Vlahutin: Dua datën se kur mbaron Lungomare e Bypass

Feb 1, 2017 | 13:38
SHPËRNDAJE

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka kërkuar dje në Vlorë që të mbarojnë para fillimit të sezonit turistik tri projektet madhore për këtë qytet: Lungomare, Bypass-i dhe ajo e kanalizimeve të ujërave të zeza.

Vlahutin duke inspektuar dje punimet në Lungomare
Vlahutin duke inspektuar dje punimet në Lungomare

Ajo mbërriti bashkë me një ekip të saj, ku kërkoi informacione në lidhje me këto projekte të financuara nga BE. Fillimisht ajo i ka nisur takimet në Bashkinë e Vlorës, ku u prit nga kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Takimi ka zgjatur në zyrën e kryebashkiakut rreth 40 minuta, ndërkohë që sipas burimeve, Vlahutin ka qenë e prerë, duke kërkuar të mos zvarriten me këto tri projekte.

Pasi doli nga institucioni i Bashkisë, e shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Leli, ambasadorja e BE-së Vlahutin u shpreh se “kam ardhur në Vlorë për takime pune, ku do të ndjekim nga afër punimet e tri projekteve të rëndësishme që financohen nga ne, atë të ujërave te zeza, të Lungomares dhe Bypass-it. Financimet nga BE-ja kapin një vlerë prej 47 milionë eurosh dhe shpresojmë që punimet të mbyllen para sezonit të verës. Jemi në dijeni që Bypass-i ka zgjatur. Por ne kemi ardhur të bëjmë takime edhe me sipërmarrësit, që të mësojmë prej tyre datat fikse për përfundimet e punimeve, pasi industria e turizmit është mjaft e rëndësishme për qytetin e Vlorës dhe jo vetëm”, u shpreh Vlahutin pasi doli nga Bashkia.

Ndërkaq, nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë ka falënderuar ambasadoren për vizitën e saj, si dhe interesimin për investimet që po kryhen nga BE-ja në qytetin e Vlorës. Pas deklaratave, Vlahutin e shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Leli kanë zbritur në terren ku kanë parë nga afër punimet e Lungomares dhe Bypass-it. Burime nga Bashkia bënë të ditur se Vlahutin ka marrë garancinë se deri në datën 30 prill punimet në Lungomare do të kenë përfunduar. Por, ndërkaq, nuk bëhet e ditur nëse është dhënë një afat sa i përket përfundimit të bypassit.

“Po shohim se cilat janë ecuritë për tri projektet e mëdha që BE po financon këtu në Vlorë, sepse në total flasim për 47 milionë euro. Së pari projekti që ka të bëjë me kanalizimet e ujërave të zeza, dhe disa të tjera që ne shpresojmë që të përfundojnë përpara sezonit të verës dhe kjo ka të bëjë me Lungomaren. Pastaj kemi në fakt edhe një projekti tjetër, i cili është zgjatur, dhe ai është projekti i bypassit. Ky projekt, në fakt, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe për turizmin e vendit. Ajo çka donim të bënim ishte të vinim në Vlorë dhe të takoheshim me të gjithë ata që janë të përfshirë në këto projekte dhe që të dëgjonim prej tyre se cilat janë datat reale se kur këto projekte do të përfundojnë”, u shpreh Vlahutin teksa inspektoi punimet në Lungomare.

ARMAND XHELILI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura