VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana në gjysmëfinale, Studenti vendos ekuilibrin kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 12:57

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana në gjysmëfinale, Studenti vendos ekuilibrin kundër Vllaznisë

Superliga e volejbollit për meshkuj ka mësuar të shtunën skuadrën e tretë gjysmëfinaliste, e cila është Tirana. Kampionët në fuqi i mbyllën llogaritë ndaj Skënderbeut në para “play off” me dy takime. Pasi kishin fituar me shifra të pastra në kryeqytet, bardheblutë triumfuan sërish me rezultatin 3-0 edhe në përballjen e kthimit në Korçë.

vllaznia volejboll meshkuj

Ndeshja nisi në mënyrë interesante, me Skënderbeun që provoi të rivalizonte, por kualiteti më i lartë i skuadrës së Arben Sakos bëri diferencën. Kështu seti i parë u mbyll 22-25 për Tiranën, ndërsa në dy fraksionet e tjera epërsia e bardhebluve ishte më e madhe, me kryeqytetasit që fituan 19-25 dhe 16-25, duke prerë biletën e kualifikimit. Izuchukwu Oforah me 12 pikë ishte shënuesi më i mirë për Tiranën, ndërsa po 12 pikë realizoi edhe Matias Miranda për korçarët. Tashmë bardheblutë do të gjejnë në gjysmëfinale Erzenin, përballje që garanton betejë të fortë në parket.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër para “play off”, Studenti bëri një paraqitje fantastike kundër Vllaznisë, duke e barazuar tashmë serinë 1-1. Pasi ishin mundur 3-2 në Shkodër në një sfidë shumë të luftuar, kryeqytetasit shkëlqyen në raundin e dytë në “Asllan Rusi”. Studenti tregoi një volejboll mjaft të bukur, duke e dominuar në parket, për ta dalë me triumf 3-1. Me katër lojtarë brazilianë në përbërje, të harmonizuar me një grup lojtarësh vendorë me cilësi, studentorët u shfaqën superiorë ndaj shkodranëve, duke i marrë bindshëm dy setet e para në shifrat 25-17 dhe 25- 12. Vllaznia e rihapi sfidën, tek sa fitoi setin e tretë 22-25, për të ngushtuar në 2-1. Por më pas Studenti i shoi shpresat e kuqebluve, duke dominuar në setin e katërt, tekja triumfoi thellë 25-16, për të fiksuar shifrat finale 3-1. Njeriu i ndeshjes ishte kapiteni Armando Gaxitri, autor i 19 pikëve për Studentin, mbështetur nga Victor Gomes me 18. Për shkodranët shënuesi më i mirë ishte Gilman Talani, autor i 15 pikëve.

Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e tretë dhe të fundit, me duelin që zhvendoset në Shkodër më 9 prill. Ekipi i kualifikuar mes Vllaznisë dhe Studentit do të sfidojë Partizanin në gjysmëfinale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"