VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana dhe Vllaznia më pranë gjysmëfinaleve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 11:05

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana dhe Vllaznia më pranë gjysmëfinaleve

Tirana dhe Vllaznia e kanë filluar me këmbë të mbarë fazën para “play off” në Superligën e volejbollit të meshkujve, teksa dje kanë kaluar me sukses ndeshjet e para në shtëpi. Bardheblutë e Arben Sakos fituan pastër 3-0 ndaj Skënderbeut në Farkë në një takim të dominuar nga kampionët në fuqi.

studenti tirana volej

Kryeqytetasit e nisën mirë, duke marrë setin e parë 25-19, ndërsa seti i dytë ishte më i luftuar. Skënderbeu ishte në kryesim të vazhdueshëm, por në momentet finale të setit Tirana realizoi përmbysjen, për të fituar 26-24 pas pikëve shtesë. Në setin e tretë Tirana e kontrolli lojën qetësisht, duke triumfuar 25-20, për t’i mbyllur llogaritë 3-0 në harkun kohor të 69 minutave. Ledion Martiro, me 12 pikë të realizuara ishte shënuesi më i mirë për bardheblutë, ndërsa për korçarët shkëlqeu Santiel Kamenica me 15 pikë.

Në sfidën tjetër, Vllaznia mundi Studentin 3-2 në Shkodër në një takim me shumë emocione që zgjati 2 orë e 19 minuta. Ndonëse ishin shumë pranë suksesit, me avantazh të dyfishtë setesh dhe me “match point” në dispozicion, Studentit i shpëtoi fitorja nga duart, ndërsa shkodranët e Artan Kalasë arritën të realizonin përmbysjen e madhe. Kryeqytetasit e nisën lojën mirë, duke fituar setin e parë 21-25, ndërsa dominuan edhe në të dytin, të cilin e morën në shifrat 18-25. Ndonëse në vështirësi, Vllaznia gjeti forca dhe reagoi, teksa pas një lufte të fortë mori setin e tretë në pikët shtesë 26-24. Shkodranët bënë më mirë edhe në setin e katërt, teksa triumfuan 25-22, duke e çuar sfidën me set final. Seti i pestë nisi më mirë për Studentin, por në momentin kyç të ndeshjes, loja e miqve erdhi në rënie, ndërsa kuqeblutë u treguan më të kthjellët, duke e fituar setin 15-13. Andrew Dube me 23 pikë udhëhoqi sulmin e Vllaznisë, ndërsa për Studentin më i miri ishte Victor Gomes me 21 pikë.

Të shtunën do të jetë radha e ndeshjeve të kthimit, me Tiranën dhe Vllazninë që i ndan një fitore nga kalimi në gjysmëfinale.

1

2

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"