VOLEJBOLL FEMRA / Tirana bie me 5 sete, Partizani nuk u afrohet korçareve. Drita-Skënderbeu, finalja e Ligës Gjergj Kastrioti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2024 | 11:15

VOLEJBOLL FEMRA / Tirana bie me 5 sete, Partizani nuk u afrohet korçareve. Drita-Skënderbeu, finalja e Ligës Gjergj Kastrioti

Drita dhe Skënderbeu janë skuadrat finaliste të Ligës Gjergj Kastrioti në volejbollin e femrave për edicionin 2023- 2024. Skuadra nga Gjilani dhe korçaret kaluan dje me sukses provat e zjarrit në gjysmëfinale respektivisht kundër Tiranës dhe Partizanit dhe tashmë do të luajnë aktin e fundit për trofeun.

sdfdfssfdsffsfsd

Takimi i parë i zhvilluar në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, aty ku po mbahet edhe faza finale e eventit mbarëkombëtar, vendosi përballë Dritën dhe Tiranën. Kjo sfidë rezultoi vërtet spektakolare, me të dyja ekipet që dhanë gjithçka në parket, duke dhuruar emocione nga fillimi e deri në fund. Vajzat bardheblu e nisin ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke dominuar në çdo aspekt ndaj një ekipi si Drita që nuk kishte humbur asnjë set gjatë këtij sezoni.

Tirana u shkëput menjëherë, për ta fituar më pas setin e parë në shifra të thella, 10- 25. Seti i dytë është tepër i luftuar, por në fund lojtaret e Dritës tregohen më të kthjellëta për të fituar 25-23. Vajzat e Hasan Gurabardhit reagojnë shpejt, teksa dominojnë në setin e tretë dhe fitojnë 19-25, duke rimarrë epërsinë 1-2 me sete. Por Tirana fiket në setin e katërt, me Dritën që ndizet dhe shpërthen 25-12, duke e çuar sfidën me set final.

Skuadra bardheblu e rinis më mirë lojën, por gradualisht vajzat nga Gjilani marrin kontrollin, për ta fituar setin 15-13, duke prerë biletën për në finale pas një takimi që zgjati 2 orë. Dhuratë Sulejmani me 18 pikë si dhe Valmira Ramadani e Loresa Avdyli me nga 16 pikë secila udhëhoqën ofensivën e Dritës. Për Tiranën nuk mjaftoi dyshja Kamani Conteh dhe Enkeleda Braho, të cilat realizuan përkatësisht 22 dhe 21 pikë.

sdfsdfdsfsdfsdfsd

Më tej ishte radha e gjysmëfinales së dytë, Skënderbeu-Partizani. Korçaret e Orlando Kojës nuk zhgënjyen para publikut të tyre të zjarrtë, duke dominuar totalisht kundër të kuqeve. Një ndeshje pa shumë histori, me Skënderbeun që i mbylli llogaritë 3-0 (25-16, 25-15, 25-12) në harkun kohor të 67 minutave.

Mariangel Vivas me 13 pikë ishte shënuesja më e mirë në radhët e skuadrës korçare, ndërsa te Partizani shifrën më të lartë e regjistroi Joana Kushi (10). Të dielën në orën 18:00 në Korçë do të jetë radha e finales, me Skënderbeun që kërkon trofeun e tretë radhazi të Ligës Gjergj Kastrioti, ndërsa Drita shpreson në triumfin e parë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"