VOLEJBOLL FEMRA/ Feston Skënderbeu, thyen Tiranën në finalen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 9:42

VOLEJBOLL FEMRA/ Feston Skënderbeu, thyen Tiranën në finalen e parë

Në një atmosferë të ndezur, me rreth 1500 tifozë që kishin mbushur pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, dje ka startuar seria e finaleve në Superligën e volejbollit për femra mes Skënderbeut dhe Tiranës. Korçaret e Orlando Kojës nuk falën në shtëpi, duke fituar 3-0 në aktin e parë, në një takim që zgjati 1 orë e 28 minuta.

skenderbeu volej

Ndonëse Skënderbeu triumfoi me rezultat të pastër, finalja e parë ishte interesante dhe me rivalitet të lartë, teksa Tirana provoi të bënte goditjen në fushë kundërshtare, duke qenë në garë gjatë të gjithë kohës. Por në momentet kyçe të takimit, vendëset u treguan më të sakta dhe arritën të hipotekonin suksesin, duke bërë hapin e parë drejt titullit.

NDESHJA – Seti i parë nisi me luftë të fortë sportive nga të dyja kampet, duke vijuar me një seri të gjatë barazimesh deri në pikët 20-20. Por më pas korçaret ishin më të vendosura dhe më efikase në sulm, për ta fituar setin 25-23 me pikën finale nga venezualiania Mariangel Vivas. Edhe seti i dytë vazhdoi me rivalitet, teksa fillimisht ishin vendëset në epërsi të lehtë, ndërsa më tej kryeqytetaset e turkut Bulent Karslioglu dolën përpara 16- 18, me setin që fiksoi sërish më pas shifrat e barabarta 20- 20. Por edhe një herë në çastet vendimtare Tirana gabon, ndërsa korçaret janë më të qarta, duke shënuar 5 pikë radhazi. Kayla Williams realizoi “match point”-in, për të fiksuar shifrat 25-20.

Tirana kërkoi reagimin në fraksionin e tretë, duke qenë thuajse gjatë të kohës në avantazh. Vajzat bardheblu patën edhe një “set point” në dispozicion, por nuk e shfrytëzuan. Ndërsa pas pikëve shtesë fituan korçaret 26-24, duke bërë që në sallë të shpërthente festa. Amerikania Williams, autore e 15 pikëve, ishte lojtarja e vetme në radhët e Skënderbeut që mbërriti në dopioshifër. Ndërsa për Tiranën rendimentin më të lartë realizativ e kishin kubania Yanileydis Sanchez me 15 pikë dhe Enkeleda Braho me 11.

Kapitenia e Skënderbeut, Elena Bego, pas ndeshjes e komentoi kështu suksesin në finalen e parë: “Këto janë ndeshje me intensitet të lartë dhe fiton skuadra që gabon më pak. Mendoj që duhet të përmirësojmë topin e parë dhe bllokun. Presioni ishte i madh, por i detyroheshim publikut për fitoren. Tashmë do të fokusohemi te ndeshja e radhës, duke shpresuar që mos të shkojmë me pesë finale”, u shpreh ndër të tjera Bego. Finalja e dytë do të luhet të mërkurën në orën 19:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"