Vrasja e transvestitit, Prokuroria: 15 vjet burg autorit

May 15, 2013 | 12:41
SHPËRNDAJE

TIRANE – Prokuroria e Tiranës kërkoi dje deklarimin fajtor dhe dënim me 15 vjet burg për një shtetas kosovar të akuzuar për vrasjen e një transvestiti në kryeqytet. Sipas Akuzës, i pandehuri Sebajdin Hoxha është autori i vrasjes me thikë të transvestitit Petrit Muça, i njohur si “Kristina”, më 19 shtator 2009 në Tiranë. Në përfundim, prokurori i kërkoi gjykatës të ketë parasysh uljen e një të tretës së dënimit që përfiton i pandehuri për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar. I pandehuri Hoxha u rigjykua në Gjykatën e Tiranës në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Apelit Tiranë. Në maj të vitit 2011, Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor të pandehurin Hoxha për “vrasje me dashje” në dëm të Petrit Muçës dhe e dënoi me 15 vjet burg. Ky vendim u prish më pas në Apel, me argumentin se të pandehurit i ishte mohuar e drejta e një përkthyesi në sallën e gjyqit. Sipas Gjykatës së Apelit, Sebajdin Hoxha nuk fliste shqip, pasi ka lindur në Dragash, Prizren, Kosovë, dhe gjuha e tij amtare është ajo gorane. “Megjithëse është shtetas i një vendi në të cilin gjuha zyrtare është gjuha shqipe, ai bën pjesë në një komunitet, i cili flet gjuhën ‘gorane’ dhe ka kërkuar në Gjykatë të gjykohet me ndihmën e një përkthyesi në gjuhën e tij”, arsyetonte Apeli. Gjatë rigjykimit në Shkallën e Parë i pandehuri u ndihmua nga një përkthyes. Sipas Prokurorisë, fajësia e të pandehurit provohet nga dëshmitë e disa transvestitëve të tjerë. Sipas dëshmitarëve, Sebajdin Hoxha identifikohej nga komuniteti i transvestitëve si “Kosovari”, për shkak të vendit nga ai vinte dhe si “maniaku”, pasi ai i ngacmonte ata shpesh. Në këto dëshmi ai cilësohej si klient i rregullt i prostitutave dhe i transvestitëve. Referuar të dhënave të Prokurorisë, mbrëmjen e 19 shtatorit 2009, Sebajdin Hoxha e ka marrë “Kristinën” për të kryer marrëdhënie seksuale, por më pas e ka qëlluar me thikë. Trasnvestiti “Kristina” u gjet i pajetë, i prerë me thikë në fyt, në një godinë pranë rrugës “Abdi Toptani” në Tiranë.  ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura