteve për shoqërinë, ne kemi besim se ju do të veproni sipas një procesi të drejtë dhe transparent, si dhe shtimit të të ardhurave të licencës së Lotarisë.

Me nderime
Constantinos Antonopoulos
CEO

Faksimile e letrës dërguar Bodes e Berishës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura