XHUDO/ Kosova konfirmohet superfuqi! Çullhaj në podium, Shqipëria me 1 bronz në Ballkanik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2023 | 14:00

XHUDO/ Kosova konfirmohet superfuqi! Çullhaj në podium, Shqipëria me 1 bronz në Ballkanik

Në qytetin e Pejës u zhvillua Kampionati Ballkanik i Xhudos për të rritur. Në këtë kompeticion morën pjesë 9 shtete nga rajoni, duke matur forcat me xhudistët e tyre në pallatin e sporteve “Karagaqi”. Edhe një herë tjetër rezultatin më të lartë për Shqipërinë në rang ballkanik e shënoi Indrit Çullhaj, i cili ishte i vetmi nga kuqezinjtë që arriti të ngjitej në podium.

Indrit Cullhaj (ALB) - Grand Prix Zagreb (2019, CRO)

Çullhaj, ish-kampion Ballkani, fitoi medalje bronzi në peshat -73 kg, që ishte edhe një prej kategorive me konkurrencën të fortë në këtë aktivitet. Xhudisti i Tiranës kaloi me sukses tri sfidat e para, për t’u mundur më pas nga kampioni i Europës, kosovari Akil Gjakova. Megjithatë, Çullhaj reagoi mjaft mirë në duelin për medaljen e bronztë, aty ku mposhti turkun Soner Kumtas, duke siguruar një vend në podium, për t’i dhënë kështu medaljen e vetme Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik individual për të rritur. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Xhudos vlerësoi pozitivisht edhe paraqitjen e bërë nga Jon Vrenozi, Xhovani Shkoza dhe Erisa Brahimaj, të cilët fituan ndeshje, por nuk mundën të futeshin në zonën e medaljeve.

Përfaqësuesja kuqezi shoqërohej në këtë aktivitet nga instruktori ndërkombëtar, Shkurt Çullhaj. DOMINON KOSOVA – Dardanët konfirmohen si superfuqi në sportin e xhudos, duke i dominuar totalisht garat e Kampionatit Ballkanit të mbajtur në Pejë. Tetë medalje të arta, dy të argjendta dhe pesë të bronzta, fituan sportistët kosovarë në garat individuale për të rritur. Ndërsa Kosova u shpall gjithashtu kampione edhe në garat ekipore, duke shtuar edhe një tjetër medalje të artë, për ta çuar në total në 15 medalje bilancin në Ballkanik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"