Ti trajtosh qytetarët si plehra

Sep 29, 2016 | 14:27
SHPËRNDAJE

 

blendi kajsiuBLENDI KAJSIU 

Vendimi i papritur i Edi Ramës për lejimi e importit të mbetjeve po shkakton një zemërim qytetar që, mesa duket, do ta tejkalojë edhe revoltën e armëve kimike. Është një zemërim i kuptueshëm përballë një vendimi që të lë me gojë hapur.

Rama sot flet njësoj si Berisha dje. Aq sa të duket sikur kemi të bëjmë me të njëjtin individ, Sali Ram Berisha. Ajo çka e bën kaq të pacipë këtë vendim, është se asnjë nga arsyet themelore kundër importit të plehrave nuk ka ndryshuar.

Së pari, shteti ynë sot nuk është më i fortë përballë krimit të organizuar dhe as më i pakorruptuar se dje për t’u bërë ballë abuzimeve me këtë ligj.

Së dyti, logjika e ligjit është perverse. Në vend që të ndërtojë një industri ricikluese në funksion të pastrimit të Shqipërisë, ligji ndërton një industri ricikluese në funksion të pastrimit të Italisë dhe Europës.

Në vend që ta vërë industrinë ricikluese në funksion të ambientit shqiptar, ligji e vë ambientin dhe jetën tonë në funksion të industrisë ricikluese. Ironia është se këto argumente tashmë janë kaq të njohura dhe të pranuara nga publiku si pasojë e vetë Edi Ramës që i propagandonte dje bashkë me Aleancën Kundër Importit të Plehrave (AKIP).

Sot, në mënyrë të pacipë, Edi Rama na thotë që ata që i mbrojnë këto argumente janë sharlatanë. Pra qytetarët që i besuan Edi Ramës dje, socialistët që firmosën kërkesën për referendum kundër ligjit, si dhe shoqëria civile janë sharlatanë.

Kjo është t’i trajtosh qytetarët e tu si plehra, apo në fjalët e Ramës, si lëndë e parë për industrinë e riciklimit.

Së pari, vendimi i Ramës trajton si plehra socialistët që dje, në bashkëpunim me AKIP, mblodhën me dhjetëra mijëra firma për referendumin kundër importit të plehrave. Ishin këta socialistë që dje, jo vetëm dhanë firmat, por edhe dolën në sheshe për të protestuar. Ishin socialistët e thjeshtë që u revoltuan të parët kundër një ligji që e vinte jetën dhe shëndetin tonë në funksion të një grushti interesash.

Së dyti, vendimi i Ramës trajton si plehra shoqërinë civile shqiptare, së cilës publikisht i premtoi se kurrë nuk do ta lejonte importimin e plehrave në Shqipëri. Me urdhrin dhe mbështetjen publike të Edi Ramës, deputetët socialistë si Blendi Klosi bashkëpunuan me Aleancën Kundër Importit të Plehrave (AKIP) për të mbledhur firmat për referendumin kundër importit të plehrave.

Sot Rama, të njëjtën shoqëri civile, e etiketon sharlatane vetëm pse ajo mban të njëjtin qëndrim dinjitoz si dje.

Së fundmi, Rama po trajton si mbetje shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Në vitin 2013, për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët fituan të drejtën e një referendumi të iniciuar nga vetë qytetarët mbi importin e plehrave. Me moratoriumin e importit të mbetjeve, Rama automatikisht e eliminoi këtë referendum pasi në mungesë të importit të plehrave, referendumi humbiste objektin.

Sot, në mënyrë djallëzore, Rama u sjell qytetarëve plehrat dhe u heq referendumin. Ndaj për Ramën qytetarët dhe jeta e tyre ka po aq vlerë sa plehrat. Një mall që e shumta mund të riciklohet për interesa personale, siç është pushteti.

Më 21 janar të vitit 2011 Rama nxori për të protestuar kundër Metës socialistët e thjeshtë që u vranë nga Berisha përballë Kryeministrisë. Më pas e harroi sakrificën dhe gjakun e tyre dhe u bë aleat me Metën.

Në vitin 2012 nxori socialistët në shesh për të protestuar dhe firmosur kundër importit të plehrave nga qeveria Berisha. Sot e injoron protestën dhe dinjitetin e tyre dhe miraton importin e plehrave.

Ajo që Rama nuk ka kuptuar ende është fakti i thjeshtë politik që sado arrogant dhe i pacipë të jetë një Kryeministër, ai nuk mund të riciklojë një popull të tërë. Përkundrazi, është shumë më e thjeshtë që populli të riciklojë Kryeministrin.

Aq më tepër që Rama tashmë është shumë pranë industrisë ricikluese. Ndaj ka shumë gjasa që revolta popullore ta riciklojë atë si një mbetje politike.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura