U dha trofe peqinasve me golin e tij, heroi Barbosa: Qëndroj te Shkumbini!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2021 | 17:00

U dha trofe peqinasve me golin e tij, heroi Barbosa: Qëndroj te Shkumbini!

Rafael Barbosa dos Santos i ofron “besnikëri” Shkumbinit. Heroi i finales së Kategorisë së Dytë nuk e ka në plan që të largohet nga Peqini. Tani që skuadra u ngjit në të Parën, sulmuesi ka edhe një motiv më shumë për të qëndruar.

barb
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai shuan dilemat për të ardhmen, si edhe tregon emocionet që i dhuroi trofeu i marrë përballë Maliqit. “Kam ardhur nga Italia në Peqin një vit më parë. Ishte menaxheri im që ma propozoi këtë transferim dhe u binda. Tani që ka kaluar një sezon, e them me bindje se jam i lumtur për zgjedhjen time dhe mundësinë që m’u dha në Shqipëri.

Doja të flisja rreth finales e cila sigurisht që më dhuroi shumë emocione në aspektin personal duke qenë se isha unë autori i golit të fitores dhe pa dyshim që ky moment e shtoi edhe më shumë dashurinë dhe respektin që kanë tifozët e Peqinit për mua.

Personalisht ndihem shumë mirë që golat e mi kanë ndihmuar ekipin për të arritur objektivin si dhe për ta futur klubin në historinë e kampionëve të Kategorisë së Dytë. Mendoj se Shkumbini e meriton që të jetë sa më lart”, u shpreh fillimisht “bomberi” i bardhekaltërve. Më tej Barbosa sqaron detaje nga kontrata e tij, si edhe bisedën që ka zhvilluar me trajnerin. “Ka qenë një kampionat shumë pozitiv në kompleks.

Drejtuesit janë treguar më shumë se korrektë në lidhje me kushtet e kontratës, e cila skadon me mbylljen e sezonit. Në këtë kuadër unë kam bërë bisedime me drejtuesit në lidhje me sezonin e ri, por ende nuk kemi caktuar asgjë.

Në të vërtetë dua të them se kam pasur edhe oferta nga skuadra të tjera, por për momentin nuk është zyrtarizuar gjë. Trajneri Pashja më ka thënë se më sheh në planet e tij për Kategorinë e Parë, por siç e thashë, këtë do ta vendos më vonë. Tani dua të shkoj në Itali te familja e te djali im dhe pas rikthimit do të përcaktoj të ardhmen tim. Por, e them me plot gojë: Dëshira ime është që të vazhdoj te Shkumbini”, përfundoi braziliani, që jeton përtej Adriatikut.

FATMIR AHMETI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"