Vila, SMS Tiranës: Teuta nuk dorëzohet, në Kupë do të jetë spektakël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 16:24

Vila, SMS Tiranës: Teuta nuk dorëzohet, në Kupë do të jetë spektakël

Teuta hyn në sprintin final të kampionatit, ku në gjashtë ndeshjet e mbetura do të kërkojë të shpëtojë sezonin dhe të largohet nga zona e ftohtë në renditje. Skuadra duket se ka gjetur formën ideale në momentin e duhur dhe të mërkurën ndaj Tiranës udhëton me ambicie për të vazhduar serinë pozitive, këtë herë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

vila

Rikthimi te fitorja ndaj Erzenit gëzon edhe sulmuesin Lorenco Vila, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon për golin që shënoi, si dhe synimet e klubit në këtë fund sezoni. 22-vjeçari i rritur në akademinë durrsake është një lojtar kyç te blutë dhe me paraqitjet e tij pozitive po arrin të bëjë liderin në skuadër.

Lorenco, sa e rëndësishme ishte fitorja ndaj Erzenit?
Po sigurisht që ishte fitore shumë e rëndësishme, një rezultat i mirë, një rezultat bindës. Loja më pëlqeu, sepse ndonjëherë ekipet që pretendojnë për t’u shkëputur nga fundi i tabelës sjellin më shumë telashe, por sigurisht që ne e kishim për detyrë të fitonim një ndeshje si kjo. Mendoj se ekipi tregoi mençuri dhe karakter të fortë, çka na solli edhe rezultatin 2-0.

Riktheheni të shënoni, ku në dy javë keni gjetur tre gola. A është momenti juaj më i mirë i këtij sezoni?
Jam shumë i kënaqur, pasi golat çdokënd e kënaqin, pavarësisht nëse je mbrojtës apo sulmues. Por më të rëndësishme janë fitoret e ekipit dhe të vazhdojmë me suksese.

U pa një Teutë që e menaxhoi ndeshjen dhe shënoi në kohën e duhur duke e “vrarë” takimin… Pse nuk e bëni vazhdimisht këtë gjë?
Në dallim nga dy fazat e para tanimë, insistojmë të shënojmë sa më shpejtë për të pasur siguri në interpretimin e lojës dhe me qëllim që rezultati të na mundësojë të luajmë më lirshëm. Sërish e them se presioni që ndiejmë për të fituar ndeshjet ka një ndikim, sepse vjen fundi i kampionatit dhe çdo dështim është vështirë për t’u kompensuar. Prandaj dua të përgëzoj shokët për karakterin e treguar dhe për paraqitjen, pasi rezultati ishte bindës dhe në momentet më të mira të lojës sonë arritëm ta mbyllnim ndeshjen.

Si e shihni gjysmëfinalen e parë përballë Tiranës?
Dy ndeshje fantastike për t’u përjetuar me shumë intensitet. Dihet se përveç kampionatit ne kemi ambicie për të shkuar deri në fund edhe në Kupën e Shqipërisë. E dimë se janë dy ndeshje dhe duhet të kemi përqendrim maksimal dhe të jemi të kujdesshëm. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, të gjithë jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin e për të marrë më të mirën nga ndeshja e parë.

Në ndeshjet e mbetura mendoni se Teuta do të ngjitet akoma më lart në renditje?
Duke llogaritur faktin se kemi akoma shumë ndeshje për të zhvilluar, mendoj se kemi gjasa për lart, mirëpo duhet të shkojmë kështu ndeshje pas ndeshjeje dhe shpresojmë që së pari ne t’i fitojmë ndeshjet tona dhe pastaj edhe kundërshtarët të bëjnë gabime rrugës. Shpresoj të afrohemi edhe më shumë me kreun e tabelës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"