VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana triumfon ndaj Vllaznisë, Erzeni thyen Studentin në Farkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 12:32

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana triumfon ndaj Vllaznisë, Erzeni thyen Studentin në Farkë

Superliga e volejbollit për meshkuj ka kompletuar të shtunën javën e 13-të me dy ndeshje të zhvilluara në kryeqytetet. Pas dy disfatave brenda pak ditëve në derbi kundër Partizanit, Tirana është ringritur, teksa triumfoi ndaj Vllaznisë me rezultatin 3-1 në sallën “Farie Hoti”.

studenti tirana volej

Bardheblutë e Arben Sakos e filluan mirë ndeshjen duke fituar me rezultatin e njëjtë 25-20 në dy setet e para. Shkodranët gjetën reagimin në setin e tretë, të cilin e morën në shifrat 18-25, për të ngushtuar në 1-2. Seti i katërt vijoi me rivalitet deri në shifrat 15-15, ndërsa më pas kualiteti i kampionëve në fuqi bëri diferencën, me Tiranën që fitoi 25-19, duke i mbyllur llogaritë e ndeshjes për 1 orë e 44 minuta. Kapiteni Ledion Martiro dhe nigeriani Izuchukwu Oforah me nga 19 pikë secili shkëlqyen në lojën sulmuese të bardhebluve. Në radhët e skuadrës së Artan Kalasë spikatën kapiteni Nikolin Qafarena dhe Gilman Talani me nga 16 pikë secili. Me këtë fitore Tirana ngjitet në vendin e tretë, duke parakaluar pikërisht kuqeblutë, të cilët tashmë pozicionohen të katërtit.

Erzeni ka hipotekuar vendin e dytë dhe kalimin direkt në “play off”, teksa fitoi 1-3 ndaj Studentin në kryeqytet. Sfida e zhvilluar në Farkë ishte mjaft interesante dhe me rivalitet. Shijakasit e Ilia Kojës morën setin e parë 23-25, ndërsa ekipi studentor u kundërpërgjigj në fraksionin e dytë në shifrat 25-22. Miqtë rimorën epërsinë duke fituar 22- 25 në setin e tretë, ndërsa shpërthyen në setin e katërt 15-25, duke vulosur suksesin final. Amadou Samb me 19 pikë dhe Asmend Kula me 18 shkëlqyen në triumfin e shijakasve, ndërsa për Studentin nuk mjaftuan 21 pikët e Victor Gomes dhe 15 të kapitenit Armando Gaxiri.

Në ndeshjet e zhvilluara të premten, Partizani kryesues mundi Skënderbeun 3- 0, ndërsa Elbasani me të njëjtin rezultat Elbasani mposhti Teutën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"