Tirana e panjohur e foks-trot-it dhe shtëpive publike

Feb 24, 2014 | 13:47
SHPËRNDAJE

Mes viteve ‘20-’40, Tirana kishte fusha tenisi, salla kërcimi, ku nisën të shkonin femrat e para guximtare. Më pas do të ishin vetë princeshat, motrat e Mbretit Zog, që do të bëheshin patroneshat e arteve e sporteve. Por Tirana ishte edhe qyteti i shtëpive publike. Studiuesi Spiro Mëhilli i numëron të gjitha, ato më me famë, madje na tregon se cilat ishin prostitutat më të njohura të kohës

“Më e lavdishmja në rrjedhën e historisë”. Kështu e përcakton studiuesi Spiro Mëhilli periudhën 1920-1944 në Shqipëri. U ka kushtuar këtyre viteve një libër të posaçëm, duke u marrë me Tiranën në të gjitha dimensionet. Që nga themelimi i qytetit, të gjitha rrugët, të gjitha sheshet, pazaret e njerëzit e rëndësishëm që bënë historinë. Natyrisht që për këtë ka punuar gjatë në Arkivin e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, si dhe mbi libra e dokumentacione të tjera që mund ta paraqisnin panoramën sa më të plotë, sikundër ka qenë. Po shkëpusim në këto radhë vetëm disa pika të tyre, ato që parë nga sot, duket sikur nuk ekzistojnë, mbase pse njerëzit janë “dhunuar” gjatë për të mos i përmendur më. Komunizmi harroi gjithë çka kishte qenë prezent më pas. E luftoi, e vrau, ama, siç thonë nën zë njerëz që qenë pjesë të tij, nuk arriti asnjëherë t’i zhdukë përfundimisht. Madje, i pati edhe aty, në “oborrin” e tij.  Sidoqoftë, kjo nuk është ajo me çka po ju njohim sot. Nëse vetëm këto vitet e fundit keni nisur të dëgjoni për zhanre të ndryshme të kërcimit, dijeni që kanë qenë qysh në vitet ’30. Shtëpitë publike, “plaga” e të gjitha kohërave, gjithashtu. Në detaje, Spiro Mëhilli i pasqyron të gjitha…

Shtëpitë publike në Tiranë
Edhe Tirana, si shumë qytete në mbarë botën, nuk mund të shpëtonte nga plaga e prostitucionit, dukuri e lindur që në hapat e parë të njerëzimit. Nuk mund të them se kur filloi  ekzaktësisht. Interesant është një fakt se shtëpia e parë publike në Shqipëri është hapur në vitin 1912, në një fshat të rrethit të Gjirokastrës. Për sa i përket Tiranës, në vitin 1927, kur qyteti kishte rreth 17000 banorë, jo vetëm që diskutohej prostitucioni, por edhe problemi i ngritjes së shtëpive publike. Në një dokument të publikuar në Fletoren Zyrtare thuhej: “Nga raportet e mjekëve zyrtarë që ka pasur Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, kuptohet se gratë e përgjithshme që përdorin profesionin e prostitucionit tinëzisht janë shumue tepër e se tue mos iu shtrue vizitimit mjekësor, janë tue ngjitë sëmundje plot rreziqe e dëme në popull. S’i dihet mirë, sëmundjet që hap kurvnia e mshehtë janë aq të rrezikshme për popull sa, po të mos merren masa paraprake në kohë, arrijnë në një kohë që s’mund t’i luftosh, sidomos në vendin tonë ku mungojnë sendet e shërimit. N’interes të shëndetësisë së popullit pra, porositeni që duke i dhënë rëndësi krejt të veçantë çështjes, t’aplikoni dispozitat e rregullores së kurvnisë e përcjellun me qarkoren Nr.2286.191 me 1.3.1922, dispozita të çilat po të studiohen mbas domethënies së tyre si e lyp nevoja, mjafton me rregullue prostitucionin dhe me kët ndal hovin e përhapjes s’ailloj sëmundjeve që shkretojnë popullin tue i prue në nji dezhenerim të plotë. Me këtë rast u kujtojmë se gratë që ushtrojnë profesionin e prostitucionit msheftaz, sipas artikullit 5 të rregullores sipërthanur duhet të mblidhen në një shtëpi të përgjithshme që të mbahen për atë qëllim, ose në mos qoftë e mundur kjo, të mblidhen e të mbahen në një lagje a rrugë të veçantë të qytetit, që kështu tue kenë tok të munden me qenë nën survejim e letë t’autoriteteve e të vizitimit mjeksuer”.
Gazeta “Ora” e korrikut të vitit 1930 ngrinte problemin e Shtëpisë së Përgjithshme që ishte afër policisë. Sipas saj: “ajo duhet të largohej nga ai vend dhe nuk duhej t’i bëhej publicistikë, sepse ishte kundër moralit dhe zakoneve shqiptare”. Po atë problem ngrinte edhe gazeta “Zëri i Korçës” duke thënë: “në çdo lagje dhe në çdo qendër ose në mes të qytetit janë shtëpi publike të çilat shëmtojnë kryeqytetin dhe demoralizojnë rininë. Por ajo më e ndyra është shtëpia publike në treg, pranë Policisë së Qendrës e cila veç saj, është edhe kundrejt punëtorisë ushtarake ku banojnë dhe punojnë një togë djelmosha të punëtorisë në fjalë, të çilët sado që të ruhen nga gratë e liga, është e pa mundur, se i kanë ditë e natë para sysh dhe i shëkojnë të rrinë gjithë ditën ose gjithë natën të shtrira nëpër krevatet e nëpër penxheret duke bërë muhabet. Vallë djelmoshat në lulet e rinisë e djalërisë që i shohin këto, ç’bëjnë? Pa fjalë se mësojnë dhe ata vesën e keqe, dhe kështu merret më qafë rinia shqiptare. Prandaj kujtojmë kopetentët bashkiakë ose Qeverisë t’i zhdukin shtëpitë nga Qendra dhe t’i vendosin si gjithë bota jashtë qytetit dhe po të jetë e mundur të gjitha në një vend për hirin e rinisë shqiptare që është duke u demoralizuar”.
Nuk diskutohet që prostituta jo vetëm Tirana por dhe qytetet e ndryshme të vendit tonë ka pasur, por të çudit fakti që numri i shtëpive publike paska qenë i madh, në një qytet që atë vit numëronte 30000 banorë. Megjithatë, dhe ata nuk mund ta ndalonin ose ta frenonin prostitucionin, por rekomandonin që shtëpitë publike të përqendrohen në periferi. Po në periferi, djemtë nuk do të shkonin? Besoj më shumë, sepse do ishin larg syve të prindërve ose të njohurve. Prostitucioni është “zanati” më i vjetër që ka lindur në tokë, kështu që as u ndalua dhe as mund të ndalohet, vetëm për hir të së vërtetës duhet të frenohet.

Ushtarët italianë dhe gratë tutore
Me ardhjen e italianëve, u hapën shtëpitë publike ndoshta në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që banorët i quanin bordello ose kuplara. Evidentojmë disa prej tyre: njëra ndodhej në rrugën “Kont Urani”, pesë hapa larg Radio Tiranës, në ndërtesën e Beqir Kallçiut, deri në atë kohë Hotel “Splendid”. Ajo kishte tri kate, konceptuar tip moteli. Aty shkonin çifte që paguanin për dhomën, kohën e ndenjjes, si dhe në kohën e pushtimit, ushtarët italianë, prisnin radhën për t’u futur. Pronare ishte një grua e quajtur Hamide. Në aparencë, ajo mbante emrin kazino “Ferraro”. Shtëpia e dytë publike ndodhej te rruga e burgut të vjetër, në një ndërtesë me dy kate, aty ku ndodhet tani hotel “Kruja”. Klientët paguanin dhe u caktohej dhoma se ku do të shkonin, pa ditur se me cilën femër do kishin të bënin. Kur prostitutat ishin të zëna, ata detyroheshin të prisnin. Koha e caktuar ishte një orë. Shtëpia e tretë publike ndodhej në Brrakë, në një ndërtesë me tri kate, aty ku ndodhet një shkollë 9-vjeçare. Ajo, në atë kohë, quhej Vila Lajla. Aty tregoheshin fotot e prostitutave dhe klienti zgjidhte atë që dëshironte. Çmimi lëvizte nga njëra femër te tjetra.
Shtëpia e katërt publike ka qenë në Rrugën e Dibrës, kundrejt— shkollës “Bajram Curri”, ndërtesë me dy kate, e pasuvatuar, por e gjelbëruar në atë kohë me kacavjerrëse. Pronar i saj ka qenë Fuat Halimi, që në dukje e mbante si “Cafe Chantant Paris”. Kati i parë përbëhej nga një sallë e madhe me në krye një skenë të vogël, ku qëndronte orkestra me violinistin virtuoz Naxhi Berati, që shoqërohej nga katër jevga me dajre. Në atë lokal, sikundër thotë Beqir Ajazi, pihej vetëm “Gordon rouge” dhe boshatiseshin xhepat prej 25-30 vajzash malazeze, që ishin 14 deri në 18 vjeç. Ai lokal ishte i aristokracisë e parelinjve.
Shtëpia e pestë publike ka qenë te “Tabakhania”, ashtu quhej ndërtesa publike në të majtë të Urës së Tabakëve. Në përgjithësi prostitutat ishin vajza nga Tirana, Korça, Shkodra dhe qytete të tjera të Shqipërisë, por nuk mungonin italianet, hungarezet, malazezet, rumunet apo austriaket.
Shtëpia e gjashtë publike ka qenë te “Varri i Bamit”, por ishte me jevga të kategorisë së ulët. Kishte dhe parelinj që mbanin jevga dashnore, madje u blinin edhe vila si dhuratë. Në bazë të çmimit, fitimi nga këto shtëpi prostitucioni ndahej në këtë mënyrë: prostituta merrte 40%, pronarja 30% dhe shteti 30%. Në farmaci shiteshin prezervativë, që më të rinjtë i njihnin me emrin “Kapota”. Pakoja kishte 5 copë dhe kushtonte 5 lekë.
Thuhet se në ato vite, kur burri e gjente gruan me të dashurin, ajo hidhej në gjyq, për tradhti bashkëshortore dhe një nga format e dënimit ka qenë mbyllja në bordello për dy deri në tri vite. Prostitutat kontrolloheshin nga Kadri Kërçiku, mjek i diplomuar në Vjenë për Dermatologji dhe sëmundje Veneriane, si dhe mjekët e tjerë dermatologë që punonin në Tiranë, në mënyrë që të parandalohej gonorreja (skollomento) dhe sidomos sifilizi, që ishin problem në atë kohë, për më tepër që shtëpitë publike frekuentoheshin në masë nga ushtarët italianë. Prostituta jashtë shtëpive publike gjeje me shumicë në Brrakë. Ajo zonë ka qenë mbushur me pijetore, të cilat banorët i quanin mejhane. Në tavolinat e tyre shërbenin vajza me ngjyrë, të cilat ishin shumë të bukura dhe të pastra. Kur klienti kishte dëshirë, kalonte në dhomën që mbahej enkas për seks. Në fund të Rrugës së Durrësit ishte kafe “Vera”. Dum Dallia, pronari i saj, i afronte vetë jevgat e bukura. Në qendër të Tiranës, përbri Bankës Kombëtare, ka qenë një ndërtesë që shërbente si fole prostitutash. Ligjin e bënin dy motra, Nina dhe Roza. Me to lidheshin prostitutat që vinin nga rrethet dhe ushtronin zanatin.
Shtëpitë publike i frekuentonin edhe burrat e martuar. Gratë çirrnin faqet e thoshin “Pu, pu, pu po na i marrin burrat. Pale, dalin dhe ashtu, pa të mbathura”.

Femrat e paragjykuara në klubet e tenisit

Tenistja Lejla Shala, Sara Blloshmi
Në vitin 1922 u ngrit “Tenis Klub Tirana” në rrugën “Gjon Muzaka”, tani Rruga e Bogdanëve. Ajo kishte dy fusha. Anash saj ndodheshin ndërtesa njëkatëshe, që shërbenin për veshje dhe zhveshje të personave që luanin tenis, si dhe një tribunë për ata që vinin të shikonin ndeshjet. Për mirëmbajtjen e mjedisit kujdesej një rus i bardhë, burrë i gjatë simpatik, që quhej Nikollai. Herë pas here aty janë dhënë disa shfaqje artistike nga trupa italiane, si dhe amatore vendëse. Aty shkonin dy motra: Anxhelina e Karla Berisha, si dhe Sara Blloshmi. Anxhelina, mësuese fizkulture dhe Sara Blloshmi thyenin tabunë, pasi femrat shqiptare vinin vetëm për të parë e për të bërë tifozllëk. Në vitin 1934, pranë bibliotekës “Karnarvone” u ngrit një fushë e dytë tenisi, vetëm për rininë, djem e vajza të kryeqytetit, që të dëfreheshin pas stadiumit në bibliotekë. Aty shkonte shpesh e luante Harry Fultz, që e kishte shtëpinë në anën tjetër të rrugës. Në prill të vitit 1938 në vendin tonë erdhi me rastin e festimeve të martesës së Mbretit Zog I me konteshën Geraldina, Franklin Gardlund me të shoqen, që sollën disa kupa për nder të aktiviteteve sportive që do të organizoheshin. Kupën e vënë në tenis e fitoi çifti Marie Frashëri–Sali Nallbani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura