VOLEJBOLL/ “Fitojmë duke u argëtuar”, Tomorri rrëfen Partizanin: Kundër Tiranës s’ishte hakmarrje, ja çfarë u them lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 12:50

VOLEJBOLL/ “Fitojmë duke u argëtuar”, Tomorri rrëfen Partizanin: Kundër Tiranës s’ishte hakmarrje, ja çfarë u them lojtarëve

Partizani i volejbollit të meshkujve po zhvillon një sezon fantastik.MixCollage-26-Mar-2024-12-34-PM-3434 (1)

Të kuqtë kryesojnë me pikë të plota në kampionat, ndërsa deri tani kanë festuar triumfin në dy kompeticione të rëndësishme siç janë Liga Gjergj Kastrioti dhe Kupa e Shqipërisë. Strategu i të kuqve, Ylli Tomorri, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar sezonin e Partizanit. Trajneri thekson se në skuadrën e tij kryefjalë është puna, ndërsa zbulon sekretin e “demave” në një edicion që deri më tani po rezulton perfekt. Tomorri komenton gjithashtu edhe fitoret kundër Tiranës, aktualitetin në sportin e rrjetës, ndërsa ka një apel edhe për sportdashësit e kuq.

Tomorri, gjatë këtij muaji keni ngritur dy trofe të rëndësishëm, si Liga Gjergj Kastrioti dhe Kupa e Shqipërisë. Si do t’i komentoni këto arritje dhe cili është sekreti i këtij Partizani?

Në fakt për mua është krenari që ekipi i Partizanit ngre dy trofe njëri pas tjetrit. Natyrisht kjo ka ardhur falë një organizimi të mirë, një mbështetje të mirë nga ana e klubit dhe falë një kompozimi të ndërtimit të një skuadre me karakter fitues. Sigurisht kjo nuk është e lehtë për t’u arritur dhe ne e kemi filluar me shumë peripeci për të arritur deri këtu. Te Partizani ka një punë këmbëngulëse dhe na ka dalë edhe nami “i keq” që te ne punohet. Pra, te Partizani punohet, ne nuk kemi fjalë, por vetëm punë. Kështu që kjo filozofi e jona po shpërblehet, një filozofi që shpërblen çdo skuadër që e ndjek. Nuk mund të them për kundërshtarët nëse punojnë apo jo, por shifrat dhe diferencat janë të dukshme. Parametrat teknikë janë të dukshëm, niveli i forcës fizike gjithashtu. Ne kemi krijuar një skuadër që luan volejboll duke u argëtuar, pra, një skuadër që fiton duke argëtuar. Ne nuk e shikojmë humbjen si një disfatë, por e shikojmë si një pengesë që duhet kapërcyer me punë akoma më të madhe për ndeshjen e radhës. Për fat të mirë deri tani gjithçka na ka shkuar mirë, pasi jemi në krye dhe kemi fituar të gjitha ndeshjet në kampionat, duke humbur vetëm 2 sete.

Në të dyja rastet kupat kanë ardhur duke mundur pastër Tiranën në finale. A e kanë bërë edhe më të bukur triumfin këto fitore në derbi?

Është e vërtetë që derbi mbetet derbi, por nuk mund të them që kënaqësia më e madhe është që ne po mposhtim Tiranën. Të gjitha skuadrat rivale që ne kemi unë do t’i quaja partnere në sport. Sigurisht janë kundërshtarë dhe duam që ti mundim, por ne i vlerësojmë të gjithë njësoj. Nuk ka ndryshim nëse po mundim Tiranën, Studentin apo Erzenin. Për ne është e rëndësishme që të bëjmë një volejboll të mirë dhe që njerëzit të vijnë e të argëtohen. Këtë gjë deri diku ia kemi arritur dhe sigurisht do të përpiqemi edhe për më tepër. Për Partizanin nuk ka mbaruar rrugëtimi, sepse edhe “play off”-i është po aq i vështirë sa edhe Kupa. Kështu që edhe në “play off” do të kemi betejë të fortë për të fituar, sepse kështu edhe suksesi të gëzon më shumë. Nëse do të jetë Tirana apo ndonjë skuadër tjetër pak rëndësi ka. Ne jemi në krye dhe presim deri në fund, por nuk duhet të nënvlerësojmë aspak ekipin që del në vend të katërt, cilido qoftë ai. Për ne do të jetë njësoj sikur të luajmë ndaj vendit të parë, pra do të jetë si finale.

Gjithashtu bardheblutë i mundët pastër edhe një javë më parë në kampionat. A mund t’i quajmë këto fitore radhazi si hakmarrje për finalet e vjetshme të kampionatit?

Nuk e kemi ndërtuar skuadrën për të shpalosur një hakmarrje kundër Tiranës. Të them të drejtën unë veçanërisht te Tirana kam një pjesë të punës time dhe nuk mundem të hakmerrem ndaj ish-lojtarëve të mi. Janë lojtarë të cilët unë i kam edukuar, i kam mësuar, i kam stërvitur dhe ata kanë ngritur trofe. Fitimi i trofeve nga ana e tyre është një pjesë që normalisht i dedikohet edhe punës që këta lojtarë kanë bërë me mua, jo se është meritë e imja. Në këndvështrimin tim fitoret njëra pas tjetrës kundër Tiranës treguan që ne kemi ditur të punojmë më mirë se kundërshtari jonë, siç ndodhi vjet me Tiranën, e cila punoi më mirë se ne dhe ia arriti të fitonte me meritë.

Ndonëse në dy sezonet e fundit keni qenë gjithashtu konkurrueses dhe të pranishëm nëpër finale, ky Partizan duket se ka një marsh më tepër. Cili është ndryshimi?

Është e thjeshtë, ne vjet dhe parvjet ndërtuam një skuadër me perspektivë të qartë, duke marrë 4 lojtarë 19- vjeçarë, plus lojtarët që kishim në përbërje. Volejbollistët janë rritur në këto dy vite dhe fakti e tregon që Tirana mori lojtarin tonë, pra edhe ata e panë që ky djalë është rritur (Oforah). Mosha e skuadrës që ne kemi pasur në dy sezonet e kaluara ka qenë shumë më e re sesa e Tiranës, që ishte një ekipi i pjekur, i konsoliduar me volejbollistë shumë të mirë, pra ishin një ekip i ndërtuar për të fituar. Ndoshta tani jemi ne në situatën e tyre, pasi nuk kemi më një ekip aq të ri në moshë si në kampionatet e kaluara. Duke bashkuar lojtarët me eksperiencë me të rinjtë, kemi arritur të bëjmë një grup mjaft të mirë. Këtu bën përjashtim Raul Sabliqi, i cili është një lojtarë shumë i ri, por ka një perspektivë të jashtëzakonshme.

Nuk ishim mësuar t’iu shikonim dy sezone pa trofe të rëndësishëm kombëtarë…

Pas sukseseve të panumërta te Studenti që dihen, unë kam shtatë vite te Partizani dhe në këtë periudhë kam fituar 5 Kupa të Shqipërisë, si dhe tre tituj kampionë në mos gabohem. Por nuk është kusht që të gjithë trofetë duhet t’i fitojë Ylli Tomorri (qesh), sepse është garë dhe sport.

Le të ndalemi pak te volejbollistët. Përveç Qepës, që është i konfirmuar prej vitesh, kemi një rritje të madhe edhe të talentit Raul Sabliqi…

Sabliqin, siç dihet ne e morëm nga Erzeni. Të them të drejtën unë kam dashur ta afroj që para dy vitesh dhe i kam bërë një propozim, duke parë që ai djalë ka një talent të padiskutueshëm. Sabliqi kishte nevojë për një punë shumë profesionale, jo vetëm me trajnerin, pasi puna profesionale vjen edhe nga grupi, që për mendim tim është akoma më e rëndësishme për rritjen e një lojtari. Kështu që Rauli nëse do të kishte ardhur një vit më përpara, do të ishte edhe më lart, por ndoshta nuk do të ishte më pjesë e Partizanit, pasi mund ta shihnim edhe jashtë Shqipërisë. Është një lojtar që i plotëson të gjitha kushte dhe premisat që të bëhet një volejbollist fenomenal.

Një punë mjaft e mirë po bëhet edhe me moshat nga dyshja Tukseferi-Kasa…

Unë nuk kam vështirësi që të ndërroj cilindo lojtar shqiptar me të rinjtë që vijnë nga ekipi i Tukseferit dhe i Kasës. Janë dy specialistë shumë të mirë, dy ish-lojtarë titullarë të Kombëtares, të cilët kanë nga një thes me fitore dhe me ndeshje mbi kurriz. Natyrisht edhe federata ka bërë shumë mirë që ua ka dhënë mundësinë për të drejtuar ekipe të rinjsh, duke parë edhe punën e tyre te Partizani. Janë në krye me skuadrat e tyre, me të rinjtë, me para të rinjtë, duke furnizuar edhe ekipin e parë.

Ndërkohë, këtë sezon duket se nuk keni gabuar asgjë edhe me merkaton e huaj, duke goditur në shenjë me lojtarët brazilianë, të cilët përveçse kanë rritur cilësinë, janë përshtatur shumë shpejt me grupin…

Në fakt edhe kam gabuar, por i kam kthyer mbrapsht edhe pse shpenzimet kanë mbetur. Në fund të fundit janë trajnerët ata që e marrin përgjegjësinë për merkaton, pasi jemi ne ata që i shikojmë lojtarët dhe ndodh që edhe mund të gabojmë. Brazili është shumë larg dhe na vjen një video, të cilën varet sesi e shikon dhe sesi e percepton, varet sa kohë përpara janë filmimet. Por mendoj që kemi patur edhe pak fat në këtë aspekt.

Cilat janë fjalët që i përsërisni më së shumti lojtarëve?

Të them të drejtën nuk është ndonjë sekret, por në tagrin tim si ishlojtarë me mentalitet fitues kam patur një moto për veten, e cila ka qenë që në sport duhet të luash dhe të argëtohesh. Që të argëtohesh, duhet që të japësh më të mirën dhe nuk duhet të mendosh kurrë humbjen, por të shikosh gjithmonë përpara, ku edhe nëse humb duhet të dalësh nga parketi me kokën lart. Këto janë fjalët që u them kryesisht edhe lojtarëve.

Si e shihni rregullin e FSHV-së me 3 lojtarë të huaj, mendoni që është në rregull?

Sivjet në kampionatin shqiptar ka pasur shumë skuadra që kanë afruar lojtarë të huaj. Unë kam qenë një nga ata trajnerë që në vitet 2000 me Studentin kam marrë lojtarë të huaj në çdo sezon, por këtë sezon janë qenë shumë skuadra me lojtarë të huaj. Partizani, Tirana, Erzeni, Vllaznia, Studenti dhe Skënderbeu kanë afruar volejbollistë të huaj. Nuk duhet të harrojmë që ne kemi edhe shumë pak ndihmesa ligjore, por kemi vetëm mbështetje shoqërore, miq dhe shokë që japin nga kontributet e tyre, pa një ligj sponsorizimi. Kjo është vërtetë për të ardhur keq, por e kemi thënë kaq shumë herë sa nuk ja vlen më për ta diskutuar, pasi nuk duan që ta kuptojnë. Duke u rikthyer te numri me 3 lojtarë të huaj, volejbolli shqiptar për fat të keq nuk po arrin të nxjerrë lojtarë në masë, por vetëm me “kokrra”. Unë mund të them që nuk duhet asnjë lojtarë i huaj, por në këto kushte janë të domosdoshëm. Kështu që mendoj se rregulli me tre lojtarë të huaj ka një vlerë të madhe dhe këtë e them duke iu referuar skuadrës që unë drejtoj.

Por volejbolli shqiptar po kalon momente të vështira në nxjerrjen e lojtarëve. Si e shikoni punën që bëhet me moshat?

Ka shumë trajnerë që punojnë me të rinjtë, por kjo është edhe me cikle, pra nuk vjen që nuk dinë të punojnë apo që nuk punohet me moshat. Ciklet janë të njohura në të gjithë botën, mjafton të shikojmë kombëtaren e Gjermanisë në futboll dhe nuk ka nevojë të përmend shembuj të tjerë. Kështu është edhe në volejboll, pra me sa duket edhe ne do të vuajmë pasojat e këtij cikli kalimtar. Shikoj me kënaqësi që federata po bën një punë të mirë dhe kjo u reflektua më së miri në Ligën Gjergj Kastrioti dhe u pasua në Kupën e Shqipërisë, ku për herë të parë trofeu jepej në atë formë. U bë një organizim shumë i bukur, duke sjellë edhe fëmijë nga qytete dhe ekipe të ndryshme për të ndjekur dhe dashuruar volejbollin. Për këtë dua ta përgëzoj pa masë FSHV-në.

Ta mbyllim me një koment për tifozët. Mendoni që kjo skuadër meriton më shumë mbështetje dhe cili është apeli juaj për tifozët e Partizanit?

Më pëlqen që ma bëtë këtë pyetje dhe dua të përmend një episod të fundit në ndeshjen që fituam 3-0 kundër Tiranës në kampionat. Vetëm 4 djem të rinj arritën që të krijonin atmosferë në sallën “Farie Hoti”, duke mbështetur skuadrën dhe m’u duk sikur po luanim me një sallë plot. Mendoj që tifozët do të na vijnë, pavarësisht se ata janë të angazhuar edhe me futbollin, që siç dihet mbetet një sport primar. Por kur vjen puna te skuadra e zemrës, e cila quhet Partizani, ajo nuk ndahet në futboll, volejboll apo basketboll, pasi një skuadër që pretendon për titull kampion, mendoj që duhet t’i gëzojë dhe t’i lumturojë. Partizani duhet të jetë një i përbashkët, staf, sportistë, trajnerë dhe tifozë për të arritur që t’i japim klubit atë emër që meriton. Në kohën kur unë kam luajtur volejboll, Partizani e ka merituar emrin me të gjitha sportet dhe jo vetëm me futbollin. Lojtarët e futbollit të Partizanit, legjenda si Panajot Pano, Lin Shllaku, Loro Boriçi, ikona të sportit, vinin në pallatin e sportit për të na mbështetur. Pra vinin sportistët dhe jo më tifozët që nuk diskutoheshin. Ishim një Partizan dhe nëse duam ta mbajmë gjallë këtë emër, duhet të ndihmojmë njëritjetrin. Kështu që tifozët i ftoj me kënaqësinë më të madhe për të na ndjekur dhe përkrahur, diçka që do të më shtonte edhe dëshirë për punë dhe për të qëndruar sa më gjatë te Partizani. Gjithashtu, kjo mbështetje do të ishte një shtyrë e madhe për ekipin në parket.YETR

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"