VOLEJBOLL MESHKUJ / Partizani fiton Ligën Gjergj Kastrioti, të kuqtë shkatërrojnë Tiranën në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2024 | 19:25

VOLEJBOLL MESHKUJ / Partizani fiton Ligën Gjergj Kastrioti, të kuqtë shkatërrojnë Tiranën në finale

Partizani është fitues i edicionit të tretë të Ligës Gjergj Kastrioti në volejboll për meshkuj. Të kuqtë e Ylli Tomorrit zhvilluan një paraqitje fantastike në finale, duke çmontuar Tiranën me rezultatin 3-0.

partizani volej meshkuj

Derbi i kompeticionit mbarëkombëtar, i zhvilluar sot në Korçë, foli tërësisht për të kuqtë, të cilët u treguan superiorë, duke dominuar ndaj rivalëve bardheblu. Një Partizan që komandoi në të tria setet për t’i mbyllur llogaritë me rezultatin e pastër 3-0 (25-21, 25-18, 25-22) në harkun kohor të 90 minutave.

Me një bosht solid lojtarësh të talentuar vendorë dhe me 4 brazilianë të harmonizuar më së miri me grupin, trajneri Tomorri ka ndërtuar një ekip që funksionon në perfeksion, duke merituar plotësisht trofeun e parë në Ligën Gjergj Kastrioti, ndërsa lojtari MVP i finales u shpall braziliani Coutinho, autor i 20 pikëve në finale.

partizani volej meshkuj

Ndërkohë, kapiteni legjendar Klodian Kasa, vijon të shkruajë rekorde mbi rekorde në aspektin individual, ku pas 19 titujve kampionë dhe 20 kupave, sot ngriti lart edhe trofeun e parë mbarëkombëtar të karrierës.

klodian kasa pellumbi volej

Kështu, Liga Gjegj Kastrioti uli siparin e një edicioni që kishte nisur me luhatje gjatë fazës së grupeve për ekipet e Shqipërisë, por faza finale tregoi edhe një herë se sporti i rrjetës këtu, mbetet përpara “Dardanëve”, me të tria triumfet që vijnë nga skuadrat shqiptare.

FAZA FINALE

REZULTATET
GJYSMËFINALET
2 MARS
TIRANA – FERIZAJ       3-1
PARTIZANI – PEJA       3-1

FINALJA
3 MARS
TIRANA – PARTIZANI 0-3

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"