Turqia vërteton origjinën shqiptare të Skënderbeut/ Dokumentari turk: Si i mundi dy sulltanët e shek. XV! Studiuesi: U quajt Iskender Bey, si pasardhës i Aleksandrit të Madh

Oct 23, 2023 | 14:51
SHPËRNDAJE

shpetim kodraNGA SHPËTIM KODRA

Willy Kamsi: “Një popull që nuk e njeh të kaluarën e vet dhe nuk e mbron dhe nuk e ruan, s’ka indetitet” Shumë beteja të ashpra kanë zhvilluar shqiptarët kundër sundimit turk. Shumë kapedanë trima i ka përjetësuar historia.

Por, Skënderbeiada përbën epopenë më të lavdishme. Heroin tonë të madh e lanë pa varr e siç thuhet, eshtrat ia morën ushtarët turq për hajmali. Dh. Qiriazi: “Populli shqiptar ka mallkimin ‘varr mosgjendur’. Por, Skënderbeu është varrbekuar, varr kudogjendur”. Kadare: “Skënderbeu e ka varrin në gjakun e arbrit” (shqiptarit). Kohët e fundit, me dokumentarin turk për Skënderbeun, për armikun më të tmerrshëm të të dy sulltanëve turq, pas kaq shekujsh, kemi vlerësimim më të lartë të tij si strateg ushtarak. Sulltan Mehmeti II ka thënë: “Kurrë nuk ka për të dalë mbi tokë një luan i tillë”. Në pamundësi për ta mposhtur me luftë, Sulltani, me letrën e 6 majit 1461, i propozonte “vëllait të tij të dikurshëm”, disa kushte, në këmbim të paqes dhe për një “aleancë e bashkim të shpejtë”. Në letrën e 1 qershorit 1461, princi i epirotëve e i shqiptarëve, i përgjigjej: “Sa i përket dhënies peng të djalit tim, zemra e një babai dhe e një nëne nuk mund të përballojnë një sakrificë të tillë. Ti më fton për vizitë. Nuk mundem, sepse më duhet të drejtoj këtë komb krenar shqiptar, të zjarrtë e të pathyeshëm”.

Skënderbeu bën pjesë në Panteonin e Heronjve më të shquar të njerëzimit. U quajt Iskender Bey, si pasardhës i Aleksandrit të Madh; Princ i epirotëve, si pasues i Pirros dhe Gjergj Kastrioti, si Mbret i Arbërisë e i arbërorëve(shqiptarëve). Një personalitet i ndritshëm e unik, që mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe qytetërimin e Evropës nga vërshimi turk. Xhejms Volf: “Skënderbeu ua kalon të gjithë gjeneralëve, të vjetër e të sotëm, për udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Te personaliteti i tij shquhen: mendja vizionare, gjenialiteti ushtarak dhe karakteri popullor. Skënderbeu: “Unë do të jem mik i virtytit e jo i fatit”.

Pas shekujsh heshtjeje, ka ardhur dhurata e çmuar, një dokumentar realist, i saktë, i qartë e përmbledhës për betejat kryesore të Skënderbeut kundër dy sulltanëve të shek.XV, përgatitur nga Instituti i Studimeve Ushtarake, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, në vijim të serialit “Jetë luftëtarësh”. Rezistenca e princërve të Arbrit ndaj pushtuesve otomanë paraqitet si një sagë e lavdishme, edhe nga këndvështrimi historik i Turqisë. “Rezistenca e ushtrisë shqiptare, thuhet në film, e kishte futur në paranoja sulltan Mehmetin II, të njohur si El Fatih”. Ushtria më e fuqishme e kohës nuk arriti të mposhtë ushtrinë solide të princërve shqiptarë. Në dokumentar evidentohet qartë figura simbol e shpatës dhe e mendjes (inteligjencës) brilante të Heroit tonë, që mposhti e turpëroi, me forca të pakta, ushtritë e përtërira turke, në betejat e përvitshme drobitëse, duke na bërë krenarë e të vetëdijshëm për idealet e larta, që ata mishëruan.

Parimi themelor i historisë është pohimi i dokumentuar i së vërtetës. Dhe e vërteta ishte në dokumentet turke. Tashmë, janë sjellë 350.000 dokumente, nga më i vjetri që daton më 8 shkurt 1455 e deri në çerekun e parë të sh. XX. Priten të vijnë së shpejti po aq dokumente. Rezart Mezani (osmanolog): “Mundësia për të studiuar në Arkiv ka qenë për ne mjaft e rëndësishme. Aty ne kishim akses në të gjitha fushat e mundshme”. Ardit Bido: “Tashmë, në Arkivin tonë digjital të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave bëhen në tërësi 1 milion e 350.000 dokumente të periudhës osmane, së bashku me materialet që kishim më herët”. Mirëpritjen e mirëkuptimin me autoritetet e Bashkisë së Stambollit e prekëm edhe ne, si delegacion i Bashkisë së Durrësit, në tetor 1995, kur u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit nga të dy kryetarët e atëhershëm të bashkive respektive, nga z. Recep Tayyip Erdogan dhe z. Arqile Gorea.

Dokumentari turk vërteton përfundimisht origjinën shqiptare të Skënderbeut. Gjyshi i tij, Pal Kastrioti, kishte në zotërim fshatrat Sinë e Gardh i Poshtëm, në Dibër. Babai Gjon Kastrioti kishte në zotërim një zonë si Kruja, Mati, Mirdita e Dibra. Më 1421, mbante nën kotroll dhe Krujën. Për lashtësinë e Dibrës, për ekzistencën e fisit ilir të pirustëve, si dhe për një nivel të lartë të kulturës qytetare dëshmojnë reliket e zbuluara në luginën e Drinit të Zi, në Çidhnën e Poshtme, në Fushë Alie, në Kastriot etj. Neritan Ceka ka shkruar për vendbanime që i përkasin neolitikut të hershëm. Në librin “Ilirët”, N. Ceka flet për qytetin e famshëm të Demastionit dhe minierat e arit. Ptolemeu në shek. II Dibrën e quan Deburus. Skënderbeu nuk qe një fenomen i vetmuar e i rastësishëm. Dibra ka nxjerrë mendimtarë e kryeluftëtarë të mëdhenj, me rezonancë kombëtare. Nga 29 betejat që zhvilloi me turqit Skënderbeu, 17 më të rëndësishmet e më të përgjakshmet i zhvilloi në Dibër, ku kishte burimin e ushtrisë e të disa prej komandantëve të tij më të njohur. Ushtria turke pati gjatë luftërave 108.000 të vrarë, Skënderbeu 15.000.

Në fillim të dokumentarit turk pohohet që Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) ka lindur në Sinë të Dibrës më 6 maj 1405. Pas humbjes me turqit, Gjon Kastrioti u detyrua ta dërgojë peng, në oborrin e sulltanit Gjergjin në vitin 1423, pra në moshën 18-vjeçare. Deri më 1431, ai mori edukimin e përgjithshëm. 1431 -1437, mori edukimin ushtarak e u emërua spahi (kalorës). Më 1437, subash e guvernator, (vali) i Dibrës. Më 1443, u kthye nga Nishi, duke projektuar “hakmarrjen për familjen dhe për vendin e tij”, thuhet në film. Përshkruhen, me shifra, datat e zhvillimit të betejave, forcat ndërluftuese dhe strategjia e suksesshme, me taktikat përherë të ndryshme, sipas kushteve, që kishte ndjekur Skënderbeu. Fenomen i papërsërit të betejave, forcat ndërluftuese dhe strategjia e suksesshme, me taktikat përherë të ndryshme, sipas kushteve, që kishte ndjekur Skënderbeu. Fenomen i papërsëritshëm, frymëzim për brezat.

Sipas Nelson Çabejt, dy boshtet madhore të ideologjisë sonë kombëtare, prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve, si dhe epopeja epike e luftës kundër turqve në shek. XV, nën udhëheqjen e Skënderbeut, janë bërë dy objektet kryesore të kërkesës për çmitizim. Për epërsinë e tezës mbi prejardhjen ilire, në artikullin “M. Mema dhe misioni i gazetarit në demokraci”, kam nënvizuar që janë shprehur shumica e albanologëve më të shquar në botë, bazuar dhe në kërkimet shkencore më të fundit të arkeologëve, historianëve e linguistëve, në katedrat e shqipes në botë. Sa i takon tezës për prejardhjen pellazge, historiania Mimoza Kore shprehet: “Historianët, G. Glotz e R. Cohen, sigurojnë që ‘pellazgët nuk janë popull indoevropian'”. Seit Mansaku: “Teza e prejardhjes pellazgjike, e lidhur me origjinën e përbashkët të grekëve e shqiptarëve, i ka shërbyer politikës asimiluese greke ndaj arvanitasve, që ata të mos përpiqen të ruajnë identitetin etnik e gjuhësor”. Shaban Murati: “Më 30.11.2022, në mesazhin e urimit për festën kombëtare të Shqipërisë, drejtuar ambasadores shqiptare në Greqi, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, është shprehur që ‘Skënderbeu është hero i popujve grek e shqiptar’. Verdikti qeveritar grek përzien një urim e një provokim. ‘Timeo danaos et dona ferentes’ (Ruhu nga grekët, edhe kur te sjellin dhurata)”. Asnjë reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, apo Akademia jonë e Shkencave. Për qëllime politike shtrembërohen faktet historike.

Kristo Papas i Agimit të Artë ka thënë: “Georgis Kastriotis është grek”. Albanologu Titos Jochalas është shprehur se “Skënderbeu është edhe hero i grekëve”. Kurse, Mihalopuli ka shkrimin “Historia e Gjergj Kastriotit, Mbret i Shqipërisë”. Në një pamflet të gjatë Thimi Mitko polemizon me historianin grek Kostandinos Paparigopolous, sipas të cilit Skënderbeu është me origjinë sllave.

Th. Mitko: “Skënderbeu, jo vetëm ka gjak shqiptari, por është dhe idhull frymëzues për shqiptarët. Hero mbi heronj”. Frang Bardhi tek “Apologjia e Skënderbeut” (1636) e quan “gënjeshtar përrallash” Jan Tomkun, i cili thotë se Skënderbeu ishte biri i Joanis Marknaviqit. Teodosis ka shkruar “Histori për Gjergj Crnojeviq-Skënderbeun” (1778), ku, me kërkesë të kishës ortodokse, synohet serbizimi i historisë shqiptare. Vuk Drashkoviç i quan serbë prindët e Skënderbeut. O. Schmitt e quan Gjonin, atin e Skënderbeut Ivan a Johan, duke përsëritur tezat e B. Petrovskit. Kurse, humanisti Volaterrano e quan Gjon Dibrani. Përsa i përket tezës që “Vojsavë Tribalda, ish-sllave”, Artan Shkreli shprehet: “Tribalët ishin një fis i lashtë ilir. Ata vijojnë të përmenden në Mesjetë nga Stefan Bizantini, ende si ilirë në shek. VI, pra para vendosjes së sllavëve në Ballkanin perëndimor”. Gjon Muzaka në “Memorien” e tij të vitit 1510 shkruan: “Vojsavë Tripalda e Pollogut ishte shqiptare nga familja e Muzakajve, bijë e kryezotit të Pollogut”. Jireçek e quan Pollogun, Tetovën e sotme, tokë ilire. Gjon Muzaka dëshmon dhe lashtësinë e flamurit që nga viti 1372.

Olivera Milosavleviç: “Sot, shqiptarët konsiderohen si ‘armiqtë’ më të mëdhënj të serbëve. Ata nuk kanë aftësi civilizuese për organizimin e shtetit të pavarur dhe produkti i stereotipit të fundit është argumenti që Skënderbeu është serb”. Manipulime, falsifikime të shumëllojshme. Por, mitet dhe simbolet e kombit, si Skënderbeu, ushqejnë ndërgjegjen kombëtare dhe jetojnë pa kufi. N. Çabej: “Lufta për ‘demontimin’ e mitit kombëtar shqiptar, është lufta për të mohuar identitetin dhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve”. Kadare: “Çmitizuesit e Skënderbeut kanë kërkuar, jo prekjen e tij, por thjesht ndërrimin e përkatësisë etnike”. Sa janë lodhur apatridët, apo detraktorët vendas për ta ulur nga piedestali Heroin tonë kombëtar”. Didëro: “Shpifësi është një nga kafshët më të egra, më të ndyra e më gjakpirëse të shoqërisë”.

Te “Mosmarrëveshja” Kadareja shkruan: “Te ‘Mekami’ Heroi i parë i shqiptarëve trajtohet si një hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Është hedhur hije e zezë nga rimohuesit (albanologët e rinj) mbi gjithçka të shpallur si vlerë morale dhe kulturore të kombit tonë: mbi zanafillën ilire të shqipes e të shqiptarëve, si dhe mbi Skënderbeun.

Kundërshqiptarizmi shpallej si doktrinë gati kombëtare. Kurse ministrat e Jashtëm të Shqipërisë ‘londineze’, gjatë vizitave të zyrtarëve turq, si kujdes kryesor kishin heqjen e bustit të Skënderbeut nga holli i pritjeve. Donkishoteske. Kur politikanët nuk promovojnë simbolet e Kombit, nuk respektojnë dinjitetin e tyre dhe të vendit, si mund të pretendojnë respektin nga fqinjët?! Te ‘Nën hajat të Parrizit’ (1914), Fishta sjell një dialog mes Skënderbeut e Djallit. Skënderbeu: ‘Si janë pra shqyptarët? Djalli: Si i don anmiku! Gjergj, shqiptarët duan të të rrëzojnë’! Pra, jo turqit osmanë, me taboret e pafundme të jeniçerëve.

Jo grekët e palodhur që, duke tundur kryqin, mallkonin çdo gjë shqiptare. As serbët fanatikë që, bashkë me kryqin, tundnin thikat, por vetë shqiptarët, më saktë rimohuesit shqiptarë, donin të përmbysnin atë që dukej i papërmbysshëm”. Kadare: “Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit, do të thotë të bësh sulme kundër konceptit të lirisë. Çmitizimi i tij është një nga turpet e kombit shqiptar”. Dy simbolet e kombit, Skënderbeu me epopenë e shek. XV dhe Kadareja me veprën e tij të sotme letrare, e kanë nderuar Shqipërinë në të gjithë botën. Megjithatë, politikanë të caktuar kanë lobuar kundër Kadaresë për marrjen e çmimit “Nobel” në letërsi. Holland: “Kadare, profet i Shqipërisë, humanist i madh, avokat i Shqipërisë e i Evropës”.

Macron, Kadaresë: “Ju jeni poet i Ballkanit, rapsod e frymëzues i Evropës, lajmëtar i lirisë”.

Skënderbeut iu desh të përballet edhe me sfida të paparashikuara e të rënda, me tradhti e me konflikte me pasoja të rënda. Tragjedia “Skënderbeu” e E. Haxhiademit, me subjekt nga dasma e Mamicës (26 janar 1445). Te “Mosmarrëveshja” Kadare shkruan: “Në prolog të dasmës, fejesa e Mamicës me Muzak Topinë, i ndarë nga Zanfina (motra e Gjon Muzakës), kishte shkaktuar re të zeza, që do të jepnin stuhinë në epilog. Ftohja e më pas tradhtia e M. Golemit sollën humbjen tragjike në Berat (26.7.1455)”. Episodi tjetër tragjik ka pikënisje konfliktin e Lekë Zaharisë me Lekë Dukagjinin për Jerina Dushmanin, që përfundoi me 100 të vrarë dhe me dorëzimin e Danjës te venedikasit, pas vrasjes në pritë të Lekë Zaharisë. Dokumentari turk për Skënderbeun, dokumentari “Mbreti luftëtar”, me skenar të Nua Gjelajt, projektuar në Neë York. Veprat për Skënderbeun dhe bashkëpunimi i historianëve të sotëm si Fatos Daci, Ardit Bido etj., mund të realizonin një skenar të shkëlqyer, intrigues e tejet interesant, për një film të prodhuar në Hollivud. Ashtu si për dokumentarin, komuniteti i madh shqiptar, me siguri do të kontribuonte financiarisht. Një film i tillë do të sfidonte edhe filma si “Helena e Trojës”, apo “Beteja e Vaterlosë” etj., për faktin se, krahas betejave legjendare për nga strategjia, intensiteti dhe heroizmi do të plotësohej dhe me episodet tragjike, por të vërteta të mësipërme, si dhe me tradhtitë e H. Kastriotit, Moisi Golemit, apo me rikthimin e këtij të fundit te Skënderbeu. Do të ishte terheqës e interesant. Arkivat greke e serbe fshehin shumë dokumente historike me vlerë për shqiptarët.

Kasetat me dokumentarin turk që mund t’u dërgohen miqësisht qeverive fqinje, shpresojmë të shërbejë si model për mendjehapurit në Greqi e Serbi, ku nuk mungojnë. Ata përpiqen për të mposhtur mendjembyllurit alla Koletis e alla Grashanin, për të pranuar edhe shtetërisht të vërtetën mbi trojet etnike shqiptare, mbi origjinën ilire të shqipes e të shqiptarëve, mbi spastrimet etnike apo genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve. Nikos Dimou: “Grekët gjithnjë i kanë shtrembëruar faktet në librat shkollore, duke u transmetuar brezave të vërteta të rreme. Patriot është ai që përpiqet të evidentojë e të korrigjojë gjërat e gabuara”. Çedomir Petroviq: “Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim kundër popullit shqiptar. Dëshiroj që serbët dhe shqiptarët të nisin një jetë të qetë e të sigurtë së bashku. Të shohim të ardhmen në BE, ku do të takohen Kosova e Shqipëria”.

Jo mbi hipokrizinë, mashtrimet, apo servilizmin (material skarco), të politikanëve, por vetëm mbi të vërtetat historike, mund të ndërtohen e qëndrojnë si duhet urat e bashkëpunimit të sinqertë e të ndërsjelltë në Evropën e Bashkuar. Shpresojmë të inaugurohet së shpejti Rruga e Arbrit dhe të gjenden para, që të investohet në ambjentet e fshatit dhe të ndërtohet një muze sa më i bukur për Kastriotët në Sinë (Dibër). Të mos mbetet vetëm me inisiativën e të nderuarit dhe të përkushtuarit, patriot e idealist Fuat Daci, apo të individëve që e ndjekin, por të investohet nga shteti, që të rritet turizmi kulturor, i cili është aq i rëndësishëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura