VOLEJBOLL MESHKUJ/ “Play off”, Partizani e Tirana projektojnë betejën për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 10:32

VOLEJBOLL MESHKUJ/ “Play off”, Partizani e Tirana projektojnë betejën për titullin

Partizani dhe Tirana e kanë nisur më këm bë të mbarë “play off”-in në Superligën e volejbollit për meshkuj. Ekipet kryeqytetase kanë shkëlqyer në ndeshjet e para gjysmëfinale, duke marrë fitore bindëse.

partizani volej 2

 

Të kuqtë triumfuan në shtëpi kundër Vllaznisë me rezultat të pastër, ndërsa kampionët në fuqi kalon me sukses një pengesë aspak të lehtë si Erzeni, duke i mundur shijakasit në transfertë me rezultatin 1-3. Tashmë Partizani dhe Tirana janë vetëm një fitore larg kalimit për në finale dhe nëse diçka e tillë do të konkretizohej, atëherë do të kishim një “deja vu” të edicionit të kaluar.

PARTIZANI-VLLAZNIA – Të kuqtë e Ylli Tomorrit e nisin “play off”-in siç përfunduan sezonin e rregullt, duke vijuar kështu ecurinë e shkëlqyer me të gjitha ndeshjet e fituara në sezonin 2023-2024. Partizanin i mjaftuan 1 orë e 17 minuta për t’i mbyllur llogaritë me rezultatin e pastër 3- 0 në gjysmëfinalen e parë kundër Vllaznisë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Seti i parë nisi me rivalitet, teksa fillimisht Vllaznia arriti t’i përgjigjej mjaft mirë lojës së kryeqytetasve, deri në pikët 15-15. Por më tej organizimi dhe kualiteti më i lartë i “demave” bëri diferencën në parket, me Partizanin që e fitoi setin e parë 25-20. Në setin e dytë vendësit krijuan epërsi që në fillim, për ta kontrolluar më pas qetësisht lojën, duke e fituar setin sërish në shifrat 25-20, ndërsa pika finale kishte për protagonist brazilianin Soares Souza.

Në setin e tretë kuqeblutë e Artan Kalasë kërkuan reagimin, ndërsa ia dolën duke kryesuar deri në 18-19. Por më pas Partizani “zgjohet” për ta fituar edhe setin e tretë me rezultatin 25- 20, teksa protagonisti i “match point”-it ishte Muharrem Deliu. Për sa i përket fazës sulmuese edhe një herë tjetër spikati Raul Sabliqi, me talentin e të kuqeve që shënoi 15 pikë, mbështetur nga Soares Souza me 13. Për Vllazninë shënuesi më i mirë ishte kanadezi Andrew Dube me 12 pikë. Më 15 prill, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër do të jetë radha për gjysmëfinalen e dytë, me Partizanin që tashmë është vetëm një fitore larg kualifikimit për në finale. Ndërsa kuqeblutë do të tentojnë mrekullinë në fushën e tyre, duke ëndërruar për ta çuar serinë me 3 ndeshje.

ERZENI-TIRANA – Pasi kaluan lehtësisht fazën para “play off” kundër Skënderbeut, bardheblutë e Arben Sakos kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt finaleve për të tretin sezon radhazi, duke fituar gjysmëfinalen e parë kundër Erzenit. Tirana triumfoi mbrëmjen e djeshme me rezultatin 1-3 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, në një përballje që zgjati 1 orë e 48 minuta. Kryeqytetasit u futën të vendosur në parket, duke kryesuar thuajse gjatë gjithë kohës në setin e parë, për të fituar 21-25. Seti i dytë ishte edhe më interesant, me përmbysje dhe ripërmbysje, për përsëri ishin miqtë që bënë më mirë, duke e marrë setin 22-25 për ta çuar epërsinë në 0-2.

Skuadra e Ilia Kojës u rifut në lojë, duke fituar setin e tretë 25-22 për të ngushtuar në 1-2. Por miqtë i mbyllën llogaritë, duke dominuar setin e katërt, të cilin e fituan thellë 17-25, për të vulosur suksesin final 1-3, teksa “match pont”-i u firmos nga kapiteni Ledion Martiro. Njeriu i ndeshjes ishte Izuchukwu Oforah, me nigerianin që realizoi 23 pikë për Tiranën. Në radhët e shijakasve spikatën Asmend Kula dhe Amadou Samb me nga 18 pikë secili. Më 15 prill në Farkë do të jetë radha e gjysmëfinales së dytë, takim që sheh si pritëse skuadrën e Tiranës.

nd

pla

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"