Tmerri në Laç, si humbën jetën nën ujë dy arsimtarët

Nov 20, 2014 | 11:40
SHPËRNDAJE

Gjon Kola, Dorentina Kola
Banorët e Laçit nuk e kanë marrë veten nga fatkeqësitë e mbrëmjes së të martës, kur 3 veta humbën jetën nga përmbytjet.
Arsimtarët e këtij qyteti, Gjon e Dorentina Kola, babë e bijë, si dhe një djalë 21 vjeç u përpinë nga uji sa hap e mbyll sytë nga vërshimi në mënyrë të menjëhershme i përrenjve.
Rreth orës 18:00 u shënua tragjedia në Laç, kur babë e bijë u morën nga rrjedha e ujit dhe nuk patën asnjë mundësi shpëtimi. Reshjet e dendura sollën prurje të mëdha pasditen e 18 nëntorit, duke çarë argjinaturën e përroit që kalon përmes qytetit.
Banorët e Lagjes 4 tregojnë se as Gjoni 64-vjeçar apo e bija e tij 30-vjeçare nuk e kishin parashikuar së çfarë do të ngjante brenda pak sekondash. Sipas dëshmisë së dhënë nga të afërmit e viktimave, Dorentina, mësuese e kimie në një shkollë 9-vjeçare në Kurbin, ka parë nga dritarja vërshimin e ujit dhe ka thirrur të atin që të largonte mjetin për t’i shpëtuar përmbytjes. Gjon Kola ka dalë jashtë dhe ka hyrë menjëherë në mjet për ta larguar. Ai ka hipur në mjet, ndërsa vajza ka dashur ta ndihmojë duke shtyrë makinën, por në ato momente është çarë argjinatura dhe dallga e madhe e ujit i ka marrë para. Automjeti është çuar nga rrjedha rreth 800 metra më poshtë, duke i shkaktuar vdekjen në vend 64-vjeçarit të asfiksuar nga uji, ndërsa vajza u zhduk. Janë dashur mbi 6 orë operacion i forcave të policisë, të mbështetur edhe nga ushtria, për të bërë të mundur gjetjen e trupit të saj. Rreth orës 01:00 është arritur të gjendet trupi i vajzës, në Sanxhak, rreth 5 km larg nga vendi i ngjarjes. Banorë e të afërm të familjes Kola thonë se nuk ka ndodhur më parë që përroi të rrezikojë jetën e tyre. Fatkeqësia është e dyfishtë në familjen Kola dhe në mbarë qytetin, që e njihnin Gjon Kolën si ish-drejtor i shkollës “At
Gjatë transportimit me kamion të trupit të Liman Ballokut
Shtjefën Gjeçovi” dhe sot në pension, bashkë me të bijën arsimtare.
Një tjetër ngjarje tragjike nga moti i keq me pasojë vdekjen e një 21-vjeçari ndodhi në Skuraj të Kurbinit. Viktima Liman Balloku ishte pasagjer në motorin e 15-vjeçarit G. N. kur ranë në ujë. “Shkuan në Milot për të parë ndeshjen e futbollit. Ura ka qenë në rregull. Pasi ka mbaruar sporti ata kanë dashur të kthehen për në shtëpi dhe kanë menduar se ura është në rregull. Drejtuesi i motoçikletës ka dalë dhe nuk ka marrë dëmtime, ndërsa 21-vjeçarin e ka marrë rrjedha e ujit dhe e kemi gjetur pas një ore. Kam qenë unë i pari që kam mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kam njoftuar policinë”, tha Mark Nikolli, banor i zonës.
Sikur të mos mjaftonte tragjedia për familjen Balloku, që humbi djalin e vetëm, trupi i viktimës ka qëndruar për rreth 15 orë në morg pasi shembja e urës kishte izoluar fshatin e për rrjedhojë arkivoli me trupin nuk kishin nga të kalonin. Kërkesa e vazhdueshme e familjarëve pushtetit qendror ka rënë në vesh të shurdhër, derisa Komuna e Milotit së bashku me Këshillin e Qarkut të Lezhës kanë dërguar një mjet të tonazhit të rëndë “IFA” për të bërë të mundur transportin e viktimës.

Banori: Gruaja u rrëzua pa ndjenja
Dita e djeshme në Lezhë ka qenë e rënduar pas përmbytjeve masive të mbrëmjes së 18 nëntorit. Ndonëse në disa zona uji është tërhequr, sërish ka banesa të përmbytura. Më të prekura nga këto përmbytje janë komunat: Kolsh, Shëngjin, Zejmen, Blinisht si dhe vetë qyteti i Lezhës. Banorët thonë se kjo situatë nuk është parë prej dekadash, edhe se ka ardhur nga mosndërhyrje në pritat malore dhe kanalet kulluese. Një nga familjet më të prekura nga përmbytjet është familja e Jak Përgjinit në Manati të Lezhës, ku niveli i ujit në banesë ka arritur 1 metër. “Gruaja u mundua që të dalë, por rrjedha e ujit e ka rrëzuar. Pa ndjenja e kam dërguar në spital. Jemi vetëm në fillim të stinës së reshjeve dhe kjo ç’ka ndodhi na ka frikësuar shumë, pasi e vetmja zgjidhje është të dalim dhe të jetojmë në mal”, thotë Jak Përgjini.

LAÇ/ ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura