VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani fantastik në Kupë, shkatërron Tiranën në finale dhe ngre trofeun në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 17:50

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani fantastik në Kupë, shkatërron Tiranën në finale dhe ngre trofeun në derbi

Partizani është fituesi i Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj për edicionin 2023-2024. Të kuqtë shpartalluan Tiranën me rezultatin 3-0 në finalen e zhvilluar sot në sallën “Feti Borova”. Derbi i Kupës foli tërësisht për skuadrën e Ylli Tomorrit, me Partizanin që dominoi në çdo aspekt ndaj një Tirane të pafuqishme dhe me shumë gabime.

PARIZANI VOLEJ

Ky ishte suksesi i 14-të në histori në Kupë për të kuqtë, të cilët po zhvillojnë një sezon fantastik, teksa vetëm dy javë më parë ngritën lart edhe trofeun mbarëkombëtarë të Ligës Gjergj Kastrioti, duke e mundur edhe aty Tiranën 3-0, ndërsa janë gjithashtu edhe kryesues me pikë të plota në kampionat. Nga ana tjetër bardheblutë ua dorëzojnë rivalëve të qytetit fronin në Kupë, kompeticion që i kishte parë të besuarit e Arben Sakos fitues në dy edicionet e fundit.

NDESHJA – Që në start Partizani tregoi menjëherë muskujt, ndërsa Tirana provoi ti përgjigjej lojës së “demave”, por me kalimin e minutave të kuqtë e thelluan dominimin në parket. Nën ritmin e sambës, me katër brazilianë në përbërje si dhe më një bosht të talentuar lojtarësh vendorë, duke nisur nga Osman Qepa, Raul Sabliqi, Muharrem Deliu etj, Partizani mori “arratinë” duke vendosur distancat, për ta fituar setin e parë 25-12. Seti i dytë ishte më i luftuar, me Tiranën që e përmirësoi ndjeshëm lojën e saj, por në momentet decizive bardheblutë nuk kishin qartësinë e duhur, duke gabuar pikë, ndryshe nga Partizani, që ishte më i vendosur dhe më i uritur, duke luftuar fort në çdo top. Kështu me një bllok fitues nga Sabliqi të kuqtë fitojnë 25-22 në një set që ishin gjatë të gjithë kohës ishin në epërsi. Edhe në fraksionin e tretë skuadra e Ylli Tomorrit luan më mirë, ndërsa Tirana nuk arrin të ndizet në asnjë moment. Sabliqi është protagonisti i “match ponit”-it, duke fiksuar shifrat 25-22, për të vulosur finalen me rezultatin e pastër 3-0, duke i hapur rrugë festës së merituar të skuadrës së kuqe, me sportin e rrjetës që jep verdiktin për trofeun e dytë për nga rëndësia në rang kombëtar. Lojtari i finales u shpall Osman Qepa, autor i 10 pikëve në derbi. Ndërsa paraqitje të shkëlqyer bënë edhe brazilianët Coutinho dhe Soares, me 14 dhe 12 pikë. Spikati gjithashtu edhe Raul Sabliqi, i cili realizoi 12 pikë, talent që po rritet gjithnjë e më shumë nën direktivat e trajnerit Tomorri. Për Tiranën shënuesi më i mirë ishte Ledion Martiro, autor i 16 pikëve, por që mbetën sa për vlerë statistikore. Ndërkohë ai që vazhdon të vendosë rekorde mbi rekorde është Klodian Kasa. Në moshën 44-vjeçare, Kasa ngriti lart trofeun e 21-të të Kupës së Shqipërisë në karrierë, ndërsa në palmaresin e tij individual numëron edhe 19 tituj kampionë kombëtarë.

TROFEU

 

PARTIZANI – TIRANA    3-0

(25-12, 25-22, 25-22)

PARTIZANI: Deliu, Soares (12), Sabliqi (12), Qepa (10), Coutinho (14), Vasquez (5), Muça (L1)/ De Souza, Osmani, Baçova, Rama, Hoxha, Kasa, Mexhaj (L2). Trajner: Ylli Tomorri

TIRANA: K.Martiro (4), Sosnin, Oforah (10), Baruti (2), L.Martiro (16), Abdellaoui (8), Kono (L1)/ Talaj (1), Kapidani, Xhabrahimi, Kupi (1), Demko, Ferhati, Shehi (L2). Trajner: Arben Sako

Gjyqtarë: T.Zguri, E.Dusha

 

FAZA FINALE/ REZULTATET

GJYSMËFINALET

21 SHKURT

SKËNDERBEU – TIRANA        0-3

PARTIZANI – ERZENI         3-0

28 SHKURT

TIRANA – SKËNDERBEU        3-0

ERZENI – PARTIZANI         1-3

 

FINALJA

17 MARS

PARTIZANI – TIRANA         3-0

 

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"