VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani likuidon Skënderbeun, fitore shprese për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 13:54

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani likuidon Skënderbeun, fitore shprese për Elbasanin

Ecuria e Partizanit në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj është thjesht perfekte. 13 ndeshje, 13 fitore, 39 pikë (të plota), 39 sete të fituara dhe vetëm 2 humbura janë treguesi më i mirë i dominimit të kuq në kampionat. Suksesi më i fundit për skuadrën e Ylli Tomorrit erdhi dje përballë Skënderbeut në takimin hapës për javën e 13-të.

partizani volej

Partizani nuk fali në “Asllan Rusi”, duke i likuiduar korçarët me rezultatin e pastër 3-0 (25-11, 25-18, 25-16) në një ndeshje që zgjati vetëm 58 minuta. Siç edhe pritej “demat” ishin superiorë në çdo aspekt, duke i marrë bindshëm të tria setet, në një takim ku trajneri Tomorri u dha hapësira edhe lojtarëve të rinj.

Paraqitje mjaft e mirë e brazilianëve, ku spikati sërish Coutinho, autor i 15 pikëve, mbështetur nga De Souza me 12 dhe Raul Sabliqi 11, ndërsa Vasquez dhe Klajdi Hoxha shënuan nga 9 pikë secili. Për Skënderbeun më i miri ishte Santiel Kamenica, autor i 15 pikëve. Nga humbja e Skënderbeut ka përfituar Elbasani, me verdheblutë që mundën në shtëpi Teutën me rezultatin 3-0, duke u afruar me zonën para “play off”.

Elbasani tashmë është ngjitur në kuotën e 9 pikëve, vetëm 1 pikë më pak se Skënderbeu, ndërsa gjithçka do të vendoset në javën e fundit, me verdheblutë që luajnë në transfertë ndaj Vllaznisë, ndërsa korçarët presin Tiranën. Sfida e zhvilluar në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” foli për vendësit, të cilët i fituan bindshëm të tria setet në shifrat 25-15, 25-19 dhe 25-15, duke i mbyllur llogaritë për 59 minuta.

Andi Garunja me 17 pikë dhe Orest Tollumi me 12 udhëhoqën sulmin elbasanas, ndërsa për durrsakët shënuesi më i mirë ishte braziliani Moreira me 10 pikë. Java e 13-të do të kompletohet sot me ndeshjet Studenti-Erzeni në orën 18:00 në Farkë dhe TiranaVllaznia në orën 19:00 në sallën “Farie Hoti”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"