VOLEJBOLL FEMRA/ Derbi maratonë, vajzat bardheblu përmbysin Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 13:15

VOLEJBOLL FEMRA/ Derbi maratonë, vajzat bardheblu përmbysin Partizanin

Superliga e volejbollit për femra ka mbyllur dje javën e 12-të me derbin e kryeqytetit ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, sfidë e zhvilluar në sallën “Farie Hoti”. Vajzat bardheblu, të cilat vinin në këtë takim pas zhgënjimit të së dielës në finalen e Kupës kundër Skënderbeut, gjetën forca dhe u ringritën.

tirana partizani volej

 

 

Tirana triumfoi me rezultatin 3-2 pas një ndeshjeje spektakolare që zgjati plot 2 orë e 20 minuta. Një sukses që erdhi më përmbysje për ekipin që tashmë drejtohet nga turku Bulent Karslioglu, i cili fitoren e parë në stolin e Tiranës për ironi të fatit e merr pikërisht kundër ish-ekipit të tij, Partizanit, me të cilin një sezon më parë shpallej kampion.

NDESHJA – Seti i parë pa gjatë të gjithë kohës Partizanin në avantazh, teksa të kuqet e trajneres Amarilda Prenga ishin më të organizuara. Gjithsesi rivaliteti në parket ishte i lartë, ndërsa seti u vendos pas pikëve shtesë 24-26 në favor të Partizanin, me Joana Kishin që realizoi pikën finale. Pas një epërsie të lehtë nga kampionet në fuqi në momentet e para të setit të dytë, Tirana më pas mori kontrollin e lojës duke e fituar setin 25-21, për të rikthyer baraspeshën 1-1.

tirana partizani 2

Megjithatë Partizani u rikthye në epërsi me sete, duke fituar bindshëm fraksionin e tretë 18-25, me Tiranën që për herë të dytë e pa veten në disavantazh. Por të udhëhequra nga një treshe ofensive mjaft efikase, me në krye kapitenen Enkeleda Braho, kubanen Yanileydis Sanchez dhe amerikanen Kamani Conteh, Tirana realizon një përmbysje fantastike, teksa fiton setin e katërt thellë 25-17 dhe të pestin 15-10, me Brahon që stampoi “match point”-in, duke shpërthyer festën e merituar të vajzave bardheblu në derbi.

trajneri i tiranes

FOTOT: FERDINAND HAZISLLARI

Braho, Sanchez dhe Conteh shënuan nga 19 pikë secila, duke rezultuar vendimtare për Tiranën. Ndërsa për Partizanin nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer nga Joana Kushi, autore e 24 pikëve, por që mbeten vetëm për vlerë statistikore.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"