Venusi me burkë

Feb 1, 2016 | 11:57
SHPËRNDAJE

Çapajev-GjokutajÇAPAJEV GJOKUTAJ

Vizita e Presidentit Rou han në Romë ishte e një rëndësie të madhe politike dhe sidomos ekonomike, si për Italinë, ashtu edhe për Iranin. Kontratat e nënshkruara arritën në 17 miliardë dollarë.Ky sukses me ndikim të konsiderueshëm u zbeh dhe thuajse u la në harresë nga që fokus mediatik u bë një ngjarje krejt periferike: vizita në Musei Capitolini, ku autoritetet italiane, për të mos shqetësuar mysafirin e lartë, i kishin mbuluar statujat nudo të antikitetit greko-romak.

Reagimi për nudot e mbuluara i kaloi kufijtë e Italisë dhe u pasqyrua në mediat më prestigjioze botërore. Kritikat dhe shpotitë u bënë aq shqetësuese, sa që të dy qeveritë, si italiania edhe iraniania, nxituan të deklaronin, zyrtarisht, dhe veç e veç, se nuk kishin kërkuar mbulimin e nudove klasike. Në vështrim të parë ngjan si anomali. Pasqyrimet mediatike, aq më tepër ato në gazeta me prestigj botëror, synojnë të pasqyrojnë realitetin, ta udhëheqin lexuesin drejt thelbit të ngjarjeve.

Në rastin e kësaj vizite u la në hije thelbi ekonomik dhe politik, vëmendja u përqendrua tek episodi periferik i nudove. Dhe s’kemi të bëjmë me media bulevardi, lajmin e përcollën Corriere della Sera, La Repubblica, CNN, BBC, Reuters, AFP, The New York Times, The Telegraph, Independent etj. Në thelb nuk ka asnjë anomali. Edhe në këtë rast është respektuar një nga ligjet themelore të informimit: kumtimi mediatik që të përbëjë lajm, duhet të shmanget nga e zakonshmja, e pritshmja, rutina dhe të zbulojë të renë, të papriturën, emocionuesen.

* * *

Shmangie të tilla përmbajnë rrezikun të gjenerojnë qasje të lehta e sensacionale. Në një pjesë të kumtimeve mediatike nuk ndodhi kështu me nudot e mbuluara. Vërtet që u la në hije rrafshi ekonomik dhe politik, por u tërhoq vëmendja në rrafshin kulturor dhe identitar, një shqetësim i madh global që kriza e refugjatëve i ka dhënë trajtën e kryetemës në ligjërimet politike e mediatike. Qëndrimi ndaj nudove duket si problem protokollar e burokratik, por është tejet më i rëndësishëm ngaqë shënon vijë demarkacioni mes modernes dhe fondamentales.

Për më tepër, këtë demarkacion e mishëron në dy simbole identitare: Venusi dhe burka. Parë nga kullat e civilizimit perëndimor, Venusi apo, më gjerë, nudoja klasike ka marrë vlerat e simbolit që poetizon hijeshinë e trupit njerëzor, veçanërisht trupit të femrës. Kurse burka, gjithnjë sipas perceptimit perëndimor, ka marrë trajtën e simbolit që shpreh mbulimin e femrës, sfumimin e hireve apo, më keq akoma, skllavërimin e saj. Në perceptimin islam këto dy simbole marrin vlera të kundërta.

Nudoja shërben si shenjë degjenerimi e mëkati, kurse veli që mbulon gruan, qoftë ferexhe, hixhab, burkë etj. shërben si tregues modestie, privatësie e moraliteti. Këto dy qasje krejt të kundërta mbeten të fuqishme dhe tejet vepruese edhe sot e kësaj dite ngaqë për shekuj me radhë janë natyralizuar përmes artit, traditave dhe zakoneve.

Mjafton të kujtojmë dy qëndrimet diametralisht të kundërta. Më njërën anë, rolin që ka luajtur nudoja në artin perëndimor, duke nisur nga rrënjët, d.m.th. nga antikiteti greko-romak, kurse më anë tjetër, ndalimin që vendoste islami për imazhin human. Kur vendosën të mbulonin nudot klasike, burokratët e Romës i konceptuan ato si objekte tregtie.

Harruan dallimin mes nudos dhe lakuriqësisë, dallim që qytetërimi ku bëjnë pjesë e ka sanksionuar prej shekujsh, kurse Edmund Burke e ka artikuluar edhe teorikisht. Nëse lakuriqësia në publik gjeneron ndjenjë turpi e poshtërimi, nudoja përmban konotacione që janë substanciale për civilizimin perëndimor. Nudot femërore, p.sh., shprehin jo vetëm hijeshi, por edhe harmoni, pjellori, kënaqësi tokësore mbi asketizmin mesjetar, individualizëm, humanizëm dhe, mbi të gjitha, liri.

Parë kështu, mbulimi i nudove klasike në Musei Capitolini përbënte një akt rutinë në rrafsh protokollar, por prek vlera identitare në rrafsh simbolik. Ngarkesat simbolike duket se u gjallëruan më tepër nga konteksti. E gjithë kjo bëhej për një klerik të lartë islam, person që megjithëse i moderuar krahasuar me paraardhësit, përfaqëson një regjim fondamentalist. Historia dëshmon se kur kundërvihen simbole të tilla identitare, d.m.th., shenja që kanë prirje të përfaqësojnë kultura dhe civilizime të tëra, bota emocionale trazohet duke e bërë ligjërimin të shkumëzojë.

Pas gjasash, kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse mbulimi i nudove klasike u bë fokus mediatik botëror dhe la në hije suksesin ekonomiko-politik të vizitës së Rouhan-it.

* * *

Siç ndodh rëndom, aktorët e ligjërimit publik rendën që ta kapnin sa më parë episodin e nudove të mbuluara dhe ta përdornin për atë që përbën funksionin kryesor të ligjërimeve mediatike: ndikim dhe dominim jo aq për parime, sa për interesa të ditës. Ndër qasjet më të hasura të mediave tradicionale dhe, ca më shumë, të rrjeteve sociale, ishte qasja orientaliste në kuptimin që Edward Said i jepte këtij termi: paragjykime eurocentrike kundër popujve arabo-islamikë dhe kulturës së tyre, paragjykime që u kanë shërbyer dhe u shërbejnë synimeve koloniale dhe imperialiste të fuqive të mëdha perëndimore.

Kriza e emigrantëve e shënjuar publikisht me ngjarje tronditëse si masakra në Teatrin Bataclan apo sulmet e Këlnit, kanë krijuar një shtrat të nxehtë për qasjet orientaliste. Në pamje të parë, qasje të tilla luftojnë për vlera të tipit progresist – fondamentalist, tolerant – fanatik etj., por në thelb synojnë votën e qytetarëve të shqetësuar nga trazimet që sjell me vete shtjella e emigrantëve. Indinjata e publikut italian për nudot e mbuluara u artikulua në shumicë nga politikanë të opozitës.

Arritjet ekonomiko-politike të vizitës së Rouhan përbëjnë benefit për gjithë shoqërinë italiane, si të tilla nuk japin dorë për oponencë e sulme. Duke u artikuluar për nudot, politikanët e opozitës synojnë ta gjejnë më lehtë rrugën për tek emocionet e votuesit, për të shtuar votat në emër të simboleve identitare. Pavarësisht përgënjeshtrimit nga qeveria iraniane, duket se stafi i Presidentit Rouhan kish kërkuar paraprakisht jo vetëm shmangien e skulpturave nudo, por edhe mospërdorimin e verës në dreka e darka. Pas Italisë, Rouhan vizitoi edhe Parisin.

Qysh në fazën përgatitore të vizitës, francezët e kishin bërë publike që nuk do ta respektonin kërkesën iraniane për shmangien e verës. Kur bënte kërkesa të tilla, që për mendësinë europiane përbëjnë nonsens, stafi i Presidentit fliste në emër vlerash e parimesh islame.

Gjithsesi, pas këtij pretendimi fshihej edhe një interes imediat politik: të shmangeshin në maksimum detaje e vogëlsira që do t’u jepnin dorë oponentëve politikë dhe do t’ia bënin edhe më të vështirë ndeshjen e vazhdueshme mes Presidentit moderator dhe ajetullahëve fanatikë. Pasqyrimi mediatik i mbulimit të nudove i ngjan një shtjelle të ngatërruar që të sjell ndër mend atë thënien skeptike: gjuha më shumë fsheh sesa shpreh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura