VOLEJBOLL FEMRA/ Skënderbeu përmbys Partizanin, Tirana parakalon vajzat e kuqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 11:07

VOLEJBOLL FEMRA/ Skënderbeu përmbys Partizanin, Tirana parakalon vajzat e kuqe

Pas dy trofeve të fituar gjatë këtij muaji, si Liga Gjergj Kastrioti dhe Kupa e Shqipërisë, Skënderbeu vijon me rezultatet e shkëlqyera edhe në Superligën e volejbollit për femra. Vajzat e Orlando Kojës triumfuan me përmbysje në kryeqytet kundër Partizanit me rezultatin 1-3 (25- 22, 26-28, 14-25, 19-25) në supersfidën e javës së 13-të, takim i luajtur të shtunën në “Asllan Rusi”.

skenderbeu kupa

Ndonëse ishin kampionet në fuqi ato që e nisën më mirë, korçaret gjetën forca dhe kthyen gjithçka në favor të tyre në një përballje që zgjati 1 orë e 45 minuta. Mariangel Vivas me 28 pikë, spikati edhe një herë tjetër në radhët e Skënderbeut, ndërsa për të kuqet shënuesja më e mirë ishte Xhovana Kaçorri me 20 pikë. Me këtë sukses Skënderbeu e siguron matematikisht vendin e parë, një javë para fundit të sezonit të rregullt, ndërsa Partizani rrëshqet në vend të tretë, duke u parakaluar nga Tirana.

Vajzat bardheblu nuk falën në “Farie Hoti”, teksa fituan ndaj Vllaznisë me rezultatin e pastër 3-0 (25-19, 25-15, 25-17). Yanileydis Sanchez me 12 pikë si dhe Enkeleda Braho e Kamani Conteh me nga 11 secila, udhëhoqën ofensivën e Tiranës.

Fitore të pastër ndaj një rivali direkt regjistroi edhe Barleti, teksa universitaret mposhtën Pogradecin 3-0 (25-23, 25-21, 25-19) në “Asllan Rusi”. Lorgeta Avdyli me 19 pikë, Xhenifer Pira me 17 dhe Esmeralda Tuci me 15 bënë diferencën në parket për Barletin, duke i dhuruar 3 pikët ekipit të Altin Gorenxës, sukses që i ngjit kryeqytetaset në vend të katërt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"