VOLEJBOLL MESHKUJ/ Pas Kupës, “leksion” edhe në kampionat, Partizani lë me pasoja Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 13:53

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Pas Kupës, “leksion” edhe në kampionat, Partizani lë me pasoja Tiranën

Vetëm pak ditë pas ngriti Kupën para rivalëve në derbi, Partizani i ka dhënë një tjetër leksion Tiranës, duke i mposhtur pastër edhe në kampionat. Të kuqtë e Ylli Tomorrit triumfuan me rezultatin 3-0 në takimin përmbyllës të javës së 12-të të Superligës së volejbollit për meshkuj.

partizani volej 2

Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në sallën “Farie Hoti”, Partizani u shfaq sërish dominues kundër bardhebluve të Arben Sakos, duke i mbyllur llogaritë e derbit në harkun kohor të 86 minutave. Me Kupën e Shqipërisë dhe Ligën Gjergj Kastrioti në “kasafortë”, Partizani vijon ecurinë perfekte edhe në kampionat. “Demat” komandojnë me pikë të plota, teksa regjistrojnë 12 fitore në po kaq takime, duke e siguruar tashmë edhe matematikisht vendin e parë në sezonin e rregullt. Nga ana tjetër Tirana, kampione në dy edicionet e fundit, po zhvillon një sezon me ulje-ngritje, teksa pozicionohet në vend të katërt me 7 fitore dhe 5 humbje.

partizani tirana volej

NDESHJA – Partizani i tregoi muskujt menjëherë, për t’u shfaqur superior që në setin e parë, duke fituar 22-25. Dominimi i të kuqve ishte edhe më i madh në fraksionin e dytë, ndërsa Tirana ishte pafuqishme për të reaguar. Kështu Partizani triumfon 18-25, duke kaluar në avantazh të dyfishtë me sete. Të besuarit e Ylli Tomorrit luajnë me siguri edhe në setin e tretë, teksa fitojnë 22-25 dhe vulosin suksesin në shifra të pastra 0-3, për ta mbyllur me festë në shtëpinë e rivalëve. Për sa u përket takimeve të tjera të javës së 12-të, më 15 mars Erzeni mundi Elbasanin 3- 1 në shtëpi, ndërsa me të njëjtin rezultat Vllaznia kaloi Teutën në Shkodër. Më 16 mars Studenti mundi Skënderbeun 2-3 në Korçë pas një takimi me shumë rivalitet.

ylli tomori

FOTOT: FERDINAND HAZISLLARI

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"