Vëzhgohen 150 fëmijë në ditë, ndoshta FSHF-ja duhet të ndryshojë plan/ Ja çfarë nuk shkon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2022 | 19:04

Vëzhgohen 150 fëmijë në ditë, ndoshta FSHF-ja duhet të ndryshojë plan/ Ja çfarë nuk shkon

Pak ditë më parë Drejtoria e Ekipeve Kombëtare pranë FSHF-së zhvilloi dy seleksionime në Gjermani dhe Itali me fëmijët e grupmoshave 2005-2009.

fshf moshat

Në total nga seleksionimet njëditore në Frankfurt dhe Milano u vëzhguan rreth 280-300 fëmijë, një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë, të cilët ëndërrojnë që një ditë të veshin fanellën e Kombëtares së madhe dhe të luajnë për kombin e tyre edhe pse jetojnë në një shtet tjetër, si djemtë e shumë shqiptarëve që kanë emigruar vite më parë apo edhe në vitet e fundit për një jetesë më të mirë.

Federata Shqiptarë e Futbollit ka ngritur një fond të caktuar për të realizuar një gjë të tillë dhe shumë mirë bën, pasi fokusi te të rinjtë duhet të jetë në çdo moment, sepse që aty është mundësia më e madhe që të evidentosh një talent, i cili mund të vihet në shërbim të ekipit të parë në të ardhmen, por edhe mbahet vazhdimisht nën vëzhgim gjatë rritjes së tij.

PO ÇFARË NUK SHKON?- Pa dashur që ta trajtojmë në aspektin negativ, nëse ngrihet pyetja se a ishte organizimi i këtij seleksionimi në mënyrën e duhur dhe a mund ta quajmë edhe produktiv, atëherë përgjigjja do të hante shumë diskutim.

Nëse brenda një dite të vetme testohen 150 fëmijë, atëherë si mund të bëhet një vlerësim i saktë në sytë e katër njerëzve, të cilët janë trajnerë nga qytetet ku u zhvilluan seancat, duke qenë se numri i fëmijëve ishte i lartë. A mjafton një ditë e vetme për të evidentuar një talent, apo qoftë edhe një futbollist të mirë?

Diçka që ha diskutim dhe këtu po flasim për fëmijë dhe për të realizuar diçka konkrete, e cila do t’i vlejë Shqipërisë dhe jo me vendime të nxituara, të cilat merren në një seleksionim njëditor, me gjithë respektin e të gjithë fëmijëve që do të përzgjidhen.

Më serioze dhe më e lehtë edhe për trajnerët që kanë ndjekur nga afër këto dy seleksionime, do të ishte një vendosje disa ditore në Gjermani dhe Itali, duke iu dhënë mundësinë edhe fëmijëve për të shfaqur ditën e dytë apo të tretë atë që nuk mundën dot të shfaqnin në vetëm një seancë, po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për trajnerët, të cilët do të krijonin një ide më të qartë në kokën e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"