Vajza e Koço Tashkos: Babai po shuhet në burg, lëreni të vdesë në shtëpi

Jul 27, 2015 | 14:37
SHPËRNDAJE
(NË MES) KOÇO TASHKO (MAJTAS) PANDI KRISTO (DJATHTAS POSHTE) SPIRO KOLEKA (LART) STERJO GJOKA
(NË MES) KOÇO TASHKO (MAJTAS) PANDI KRISTO
(DJATHTAS POSHTE) SPIRO KOLEKA (LART) STERJO GJOKA

Në qershor të vitit 1969, Koço Tashko ishte i dënuari më i moshuar i burgut të Burrelit. Ishte gjendur aty nga kampet e internimit, kur kishte mbushur 70 vjeç. Në kushtet e tmerrshme, përveç moshës së thyer, jetën ia bënin të padurueshme një mori sëmundjesh. Ishte kjo arsyeja që familjarët e tij, në letrat që i dërgonin Enverit, i kërkonin të ndërhynte për ta kthyer në shtëpi. “Ju drejtohem juve, i shkruante e bija, Tefta, si shok i vjetër dhe njeri që e njihni mjaft mirë babain tonë, për të zgjidhur këtë çështje, pasi ai, përveç mendimeve, të cilat jua ka shprehur vetëm juve, udhëheqjes, nuk ka bërë asgjë tjetër”. Pak a shumë të njëjtin mesazh i transmetonte kreut të regjimit gruaja e Tashkos, Pavlina, një e njohur e hershme e Hoxhës, e cila, njëherazi, me kërkesën për ta lejuar të shoqin të vdesë në shtëpi, vë në vëmendjen e ish-mikut të familjes kalvarin e jashtëzakonshëm të vuajtjeve që përjetonin qysh nga dita e ndëshkimit të Koços. Ndryshe nga shumë kërkesa të këtij lloji, ku më së shumti dallon apeli për një lloj mëshire, e përligjur kjo për gjendjet e rënduara shpirtërore në kushtet e mungesës së lirisë, korrespodenca e familjarëve të Tashkos, jo vetëm s’përmban diçka të tillë, por aty-këtu ka tipare denoncuese.

Jo rastësisht, e shoqja e Tashkos e nis letrën për Enverin me represionin çnjerëzor të regjimit ndaj familjes së saj, duke i kujtuar peripecitë e shumta gjatë shtegtimit nga një kamp internimi te tjetri. “Veç kësaj, -shkruan ajo, -na kanë konfiskuar edhe plaçkat e shtëpisë, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë imja, në qoftë se ju kujtohet”. Pavlina Tashko, me këtë mënyrë komunikimi, s’denjon t’i lutet njeriut që ka shënjuar fatin e familjes së saj, por e ndërgjegjshme për rolin e tij në dramën e tyre, i kërkon, pa ultësi, por me dinjitet, të ndërhyjë së paku për gjërat më fondamentale që kanë të bëjnë me jetën e familjes së saj. “Së paku, lërini të lirë fëmijët, m’i hiqni nga Semani, ku s’mjafton puna e vështirë, por me ta sillen keq, i persekutojnë dhe i fyejnë ulët”, shprehet ajo e dëshpëruar dhe e revoltuar, duke përfunduar me apelin për lirimin e të shoqit. Përkundër kërkesave njerëzore të familjarëve të të burgosurit më të moshuar të Burrelit, reagimi i Hoxhës ka qenë sa brutal, aq edhe shpërfillës. Pasi është njohur me përmbajtjen e letrave të ardhura nga kampi i Semanit, në variantin e shtypur të origjinalit, kreu i regjimit është shprehur aty për aty me shënimin:

“Ta gjykojë gjyqi, pse ky tradhtar e mbushi kupën”. Shkurt, asnjë fije mëshire për ish-mikun e dikurshëm dhe liderin historik të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në një rast tjetër, po me dorën e tij ka shkruar në kreun e letrës: “Asnjë përgjigje për armikun e betuar Koço Tashko!”. Përfundimisht, Koço Tashko, edhe pas këtij letërkëmbimi, do të mbetej në burg, për të dalë që aty në moshën 78-vjeçare, në vitin 1980. Gazeta publikon sot për herë të parë tekstin e plotë të kësaj korrespodence, si një dëshmi tjetër autentike e sjelljes barbare të diktatorit edhe ndaj ish-miqve të tij, me të cilët kishte ndarë momentet më të vështira të viteve të luftës, por jo vetëm. Në ligjëratat e mëvonshme kreu i regjimit, duke iu kthyer letrave të familjarëve të Tashkos, do t’u përmendte me cinizëm të shfrenuar “përgjë- rimet” e gruas dhe fëmijëve të tij, që, sipas Hoxhës, “pranonin të bënin çdo gjë për të shlyer gabimet e babait, vetëm e vetëm që ta kthenin atë në shtëpi”. “Po ne s’mund ta bënim se s’jemi pajtuar kurrë me armikun e klasës, pavarësisht lotëve të krokodilit të të afërmve të tyre”, shprehet Enveri në një takim zyrtar, pas dënimit të grupit të të ashtuquajturve “puçistë” në ushtri. Për të, Koço Tashko deri në fund mbeti një tradhtar dhe agjent i revizionizmit sovjetik.

LETËR E TEFTA KOÇO TASHKOS

Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Shokut Enver Hoxha Po ju drejtohem juve, si shok i vjetër dhe njeri që e njihni mjaft mirë babain tonë, për të zgjidhur këtë çështje me shumë rëndësi për familjen tonë. Prej më se dy muajsh, siç jeni në dijeni, babai ynë 70- vjeçar, i sëmurë, ndodhet i burgosur. Ne, fëmijët e tij, dimë se babai, përveç mendimeve, të cilat jua ka shprehur vetëm juve, udhëheqjes, nuk ka bërë asgjë tjetër. Duke marrë parasysh moshën, gjendjen shëndetësore dhe punën që ka bërë babai ynë në luftë e në ndërtimin e atdheut tonë socialist, ju lutemi, na e lironi, të kalojë pranë familjes ato pak ditë që i kanë mbetur, se nuk ishin të pakta dhe 10 vite internim. Mbetemi në shpresë të madhe që 25-vjetorin e çlirimit ta festojmë së bashku me babain tonë.

Me nderime, Tefta Koço Tashko Seman, 31/VIII/1969

Shënimi i Enverit: Ta gjykojë gjyqi, pse ky tradhtar e mbushi kupën.

l1

LETRA E PAVLINA TASHKOS

Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Enver Hoxha Më 25 qershor 1969 arrestuan Koçon në moshën 70 vjeç, mbas 9 vjet internimi. Veç kësaj, konfiskuan edhe plaçkat e shtëpisë, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë imja, në qoftë se ju kujtohet. Ato i mbyllën në Ballsh dhe nuk na lejuan të merrnim as plaçkat e dimrit. Në 12 korrik, bashkë me fëmijët, na sollën në kampin e të internuarve ordinerë, në Seman, duke na e zgjatur internimin edhe për 5 vjet. Këtu fëmijët u detyruan të punojnë në fushë për të siguruar të ngrënët. Por s’mjafton puna e vështirë, me ta sillen keq, i persekutojnë dhe i fyejnë ulët. Po të drejtoj këtë lutje me shpresë. Lërini të lirë fëmijët dhe hiqini nga Semani ku po mundohen t’i bëjnë një me “ordinerët”. Mos lejoni që fëmijët e mi të bëhen 30 vjeç, gjysmën e jetës ta kenë kaluar të internuar. Na lejoni të tërheqim plaçkat nga Ballshi, se u bënë tre muaj që po rrinë atje në duar të të tjerëve që kanë humbur një pjesë të tyre. Sa për Koçon, lëreni ta ngrysë ditën në shtëpi, pranë familjes, që dhe ne të mund të festojmë të gëzuar si gjithë të tjerët 25-vjetorin e çlirimit të atdheut së bashku me të.

Pres me shpresë të madhe, Pavlina Tashko Seman, 5 tetor 1969

l2

Enveri: Jo mëshirë tradhtarit, mbushi kupën!

“Ka një vendim gjykate, të zbatohet si për armiqtë e tjerë”

“Ta gjykojë gjyqi, pse ky tradhtar e mbushi kupën”. Këto pak fjalë, shkruar me dorë në krye të letrës, që e bija e Koço Tashkos i adresonte Enverit në gusht të vitit 1969, janë i vetmi reagim i kreut të regjimit ndaj kërkesës së saj për ta lënë të atin të vdesë në shtëpi. I vendosur në qëndrimin e tij ndaj ishmikut të dikurshëm, Hoxha tregohet më shpërfillës me apelin e të shoqes së Tashkos. Madje në rastin e saj, s’denjon të shprehet fare, duke ia kaluar letrën Hysni Kapos, sekretarit të KQ-së, me porosinë “asnjë përgjigje për gruan e armikut Koço Tashko”. Sakaq, bashkëpunëtori i Hoxhës që e njihte mirë “gjuhën” e shefit, para se ta fusë në dosjet e arkivit, nuk harron të bëjë shënimin e rastit “me çështje të tilla merren organet e drejtësisë”. Shkurt, ata që e degdisën në ferrin e Burrelit, nuk ndërruan mendje(nuk kishte si të ndodhte ndryshe) deri në fund. Në fund të fundit nuk e kishin çuar aty për vakanca. Po kush ishte njeriu që shtynte ditët e pleqërisë në qelitë e burgut famëkeq dhe cila kishte qenë historia e përbashkët që kishte bërë me lidershipin historik të Partisë Komuniste…?

Enver Hoxha
Enver Hoxha

KOÇO TASHKO, VËLLAI I TEFTA TASHKOS DHE ISH-MIKU I ENVERIT

Koço Tashko ishte një nga personalitetet e historisë së hershme të lëvizjes komuniste në Shqipëri. Vëllai i këngëtares së famshme, Tefta Tashko, dhe djali i patriotit të njohur, Thanas Tashko, lindi në Fajun të Egjiptit, në 14 korrik të vitit 1899. Babai i tij, Thanas Tashko, ishte ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare. Koço Tashko u rrit në këtë familje dhe u edukua qysh fëmijë me idetë e Rilindjes. Shkoi në SHBA dhe mori pjesë aktive në lëvizjen patriotike të emigracionit shqiptar, në organizatën “Vatra”, në gazetën “Dielli” etj. U diplomua në Universitetin e Harvardit për ekonomi politike. Kreu detyrën e konsullit të Shqipërisë në SHBA dhe pas rrëzimit të qeverisë Noli, mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike në migracion. Ka qenë një nga miqtë e vjetër të Fan Nolit dhe njihej mirë deri në oborrin e mbretit Zog, nga i cili i janë bërë jo pak oferta për ofiqe shtetërore. I iluminuar nga idetë komuniste, shkoi në Moskë. Aty u përfshi në veprimtarinë e “Comintern”-it dhe në vitin 1938 u dërgua në Shqipëri për të themeluar Partinë Komuniste shqiptare. Koço Tashko është njëkohësisht edhe disidenti i regjimit komunist, për të cilin luftoi jo pak për ta sjellë në Shqipëri, duke përjetuar sakaq persekutimin çnjerëzor nga njeriu të cilin e ofroi në krye të Partisë Komuniste shqiptare.

STUDENTI I HARVARDIT

Koço Tashko është njëri nga ish-liderët e lëvizjes komuniste shqiptare, me shkollat më të kualifikuara të kohës. Pas arsimit fillor në Egjipt, Tashko vazhdoi kolegjin protestant “Hai School” në Bejrut. Më mbrapa përfundoi studimet në Universitetin e njohur të Harvardit, në Boston, pikërisht në degën e ekonomisë politike, ose të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç quhej ndryshe. Që këtej shkoi në Moskë dhe përfundoi shkollën e lartë të “Comintern”-it, apo Fakultetin e Filozofisë, siç quhej me gjuhën e kohës, në të cilin u emërua edhe pedagog.

KONSULL NË SHBA, AMBASADOR NË BS

Koço Tashko është njohur si pedagog i shkollës së lartë të filozofisë në Moskë dhe ka qenë njëkohësisht kryetar i seksionit anglo-amerikan të “Comintern”-it në atë shkollë. Ka qenë sekretar personal i Fan Nolit gjatë kohës që ky ka qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Në vitet 1923-1924, Tashko u emërua dy herë konsull i Shqipërisë në Nju Jork, titull diplomatik me të cilin në atë kohë Shqipëria përfaqësohej në Amerikë. Më mbrapa, Koço Tashko vijon në funksione të tilla, si redaktor në gazetat patriotike “Idealisti” apo “Emigranti” në Amerikë. Në vitin 1937 kryen detyrën e ngarkuar nga “Comintern”-i si kryetar i seksionit ballkanik “MOPRR” në Francë. Në vitin 1943, pikërisht gjatë periudhës së luftës nacionalç- lirimtare, Koço Tashko emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si sekretar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Çlirimi i Shqipërisë, pra, viti 1945, e gjen atë sekretar të Asamblesë Kushtetuese. Në vitet 1946- 1947, Koço Tashko emërohet ambasador i Shqipërisë në Moskë. Në vitin 1947, ai ngarkohet me detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, që e ushtronte paralelisht me Hysni Kapon. Në vitin 1954 caktohet ambasador i Shqipërisë në Sofje, por pas një viti, pra, në vitin 1955, si zakonisht në të tilla raste, e kthejnë sërish nga Sofja për ta emëruar në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë si kryetar të Komisionit të Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë. Në këtë detyrë vazhdoi deri në vitin 1960, kur mbi të filluan sulmet politike të Enver Hoxhës, duke e akuzuar si agjent të sovjetikëve.

NGA INTERNIMI NË BURREL

Në vitet ’60, nga një plenum i posaçëm i KQ-së të PPSh-së, Koço Tashko përjashtohet nga partia, për të cilën erdhi posaçërisht në atdhe. Bëri 8 vite internim, duke filluar që nga Çorrushi i Mallakastrës e duke vazhduar në shumë zona të Shqipërisë. Pas 8 vitesh internim, kur ishte në moshën 68-vjeçare, u burgos për 10 vite në burgun e sigurisë së lartë të asaj kohe, në Burrel, nga i cili doli vetëm në vitin 1980, kur kishte mbushur plot 78 vjeç. Katër vjet më vonë, pikërisht në vitin 1984, kur sa kishte mbushur 82 vjeç, Koço Tashko vdiq në vuajtje dhe në mjerim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura