Veqilharxhi, babai i alfabetit dhe abetares shqiptare

Oct 21, 2011 | 10:51
SHPËRNDAJE

Busti i Naum Veqilharxhit ne Bukuresht

“ABETARJA E ABETAREVE”
Ëvetaret(ëve-shkronjë) e Naum Veqilharxhit njihen si të parat abetare të gjuhës shqipe. Me to merr udhë historia e abetareve në gjuhën tonë amtare. Përpara tij ishte dr. Vangjel Meksi, që shqipëroi dhe përshtati në trajtë tekstesh për nxënësit shqiptarë librat e shkrimtarit francez Flëri (Fleury,1640-1723): Doke të të krishterëve dhe Doke të izraelitëve, për t’u përdorur në shkollat fillore. Veçse, abetaret e Veqilharxhit, jo vetëm janë të parat në vargun e abetareve të gjuhës shqipe, por ato zgjuan vetëdijen e shqiptarëve si komb më vete dhe dëshirën për të jetuar në liri. “Ëvetari i Naumit është abetarja e njësisë kombëtare, abetarja që na mëson se gjithë ai popull që flet gjuhën shqipe, është popull shqiptar, një dhe i pandarë, se ai vend ku jeton ky popull është vendlermi (atdheu) i shqiptarëve, Shqipëria një dhe e pandarë” (Emil Lafe, “Abetarja e abetareve”, Revista letrare, 1999, nr. 10, f. 31). Ato ishin lajmëtaret e para të arsimit kombëtar shqiptar dhe nxitën qytetarët e Korçës “që të hapin një fushatë ndihmash për të ngritur një tipografi edhe shkolla, në mënyrë që mësimi të shtrihet në gjithë atdheun tonë dhe në gjithë kombin tonë” (Letra e korçarëve dërguar N. Veqilharxhit, 1845).
Këtë ngjarje të rëndësishëm të kulturës dhe arsimit shqiptar e përshëndeti miku i madh i shqiptarëve, albanologu J. G. fon Hahn dhe Jeronim De Rada, të cilit Veqilharxhi i dërgoi disa kopje të ëvetarit. Arbëreshi tjetër i njohur Vinçenc Dorsa, u bëri jehonë alfabetit dhe librave të Naum Veqilharxhit një vit pas botimit të tyre, në vitin 1847 (M. Domi, “Mbi jehonën e botimit të Abetarit shqip dhe të veprimtarisë së Naum Veqilharxhit në shtypin rumun të kohës (Me rastin e 130-vjetorit të botimit të Abetarit)”, Studime filologjike, 1976, nr. 4, f. 120).
Përkrahje të jashtëzakonshme Naum Veqilharxhi pati nga personalitetet më të shquara të kulturës rumune dhe bullgare, të cilët shkruan artikuj të shumtë, me ngrohtësi për popullin shqiptar dhe për veprën e Naum Veqilharxhit, duke theksuar se: “Përpjekjet e Naumit mund të konsiderohen si një simbol kombësie rreth të cilit mund të mblidhen të gjitha pjesët e shpërndara prej aq shekujsh” (Radulesku, Mbi shqiptarët, Bukuresht, 1846, cituar nga M. Domi, “Mbi jehonën e botimit….”, f. 123). “Qarqet shkencore gjermane treguan menjëherë interes për abetaret që Naum Veqilharxhi botoi në vitet 1844 dhe 1845” (Dh. S. Shuteriqi, “Naum Veqilharxhi”, Gjurmime Letrare, 1974, f. 229). Në veprën Historia e popullit shqiptar, II, f. 99 është shkruar: “Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet ‘20, ai kishte hartuar disa tekste, të cilat, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara.” Në të vërtetë, Naum Veqilharxhi, pasi përfundoi dorëshkrimin e materialeve të plota didaktike për shkollat fillore në gjuhën tonë amtare, duhej të kapërcente dy pengesa të vështira. Së pari, duhej të siguronte burimet financiare për derdhjen e shkronjave të tij origjinale, si dhe një shtypshkronjë me teknologjinë e duhur. Së dyti, dhe më e vështira, projekti i tij nuk do të realizohej pa fermanin e Sulltanit, që do të mundësonte futjen e librave shqip dhe, për më tepër, hapjen e shkollave në Shqipëri, të cilat pengoheshin prej shekujsh nga një marrëveshje ndërmjet Portës së Lartë dhe Patrikanës. Në veprën Historia e popullit shqiptar pranohen vështirësitë që hasi Naum Veqilharxhi për të zbatuar projektin e tij, por anashkalohen faktorët që bënë të mundur arritjen e abetareve në Shqipëri dhe hapjen e shkollave shqipe në vitin 1844 në Korçë, Kolonjë, Përmet, Berat e rrethinat. Ato shkolla duhen njohur, përkujtuar dhe nderuar si shkollat e para në Shqipëri ku mësohej shqipja me kompletin e plotë të materialeve pedagogjike. Historiografia shqiptare vazhdon të mos e nxjerrë në dritën e diellit faktin se mrekullia e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, ku nxënësit shqiptarë mësuan gjuhën e vet amtare dhe e shkruan atë me alfabetin e veçantë të Naum Veqilharxhit, u realizua edhe falë patriotizmit, gatishmërisë dhe mjeteve financiare të bamirësit shqiptar Vangjel Zhapa.
VANGJEL ZHAPA, BASHKËPUNËTORI I VLEFSHËM I NAUMIT
Nuk dihet data e saktë e njohjes së Naum Veqilharxhit me Vangjel Zhapën, veçse me siguri ka qenë fillimi i viteve ‘40 të shek. XIX. Në librin Fjala shqipe, Tiranë, 1961, Skënder Petro Luarasi (1900-1982), publicist, vazhdues i traditës së Fan Nolit për përkthimin e veprave klasike të letërsisë botërore, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, ka shkruar: “Vangjel Zhapa, bashkëpunëtori i Naum Veqilharxhit, e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar, por që Patrikana diti t’ia zhvatë për interesat e saj satanike”. Kurse vetë Vangjel Zhapa ka shkruar në gazetën Pellazgu se “jo para shumë kohësh diskutuam me javë të tëra me Naum Veqilharxhin në lidhje me çështjen e alfabetit të shqipes” (Aleks Buda, “Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në vitet 1859-1861”, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 63). Naum Veqilharxhi me Vangjel Zhapën duhet të jenë njohur dhe të kenë diskutuar mbi alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe para se të botoheshin abetaret, domethënë para vitit 1844. Në këtë periudhë, Vangjel Zhapa ka qenë një ndër pasanikët më të mëdhenj të Rumanisë për t’u bërë pas 10-15 vjetësh, pasaniku më i madh në Europën lindore. Në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, Naum Veqilharxhi kishte përfunduar prej kohësh përpilimin e alfabetit dhe hartimin e abetareve, të gramatikës së gjuhës shqipe dhe të materialeve të tjera didaktike. Por, ai nuk kishte pasur mundësi t’i botonte ato dhe më pas t’i dërgonte në Shqipëri. Takimi me Vangjel Zhapën ishte për të takimi me njeriun e duhur për zbatimin e projektit të tij. Naum Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa, krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, pjesëmarrës në kryengritjet antiturke të vitit 1821 dhe thellësisht të zhgënjyer nga Filiqi Eteria dhe udhëheqësit e saj, nuk u takuan rastësisht në emigracion. Rasti ndihmon vetëm mendjet e përgatitura dhe shpirtrat e ndezur për një qëllim të madh. Ata kërkuan dhe gjetën njëri-tjetrin. Bashkëpunimi i tyre do të ishte sintezë e qëllimeve dhe e idealeve të përbashkëta. Detyrat e Vangjel Zhapës tashmë ishin të përcaktuara. Ato qartësohen plotësisht nga dokumentet e paraqitura më poshtë, të cilat as që përmenden në veprën Historia e popullit shqiptar, të botuar nga Akademia e Shkencave. Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes Shqiptare, ka dëshmuar se: “Vangjel Zhapa me dr. Arsaqin darovitën respektivisht 25.000 dhe 10.000 flori për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, të cilin fole e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pa besë” (Nikolla Naço, Gaz. Shqiptari, Bukuresht, 23.10.1888, cituar nga Dh. Shuteriqi, Gjurmime letrare, f. 246). Librat e N. Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet dhurimeve të Zhapës, janë “Ëvetari” (1844) dhe “Fare i ri ëvetar shqip” (1845), d.m.th. dy abetaret e para të gjuhës shqipe. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta nga N. Veqilharxhi, hapet programi kulturor-gjuhësor i Rilindjes Kombëtare dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip. Shkrimtari dhe gazetari i njohur rumun Grigore H. Grandea në parathënien që ka shkruar për librin e Andre-lu alm Bagavm “Carte de alegere perisã în dialectulm macedo-românm”, Bukuresht, 1887, f. X-XI) jep këtë informacion me rëndësi:  “Janë bërë kërkime mbi kulturën kombëtare ndër shqiptarë, por ato u shtypën nga pushteti i Patrikanës greke, e cila, përmes agjentëve të vet, përndiqte gjithçka që binte ndesh me interesat e panhelenizmit. Kërkimet nuk zgjatën shumë, prandaj fara e rizgjimit kombëtar nuk mundi të mbijë”.
“Deri më 1844 të ndjerët Vangjel Zhapa dhe doktor Arsaqi Patrikana ende nuk i kishte tërhequr në anën e saj. Ata, me shtysën e një bashkatdhetari të tyre, Naum Veqilharxhi, nga vilajeti i Manastirit, komuna e Vithkuqit,  vendosën të përkrahin lëvizjen për kulturën shqiptare”. “I quajturi Naum hartoi një abetare, një gramatikë si edhe libra të tjerë mësimorë në gjuhën shqipe. Arsaqi dhe Zhapa i dërguan librat në Kostandinopojë me letra rekomandimi për t’i shtypur dhe me projektin e një fermani për hapjen e shkollave shqipe. Meqë çështja u mor shpejt në shqyrtim, librat u shtypën dhe fermani doli”. “Patriarku që nuk mundi ta bindë Naumin të hiqte dorë nga projekti i vet dhe as të pengonte shpalljen e fermanit, iu drejtua krimit për të shpëtuar panhelenizmin nga kjo goditje. E ftoi Naumin të banonte në Patrikanë deri kur “të rregulloheshin lokalet shkollore në Shqipëri”. I mjeri Naum pranoi, por e pagoi me jetën e vet këtë mirëbesim. Brenda një dite u helmua në tryezën e Patriarkut, ndërsa librat u dogjën të dielën pasuese në oborrin e Patrikanës, po ashtu siç ishte djegur gramatika e rumanishtes e Boiagi-t (Bojaxhiut)”. (Shih Revista Literarã, 1886, decemvre; – me këtë rast i shprehim mirënjohjen tonë albanologes rumune Cãtãlina Vãtãºescu, që na dërgoi fotokopjet e faqeve përkatëse nga libri “Carte de alegere …” ).
SHKOLLAT E PARA SHQIPE
Në Qarkoren (1846) që u dërgonte bashkëkombësve, Naum Veqilharxhi shkruante se “…vetëm kombet që kanë një gjuhë të shkruar mund të hynë në rangun e kombeve të qytetëruara, ndërsa të tjerat do të jenë të dënuara të jenë skllevërit e tyre”. Ai vazhdonte: “Kombi shqiptar ka rënë në injorancë, mbasi për t’u shkolluar, shqiptarët detyrohen të shkojnë në emigracion. Në këtë mënyrë largohen nga të afërmit e tyre, humbin gjuhën amtare dhe nuk punojnë për vendin e tyre, por për lulëzimin e kombeve të tjerë”. Si iluminist, Naum Vaqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhën e vendeve të qytetëruara. Çlirimi kulturor për N. Veqilharxhin ishte një faktor pa të cilin nuk mund të arrihej çlirimi politik.    Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar. Pas krijimit të shtetit grek dhe forcimit të tij ekonomik, me miratimin e autoriteteve turke, në Shqipërinë e Jugut filloi një fushatë e dendur për ngritjen e shkollave greke, që kishte për qëllim përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke, në vazhdën e synimeve helenizuese. Në vitet e mesit të shekullit XIX “…disa statistika hedhin dritë për gjendjen e shkollave në vilajetin e Janinës. Bashkësia ortodokse e atjeshme e përbërë nga 532 000 veta kishte 23 mijë nxënës në 665 shkolla greke” (Stavro Skendi, Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë, 2000, f. 131). Duhen shtuar gjithashtu edhe shkollat greke që u ngritën për shqiptarët ortodoksë në sanxhakët e Elbasanit dhe Korçës, të cilat përfshiheshin në vilajetin e Manastirit. N. Veqilharxhi e kishte të qartë se “shkollat greke janë të organizuara për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e popullit shqiptar” (Letra dërguar Jani Calit, 1846).
Në këto kushte Naum Veqilharxhi ishte i pari që ndjeu nevojën e ngutshme të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare për të penguar helenizimin e vendit. “Gjuha amtare, shkruante ai, është faktor i rëndësishëm për zhvillimin mendor të fëmijës dhe për përvetësimin e shpejtë të njohurive të dhëna në shkolla.” (Parathënie e Ëvetarit, 1845).
Abetaret u hartuan dhe u botuan për t’u shpërndarë në Shqipëri, që të shërbenin si tekste mësimi për nxënësit e shkollave fillore. Ata, të shoqëruar me fermanët e Sulltanit, u dërguan në Korçë me anë të Naum Haxhi Vasilit, dhe, me porosi të veçantë të autorit të tyre, u shpërndanë jo vetëm në Korçë, por edhe në Kolonjë, Përmet e Berat. Entuziazmin me të cilin u pritën abetaret, e marrim vesh nga një letër që paria e Korçës i drejtoi N. Veqilharxhit më datën 22 prill 1845. Ata i shkruanin: “U mësuam të lexojmë dhe t’i shkruajmë njëri-tjetrit. Bashkatdhetarët kërkojnë vazhdimisht edhe më shumë libra të tjerë”. Ata e përfundojnë letrën duke e njoftuar për abetaren e tij të parë “që po ndihmon mësuesit në shkollat e rregullta për të mësuar (nxënësit) të shkruajnë gjuhën amtare me shpejtësi dhe lehtësi”. Në emër të parisë së Korçës letra u nënshkrua nga patrioti Athanas Paskali, sekretari i mitropolisë, gjyshi i skulptorit Odhise Paskali, të cilin, për zellin e madh që tregoi, Patrikana e syrgjynosi thellë në ishullin e Kretës, mbasi kishte cenuar monopolin e gjuhës greke në shkolla. Gjatë periudhës në vijim, Naumi vendosi një letërkëmbim të dendur me patriotë korçarë për t’u informuar lidhur me shpërndarjen e librave dhe ngritjen e shkollave shqipe. Gjithmonë aktiv, “N. Veqilharxhi u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin e librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri” (Historia e popullit shqiptar, II, 2002 , f. 99). Folkloristi rilindës, Spiro Dine (1844-1922), pasues dhe bashkëpunëtor i Thimi Mitkos, na bën të ditur se në shkollën e fshatit Trebickë, në vitin 1854, si libër mësimi ende përdorej abetarja e Naum Veqilharxhit (Spiro Dine, Vepër e cituar, f. 20). Kjo dëshmon se abetarja e Naum Veqilharxhit mbeti në përdorim, të paktën për një dhjetëvjeçar në shkollat e Shqipërisë Juglindore. Skënder Luarasi, në librin Fjala shqipe shkruan: “Naum Bredhi (Veqilharxhi), flamurtari i Rilindjes shqiptare, me veprën e tij Qarkorja dhe me abetaret shqipe, u bë ideologu dhe mësonjësi i parë i lëvizjes sonë kombëtare”. Përveçse në shkolla, gjuhën shqipe Naum Veqilharxhi e shikonte të përdorej edhe në shërbesat fetare: “Shqiptarët, jo vetëm nuk kanë mundur t’i shkruajnë njëri-tjetrit në gjuhën e vet, por as t’i falen e t’i luten Perëndisë me gjuhën që secili e mësoi duke pirë qumështin e nënës, si gjithë bota tjetër” (Parathënia e Ëvetarit 1845). Kjo ide e Naum Veqilharxhit, e cila ishte në kundërshtim me Patrikanën, që donte të ruante monopolin e gjuhës greke në shërbesat fetare, do të përcaktonte edhe fatin e tij.
ILUMINISTI I PARË SHQIPTAR
Përveçse ideologu i parë, Naum Veqilharxhi vlerësohet edhe si iluministi i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky burrë i ndezur nga dashuria për kombin, si perfeksionist që ishte, për realizimin e objektivave të tij madhorë gërshetoi edhe përvojat e tij me ato të iluministëve të shquar të Ballkanit. I bindur se populli shqiptar do të dilte “nga gjendja e turpshme e mjerimit, vetëm kur do të fillonte lëvrimin e gjuhës kombëtare”, Naum Veqilharxhi përcillte me interesim të madh edhe aktivitetin arsimor që zhvillonin iluministët e kombeve të tjera të gadishullit tonë. Në qoftë se fëmijët rumunë filluan të shfletojnë abetaret e tyre të para në vitin 1820, ata bullgarë në vitin 1824 dhe fëmijët serbë në vitin 1827, me ëvetaret e tij, që arritën në Korçë në vitin 1844 dhe u përhapën si vetëtimë në gjithë Shqipërinë Juglindore, Naum Veqilharxhi ngriti përmendoren me të bukur të Rilindjes sonë kombëtare, për të cilën “ai do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve” (Letra e patriotëve korçarë dërguar N. Veqilharxhit).
IDEIMI I NJËSIMIT TE KOMBIT, KRYEVEPRA E VEQILHARXHIT
Kryengritjeve të shumta kundër pushtuesve osmanë, që kishin marrë hov në gjithë Shqipërinë në vitet ‘40 të shekullit të XIX, u mungonte programi politik në shkallë kombëtare dhe platforma e përpunuar ideologjike. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, që do të fillonte pas 30-35 vjetësh, u paraqitën nga Naum Veqilharxhi në Qarkoren e vitit 1846, e cila konsiderohet si manifesti i parë i saj. Duke u nisur nga kushtet politike, ekonomike dhe kulturore-arsimore ku ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët në shekullin XIX, Naum Veqilharxhi përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar, që do të kishte specifikën e tij. Ai do të përpunohej duke u mbështetur kryesisht mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fenë, si në rastin e nacionalizmave të tjerë ballkanikë. Letra që i drejton të nipit, Janit, student në Vjenë, më 7 prill 1846, për mendimet, dëshirat dhe optimizmin që ruan, është një nga dokumentet më të bukura të patriotizmit shqiptar. Naumi zbërthen këtu thelbin e programit të tij për rilindjen e kombit shqiptar. Ai paraqet me këtë rast një pjesë të letrës që nipi grekoman i kish dërguar më parë: “Xhaxhai tim kërkon të lidhë ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufë myslimanët fanatikë, të krishterët, ortodoksë supersticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, për të krijuar një trup homogjen nga kombi shqiptar”. Naumi, i qetë dhe bindës, përgjigjet se kombi shqiptar ka ekzistuar bashkë me kombet e tjera dhe shqiptaria përfaqëson thelbin e tij, ndërsa përkatësitë fetare nuk janë veçse karakteristika të fituara më vonë, që mund edhe të ndryshojnë. Janë këto ide të N. Veqilharxhit, që do t’i vargëzonte shkëlqyeshëm Pashko Vasa, kur thoshte: E mos shikjoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria (1878).    Për Veqilhaxhin “kombi shqiptar do të mbështetej kryesisht mbi gjuhën tonë amtare dhe më pak te zakonet, lidhjet farefisnore etj. Të mohosh kombin, vazhdonte Naumi, është njëlloj sikur të mohosh prindërit, familjen, miqtë, bashkëkombësit, vatrën atërore, varret e të parëve dhe gjërat e shenjta të familjes.” (Letra dërguar J. C.). Abetaret e Naum Veqilharxhit, që u quajtën “vepra të shenjta”, por edhe Qarkorja dhe Letra dërguar J. Calit, ndriçuan popullin shqiptar me shpejtësi vetëtime, duke “u dhënë zemër edhe gjithë të tremburve”. Në shtypin rumun të kohës theksohej se veprat e Naum Veqilharxhit, që synonin të kapërcenin ndasitë fetare, të cilat pengonin bashkimin kombëtar, u mirëpritën nga të tri pjesët e kombit (Gaz. Curjerul rumanesc, Bukuresht, 1846; cituar sipas M. Domit, Kongresi i Manastirit…, 1972). Dhimitër S. Shuteriqi shkruan: “Për herë të parë, jo vetëm paria ortodokse e Korçës, por edhe katolikë dhe myslimanë të ndryshëm e kanë kuptuar dhe e kanë bërë të tyrin qëllimin e rilindasit. Përpjekja e tij kulturore i ka bashkuar ata si pjesë e një kombi që janë” (“Naum Veqilharxhi”, Gjurmime letrare, 1974, f. 227). Anastas Byku, drejtor i gazetës Pellazgu, që kishte pronar Vangjel Zhapën, do të shkruante se: “Veprimtaria e Naum Veqilharxhit kishte gjetur përkrahje nga shqiptarët myslimanë dhe të krishterë” (po aty, f. 240). Në këtë mënyrë, N. Veqilharxhi kishte ideuar rikonstruksionin e kombit shqiptar që përfshinte myslimanët dhe të krishterët, vërtetuar tashmë nga historia, dhe si aliazh që është, doli më i fortë dhe më rezistent sesa elementët që e përbëjnë. Dora-dorës, populli shqiptar e pranoi porosinë e Naumit dhe krijoi modelin e tij, sipas të cilit besimet fetare do të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, jo vetëm pa ngacmuar bashkëkombësit e feve të tjera, po gjithmonë duke i respektuar ato.
Kjo është harmonia fetare ose bashkëjetesa shqiptare që ideoi N. Veqilharxhi dhe që sot, falë urtësisë të popullit tonë, përbën një vlerë të veçantë të tij, si një model referimi për popujt e tjerë ballkanikë, si mënyrën e vetme për një të ardhme të përbashkët më të lumtur. Veçse, gjithçka fillon me gjuhën tonë amtare. Kur N. Veqilharxhi thoshte se gjuha shqipe do të riformonte kombin tonë (Qarkorja,1846), si edhe shumë shqiptarë të tjerë, ai ishte dashuruar pas saj si një gjuhë e lashtë, e veçantë, që tingëllon bukur si në gojën e grave ashtu edhe të burrave, që u ka qëndruar të gjitha rrebesheve, edhe pse nuk mësohej nëpër shkolla, mbasi turqit i kishin zgjedhur vdekjen dhe e ndaluan të mësohej për 5 shekuj me radhë.
vijon…

Profesor FEDHON MEKSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura