U kap me mina, vëllai i Alketa Vejsiut hesht në gjyq. I ati shpërthen në lot

Oct 3, 2018 | 20:11
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Asnjë fjalë para trupës gjykuese, babai i tij shpërthen në lot para Gjykatës. Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Endrit Vejsiun, 29- vjeçarin nga Tirana, i cili u arrestuan tri ditë më parë pasi u kapën mina me telekomandë dhe lëndë narkotike në makinë.

Alketa-Vejsiu-Endrit-Vejsiu

Vejsiu ka dalë para togave të zeza rreth mesditës të së martës, ndërsa seanca gjyqësore u zhvilluar me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit të çështjes, sipas të cilit duhej të ruhej sekreti hetimor. Sipas burimeve brenda Gjykatës, 29-vjeçari nuk ka thënë asnjë fjalë, duke mos dhënë shpjegime për ngjarjen.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka paraqitur prova të mjaftueshme që, sipas tyre, implikojnë 29-vjeçarin në tregtinë e lëndëve plasëse të telekomanduara dhe se për të arritur deri te ndalimi i Endrit Vejsiut, ishte dashur dhe mbajtja nën survejim e tij.

endrit-vejsiu

Pasi ka dëgjuar palët, Gjykata e Lezhës e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e Vejsiut, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. 29- vjeçari është vëllai i prezantueses së njohur televizive, Alketa Vejsiu.

BABAI I TË RIUT SHPËRTHEN NË LOT

Gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë, jashtë ambienteve të Gjykatës është parë babai i 29-vjeçarit Endrit Vejsiu. Në momentin kur ky i fundit ka dalë nga Gjykata me pranga në duar, babai ka shpërthyer në lot, ndërsa fjalët e të birit ishin “Mos u mërzit babi”.

Pasi la ambientet e Gjykatës, Vejsiu është shoqëruar nga Policia drejt burgut të Shënkollit, ku do të qëndrojë në dhomat e paraburgimit të këtij institucioni deri në një vendim të dytë të Gjykatës apo deri në përfundim të hetimeve.

ARRESTIMI 

Ai u arrestua në një operacion të koduar “Telekomanda”, pasi në gomën rezervë të automjetit, që drejtonte, iu zbuluan 4 mina me telekomandë dhe 3 kg drogë e dyshuar si kanabis sativa. Ndalimi i 29-vjeçarit u bë në aksin rrugor MilotLezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, ku në mjetin e tij tip “Opel” në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu, Policia sekuestroi dhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.

Nga ana tjetër, Policia e Lezhës pavarësisht se pretendon se e ka mbajtur nën survejim 29-vjeçarin nga Tirana, që solli dhe arrestimin e tij në kushtet e flagrancës, nuk ka dhënë asnjë informacion se ku do t’i shiste i riu katër minat me telekomandë apo dhe lëndën narkotike që po transportonte. Gjithashtu, nuk është bërë asnjë arrestim tjetër si i përfshirë në këtë çështje.

Me dy akuzat e ngritura ndaj Endrit Vejsiut, nga ana e Prokurorisë së Lezhës, i riu rrezikon një dënim të rëndë me burg. Vetëm për lëndën narkotike, ai rrezikon nga 5 deri në 10 vite burg, kurse për veprën tjetër të lëndës plasëse mund të marrë një dënim nga 7 deri në 15 heqje lirie.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura