VOLEJBOLL FEMRA/ “Play off”, Tirana dhe Vllaznia kalojnë në gjysmëfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2024 | 9:30

VOLEJBOLL FEMRA/ “Play off”, Tirana dhe Vllaznia kalojnë në gjysmëfinale

Superliga e volejbollit të femrave ka mësuar dje dy skuadrat gjysmëfinaliste që kanë dalë nga faza para “play off”, të cilat janë Tirana dhe Vllaznia. Si vajzat bardheblu, gjithashtu edhe shkodranet, i mbyllën llogaritë me dy ndeshje, duke eliminuar përkatësisht Pogradecin dhe Barletin.

tirana volej

Pasi kishte fituar me rezultatin e pastër 3-0 në kryeqytet, Tirana triumfoi dje me të njëjtin rezultat edhe në takimin e dytë kundër Pogradecit, këtë herë në qytetin liqenor. Kualiteti më i lartë si dhe organizimi më i mirë i Tiranës bënë diferencën në parket.

Kryeqytetaset e filluan në mënyrë të shkëlqyer, për ta fituar setin e parë thellë 13-25, ndërsa në dy setet e tjera loja ishte më e rivalizuar, por përsëri ishin miket më të sakta, duke triumfuar 22-25 dhe 21- 25. Kubanezja Sanchez me 18 pikë si dhe Enkeleda Braho me 12 udhëhoqën ofensivën bardheblu, ndërsa te Pogradeci nuk mjaftoi paraqitja e mirë e të zakonshmes Morgan Bossler, autore e 14 pikëve. Tashmë në gjysmëfinalet “play off” do të kemi derbin ndërmjet Partizanit dhe Tiranës.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Vllaznia mundi Barletin me rezultatin e pastër 3-0 në Shkodër, duke prerë biletën për në gjysmëfinale. Pasi kishin fituar 2-3 në ndeshjen e parë në “Asllan Rusi”, takimi i kthimit në shtëpi ishte më i thjeshtë për vajzat kuqeblu të trajneres Nora Deda. Seti i parë rezultoi tepër interesant, i vendosur pas pikëve shtesë 30-28 për vendëset. Në fraksionin e dytë Vllaznia dominoi duke fituar 25-18, ndërsa i mbylli llogaritë duke marrë edhe setin e tretë 25-20. Tashmë shkodranet do të matin forcat në gjysmëfinale me Skënderbeun, me kampionatin që futet në fazën e tij më të nxehtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"