Zbardhen argumentet e gjykatës, gabimet në hetim që shpëtuan Mark Frrokun nga akuza për vrasje

May 16, 2017 | 16:41
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka zbardhuar arsyetimin e vendimit që shfajësoi nga akuza e “vrasjes me paramendim” ish-deputetin Mark Frroku. Përmes një vendimi voluminoz, gjykata analizon në detaje të gjitha provat e marra gjatë shqyrtimit, duke dalë në përfundimin se i pandehuri nuk ka lidhje me krimin e ndodhur në vitin 1999 në Bruksel, ku u vra emigranti shqiptar Aleksandër Kurti.

Frroku

Ish-ligjvënësi Frroku nuk pati të njëjtin fat për tri akuzat e tjera, atë të “pastrimit të parave”, “fshehjes së pasurisë” dhe “ndërtimit të paligjshëm”. Në vendimin e shpallur më 21 prill 2017, ai u deklarua i fajshëm për tri akuzat e fundit dhe u dënua me 7 vjet e 6 muaj heqje lirie.

“Panorama” ka siguruar një kopje të plotë të vendimit dhe në vijim sjell argumentet thelbësore të gjykatës në vendimin për të pandehurin Frroku. Aktualisht dosja është në pritje të gjykimit në Apel.

PAFAJESIA

Në analizë të provave të shqyrtuara në proces, atyre shkresore dhe atyre me dëshmitar, trupi gjykues vërente mangësi të theksuara në hetimin e kryer për ngjarjen e vitit 1999 në Belgjikë nga autoritetet belge të Drejtësisë. Sipas gjykatës, nuk ka një akt që të provojë si është administruar nga policia një thikë, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Po ashtu, nuk është vërtetuar nëse kjo është arma e krimit, nuk u është bërë ekzaminim njollave të gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes. Duke iu referuar dëshmive të administruara në proces, gjykata vlerëson se ka pasur një përleshje mes viktimës dhe autorit, por nuk qartësohet se kush e ka nisur përleshjen, apo kush e ka pasur thikën.

Sipas gjykatës, nuk provohet as pretendimi i Prokurorisë për motivin e vrasjes, atë të lidhjes së viktimës me një prostitutë shqiptare në Bruksel. Trupi gjykues sqaron edhe mosshqyrtimin e dëshmive të dhëna në shtetin belg nga dëshmitarë anonimë të paidentifikuar.

“Nuk është vërtetuar dhe provuar ‘jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm’ se i pandehuri Mark Frroku e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, pasi nuk u provua përfshirja e tij në ngjarje, rolin që ai ka pasur në të, motivin e tij për të qenë pjesë e ngjarjes, por nuk u provua as mekanizmi, dinamika e ngjarjes, madje as vërtetuar shkencërisht arma e krimit”, theksonte gjykata.

PASURIA

Në lidhje me akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”, gjykata arsyetonte se i pandehuri Mark Frroku nuk ka deklaruar burimin e pasurive të deklaruara në shumën totale 271. 998 606 lekë, si dhe ka fshehur pasuri të tjera, të cilat nuk i ka deklaruar sipas detyrimit ligjor në ILDKPI, për shkak të detyrës së tij si deputet.

Për akuzën e “pastrimit të parave”, gjykata shprehej se përmes krijimit të shoqërive tregtare, i pandehuri ka mbuluar dhe fshehur paratë e siguruara nga veprimtari të jashtëligjshme gjatë viteve 1998- 2002.

“Këtë pasuri të paligjshme i pandehuri e ka përdorur për krijimin e zmadhimin e shoqërive të tij, duke blerë pasuri, duke i qarkulluar të ardhurat dhe duke krijuar imazhin e krijimit të bizneseve të suksesshme dhe të ligjshme. I pandehuri, duke përdorur paratë e krijuara nga burime të paligjshme prej veprimtarive kriminale, përveçse ka përdorur shoqëritë tregtare për mbulimin dhe fshehjen e këtyre pasurive, ka përdorur metodën e mbulimit të tyre duke zmadhuar vlerën e disa pasurive të trashëguara, të cilat në fakt rezultojnë ose të rrënuara e të pavlera, ose me një vlerë shumë të ulët në krahasim me atë që ka deklaruar i pandehurit në ILDKPI”, arsyetonte ndër të tjera gjykata në vendimin përfundimtar.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura