‘Tufëzoni gomerët, kemi mashtruar partinë’/ Ish-drejtuesja e Parlamentit zbulon urdhrin që tronditi Dropullin dhe përplasjen e ashpër me sekretarin e parë. Vitori Çuri: Bisedoja greqisht me Enverin. Befasoi edhe…

Sep 28, 2022 | 19:30
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

vitorie curri dhe ramiz alia ne dervican

“Ishte fillimi i viteve ‘80, kur raportuam për tufëzimin e bagëtive. Dropulli në këtë aksion ishte ndër të parët. Në pak muaj futëm në tufa kolektive delet, lopët e qengjat dhe kur prisnim përgëzime, na plasën shuplakën: ‘Pse nuk keni tufëzuar gomarët!’”.

Ky moment disi komik në rrëfimin e Vitori Çurit vjen natyrshëm, megjithëse me një dozë rezerve kur vjen puna tek emri i zyrtarit që i ka qortuar. Fakti që ngjarja ka për protagonist ish-sekretarin e Parë të Rrethit, i mjafton t’i përmendë vetëm funksionin. Pastaj risjell me detaje ndërhyrjen e tij, që e tipizon me fjalën greke “Parathoksos”, që do të thotë paradoks, absurditet.

“E hoqi rruga dhe erdhi një ditë sekretari i Parë në Dervician. Do bënte një takim me mësuesit e zonës. Sa u fut në qendër të fshatit, u habit nga tufa e gomarëve përqark dhe harroi objektin e mbledhjes. U nxeh menjëherë dhe duke u hakërryer me ashpërsi u shpreh: “Kemi thënë se kemi tufëzuar gjithçka, po paskemi taborë me gomarë jashtë tufave kolektive”. Foli e foli dhe i ra tavolinës me grusht. “Kemi mashtruar partinë”, shtoi dhe porositi instruktorin që kishte me vete për urdhëruar tufëzimin e gomarëve brenda 24 orëve. E kujton me detaje këtë ngjarje ish-drejtuesja e Parlamentit komunist, se gjatë kësaj përplasje me sekretarin e parë, i shoqi u penalizua me largimin nga puna si mësues.

Përtej këtij momenti, Çuri tregon për “Panorama” disa aspekte të panjohura nga praktika e Parlamentit komunist dhe rolin e saj si përfaqësuese e minoritetit grek në të. Bisedat në greqisht me Enverin në pushimin e seancave kanë qenë nga episodet më të ndjera për të moshuarën, e cila ka çmuar, siç thotë, artikulimin e shkëlqyer që diktatori i bënte gjuhës së saj….

Zonja Vitori! Kur u zgjodhët deputete, siç pohuat, nuk dinit shqip. Si mundët të përmbushnit detyrën e përfaqësueses së zonës së minoritetit në një Parlament ku të gjitha procedurat ishin në gjuhën shqipe?

Në fakt, kur u zgjodha për herë të parë deputete në vitin ‘74, pothuajse nuk dija shqip fare, me përjashtim të disa fjalëve të zakonshme të komunikimit të përditshëm. Fillimisht administrata më ndihmoi me një përkthyes, nëpërmjet të cilit merrja vesh për çfarë diskutohej gjatë seancave parlamentare. Më vonë, kur u zgjodha nënkryetare e Kryesisë së Kuvendit, u desh që të kumtoja vetë në foltoren e Kuvendit. Këtu përkthyesi nuk bënte më punë…

Pra, filluat të flisni greqisht në Parlament…

Greqisht nuk kam folur asnjëherë në Kuvend, madje as në mbledhjet e ngushta të komisioneve parlamentare nuk e kam përdorur gjuhën e nënës.

Atëherë…

Komunikoja me një metodë të veçantë. Ajo sot mund të duket qesharake, por në atë kohë ma imponoi nevoja dhe u bëra skllave e saj. Fillimisht e konceptoja diskutimin në greqisht, e rishkruaja disa herë dhe kur i jepja dorën e fundit e hidhja në letër të pastër me germa të mëdha. Në Kuvend, kur diskutoja nuk bëja gjë tjetër vetëm leximin e fjalëve shqip të formuluara me germa greke. Kuptohet kishte vështirësi, por me kalimin e kohës ia mora dorën dhe gati nuk e merrte vesh njeri që teksti që artikuloja nuk ishte me germa shqip…

Kishte ndodhur ta ndërprisje diskutimin në mes?

Kishte raste që ngecesha për një moment, por aty për aty e rimerrja radhën e mendimit pa rënë në sy të sallës. Shumë herë ky defekt humbiste në theksin e veçantë që i japim shqipes ne minoritarët. Sidoqoftë, kam kaluar dhe situata kritike. Mbaj mend një të tillë në Kongresin e Kooperativave Bujqësore. Më kishin caktuar të diskutoja e dyta. Në fillim hezitova. Më thanë se ishte porosi e Enverit. U ngrita duke artikuluar me metodën time. Një çast, kur lexoja pjesën për kapërcimin e vështirësive nga bllokada e jashtme, ngeca te fjala vështirësi. Mbi tre-katër herë u riktheva te rrokjet “Vëshi…” Vështri…” bile pa e qartësuar akoma vazhdova më tej. Si mbarova, erdhi e më takoi Enveri. “Të lumtë,- më tha në greqisht. – Ti di jo vetëm të flasësh bukur, por mbi të gjitha di të punosh bukur”…

Pse dinte greqisht Enveri…

Me Enverin kam komunikuar në greqisht në të gjitha takimet që kam pasur. Ai e dinte gjuhën greke sa dhe unë. Po, po, e përvetësonte mjaft mirë. Sa herë bisedoja me të gjatë pushimit të seancave parlamentare, asnjëherë nuk kemi folur shqip, por greqisht. Kam dhe një histori tjetër me greqishten e Enverit. Gjatë vizitës në Grapsh në ‘78, u organizua një takim i veçantë me kuadrot e Dropullit. I lajmëruam ata dhe u mblodhën në një sallë. Ende pa ardhur Enveri, më thanë se ndjeheshin keq pasi pjesa më e madhe nuk dinte shqip. Flisni greqisht, u thashë, se Enveri e di mirë gjuhën tonë. Ata u befasuan për një çast. Filloi takimi. Fund e krye biseda u bë në greqisht. Kjo ishte befasuese për ta…

Po gjatë takimeve me delegacione të huaja, në çfarë gjuhe komunikoje?

Kishte shumë delegacione që venin e vinin, por të them të drejtën prania ime në takimet me to ishte shumë e formale. Aty gjithçka bëhej në shqip dhe pastaj përkthehej. Unë kuptoja aq sa mundesha, bile dhe kur dikush më pyeste për diçka, përgjigjen e jepja në shqip dhe përkthyesi bënte punën e tij…

Kështu edhe kur shkonit me delegacione jashtë vendit…

E vërteta është se për 16 vite sa kam qenë në këtë detyrë, asnjëherë nuk kam pasur rastin të dal jashtë shtetit. Bile dhe një herë që u bëra gati për të udhëtuar me një delegacion për në Kinë, se si erdhi puna dhe ditën e fundit më ndërruan me një tjetër…

As në Greqi nuk keni shkuar?

Mos ma zër në gojë atë vizitën e Greqisë, se kam një histori jo të këndshme me të. Ftesën e parë nga Athina ma ka bërë gazetari i njohur grek Pandeli Pandelio. Pata rastin ta takoj kur ishte për herë të parë në Shqipëri. Erdhi deri në Dervician për të biseduar me mua. I dhashë një intervistë për trajtimin e minoritetit. Në fund më pyeti nëse kisha dëshirë të vizitoja Greqinë. Do ta mirëprisja një ftesë të tillë, i thashë. Iku Pandeliu dhe kur kisha harruar çfarë kisha fol me të, më thirri me urgjencë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë. Po ti, më tha qortueshëm, ke kërkuar të shkosh në Greqi. Mbeta ngushtë dhe nuk dija çfarë t’i thosha. Nuk mbaj mend si iu përgjigja atë moment, por me sa konstatova, lajmi nga Athina nuk ishte pritur mirë në linjë partie. Mjaftoi ky sinjal për ta kaluar në harresë punën e Greqisë. Kaluan kështu 10-15 ditë. Në krye të muajit, gjatë një aktivi partie në Goranxi, veç kur doli prapë…

Si e kishte marrë vesh Sekretari i Parë ftesën për të vizituar Greqinë, kur ajo nuk kishte mbërritur akoma te ju?

Ftesa kishte ardhur në rrugë zyrtare në Tiranë. Që aty kishte filluar lëvizja. Pastaj çështja i ishte besuar Sekretarit të Parë. Atij i kishin çuar dhe revistën ku Panajot Pandelio kishte botuar intervistën me mua. Me sa duket, paragrafi i fundit të saj me përgjigjen pohuese ndaj kërkesës së Panajotit nëse kisha dëshirë për të vizituar Athinën, ishte vlerësuar negativisht nga strukturat e larta partiake…

Përfundimisht u kalua në harresë ftesa për të vizituar Athinën?

E harrova unë, por procedurat zyrtare nuk mund të mbylleshin lehtë. Ftesa vërtet ishte personale, por protokolli i vendit fqinj duke respektuar pozicionin zyrtar që kisha, e mbante të hapur për sa kohë nuk kishte një përgjigje. Këtë me sa dukej e dinin mirë ustallarët e Tiranës dhe i dhanë rrugë me format e tyre. U ndjeva keq kur e mora vesh, por çfarë të bëja. Ma tha njëri nga sekretarët e Komitetit të Partisë në atë aktivin e Goranxisë. Më ftoi për kafe gjatë një pushimi dhe në konfidencë më njohu me përmbajtjen e një telegrami që i adresohej Athinës në emrin tim. Po, po, bile në fund ishte hedhur dhe një shkarravinë në vend të firmës sime. Po çfarë shkruhej në të? Gjoja sikur unë për momentin isha e zënë me angazhime të rëndësishme dhe nuk mund të shkëputesha. Në rastin më të parë që do më krijohet mundësia, mbyllej telegrami me nënshkrimin e sajuar, do të vizitoj Greqinë. Kishte edhe datën, e cila i korrespondonte një muaji më parë. Çfarë është kjo?, i thashë sekretarit të Partisë pa e fshehur fyerjen. Në të mirë të punës, të Partisë, reagoi ai me një ton serioz. Pse unë kukull jam, shtova e revoltuar. Sakaq filloi të më tregojë për anën delikate çështjes, për praktikën që ishte ndjekur me ambasadën greke dhe për t’i vënë kapak e mbylli me porosinë e veçantë, që sipas tij kishte dhënë Ramiz Alia për këtë procedurë. Me kaq mori fund historia e ftesës për të vizituar Athinën…

Keni përjetuar raste të tjera të kësaj natyre?

Në njëfarë kuptimi unë kam qenë pjesë e strukturave drejtuese të sistemit të kaluar, pavarësisht se deri ku më dëgjohej fjala dhe nuk më shkon të bëj tani të pakënaqurën apo disidentin, siç i thonë asaj fjalës. Fakti është se sjellje të tilla ishin si të thuash bashkudhëtare të asaj kohe. Kishte bile dhe më të çuditshme se puna e ftesës së Athinës. “Parathoksos”, i themi në greqisht. Nuk më kujtohet si i thonë në shqip shprehjes që tregon për vendime e veprime të mbrapshta e të pamenduara që krijojnë pasoja. Diku afër në mos gabohem me fjalën marrëzi…

Si ish-funksionare e lartë, që bënit ndërkohë jetën e fshatares së thjeshtë, si i përjetonit këto sjellje të pamenduara?

Shpirtërisht, të them të drejtën, nuk jam pajtuar asnjëherë, por kam menduar se me kalimin e kohës do të evitoheshin. Në fshat, sidomos vitet e fundit të regjimit, sjellje të kësaj natyre arritën kulmin. Çfarë nuk hoqën në kurriz fshatrat e gjorë. Nuk e di a u kujtohet fushata e famshme e tufëzimit aty nga fillimi i viteve ‘80. Na morën lopët, delet, pulat, qengjat dhe o burra “ta bëjmë fshatin si qyteti”. U bëmë njëlloj vërtet, por për nga fukarallëku, jo nga qytetërimi. Kriza për qumështin, djathin e mishin pushtoi qytetin e fshatin bashkë. Ajo u shfaq që në muajt të parë të aksionit fantazmë. Pati reagime kritike, u dëgjuan zëra, u ekspozua defekti, por për kiamet se e mori njeri mundimin për të reflektuar. Bile kur menduam se diçka mund të korrigjohej, udhëheqja u kujtua se kishin mbetur pa tufëzuar dhe gomarët(!). Në Dervician atëherë, gomarët përdoreshin masivisht jo vetëm si kafshë pune, por edhe në rolin e biçikletës si nga gratë, edhe nga burrat. Bëheshin rreth 200-300 të tillë në mos gabohem. Prania e tyre binte në sy sa futeshe në Dervician. Në zonën e Gjirokastrës ishte futur në zhargonin e përditshëm shprehja “si gomarët e Dervicianit”. Po ndodhi një ditë që me fatin e tyre u mor drejtpërdrejt sekretari i parë i Rrethit dhe plasi një zallamahi jo e vogël…

Pra, sekretari i parë urdhëroi tufëzimin e gomarëve të Dervicianit dhe i futi në vathë…

Është një ngjarje disi komike kjo puna e tufëzimit të gomarëve në ‘82-in. Ishte koha kur rrethi i Gjirokastrës kishte raportuar i pari në shkallë vendi përfundimin e tufëzimit të bagëtive. E hoqi rruga një ditë sekretarin e Parë në Dervician. Në mos gabohem, vinte për të marrë pjesë në një takim me arsimtarët e zonës. Sa hyri në qendër të fshatit, i ra në sy tufa e gomarëve që kulloste rreth e qark. Për një moment harroi objektin e mbledhjes dhe filloi të hakërrehej me ashpërsi: “I kemi raportuar partisë se kemi kolektivizuar gjithçka, kur paskemi taborë me gomarë jashtë tufave kolektive”. Foli e foli dhe kur pa që nuk i ndërhyri njëri u ngrit dhe i ra tavolinës me grusht. “Kemi mashtruar partinë”, tha dhe aty për aty porositi zyrtarin që kishte në krahë për urdhëruar tufëzimin e gomarëve brenda 24 orëve. Pas një pauze të shkurtër, u çua im shoq, Dhimitri dhe sugjeroi për ta parë më me kujdes çështjen, pasi me tufëzimin e gomarëve do të rëndoheshin me punë gratë e fshatit dhe do fillonin të ngarkoheshin si qëmoti. “Ç’janë këto broçkulla”, qortoi sekretari i parë. Po u nxeh dhe Dhimitri që nuk ta përtonte kur i hipte në kokë. “Ti po saboton direktivën e Partisë”, iu hakërrye sekretari i partisë dhe sa mori vesh që ishte arsimtar i komunikoi pushimin e nga puna…

Kush ishte ky sekretari i Partisë që bëri kiametin për gomarët e Dervicianit?

Janë gjëra të kaluara këto e nuk mendoj se është me interes t’i lakoj me emra personazhet e tyre. Të thashë se aty urdhëroi pezullimin nga puna të tim shoqi. Të nesërmen bashkë me sekretarin e parë, ndoqëm një mbledhje në brigadën e vreshtave në Peshkëpi. Përplasja për punën e gomarëve një ditë më parë ishte hapur me bujë që atë mbrëmje. Dikush e zuri në gojë edhe aty, kuptohet larg e larg. Një tjetër me takt i kujtoi sekretarit të Parë se mësuesi, që kishte pezulluar nga puna në Dervician ishte burri i shoqes Vito. Pastaj biseda mori rrjedhë tjetër dhe filluam të flasim për problemet e frutikulturës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura