Tregu i patates në Holandë “shembet brenda natës”

Apr 3, 2020 | 23:04
SHPËRNDAJE

Tani është sezoni i mbjelljes së patates, por shumë fermerë holandezë po përballen me një mal me probleme për shkak se u kanë mbetur një milion ton patate nga sezoni i kaluar si pasojë e shpërthimit të koronavirusit.

patate

Restorantet në Holandë, një pjesë e madhe e të cilëve shërbejnë patate të skuqura, janë mbyllur që nga mesi i marsit, me një ndalim të tubimeve publike të zgjatur së paku deri më 1 qershor. Me mbylljen e tyre, tregu i patateve u shemb brenda natës.

“Ky është një sezon dramatik, një kthesë e ngjarjeve që askush nuk mund ta parashikonte,” tha Dirk de Heer nga ferma e tij në Beemster, në Holandën e Veriut.

De Heer thotë se ai po i shet të korrat e tij një fermeri të qumështit për 0.01 euro për kilogram, në vend të 18 centëve që ai kishte shpresuar t’i shiste, shkruan “Reuters”.

De Heer është një nga rreth një mijë fermerë në Holandë në të njëjtën situatë.

Prodhimi i patates ushqimore në Holandë është afërsisht 4 milion ton në vit, nga të cilat një e katërta eksportohet.

Organizata bujqësore e vendit LTO vlerëson dëmet nga shpërthimi i virusit deri më tani në 6 miliardë euro. Kriza ka goditur rëndë edhe industrinë e luleve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura