“Tri pikë në Shkodër si bonus”, Teuta sheh nga Europa, Beqja: Parakalojmë Vllazninë e Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2023 | 10:20

“Tri pikë në Shkodër si bonus”, Teuta sheh nga Europa, Beqja: Parakalojmë Vllazninë e Laçin

Ledio Beqja është një nga liderët e repartit të mesfushës te Teuta e këtij sezoni. Lojtari durrsak është kthyer në një prej titullarëve të padiskutueshëm të skuadrës dhe në këtë fundsezoni shpreson që të arrijnë objektivin e vendosur nga klubi përmes kampionatit. Fakti që finalja e Kupës do të jetë Tirana-Egnatia, dy skuadra që pozicionohen në treshen e parë, kjo bën që të lirohet një pozicion në kampionat.

ledio beqja

Pra, vendi i katërt të jetë pjesë e Ligës së Konferencës. Kësisoj, ndeshja e së mërkurës në Shkodër, VllazniaTeuta, bëhet vendimtare dhe në një intervistë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari flet për rëndësinë e këtij takimi, duke besuar te fitorja në “Loro Boriçi”. Ledio, pas eliminimit në Kupë, ju pret një ndeshje delikate ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Çfarë prisni nga ndeshja e së mërkurës?
Luajmë përballë një kundërshtari shumë të fortë, që pavarësisht situatave, besoj se është një nga ekipet me të mira të kampionatit. Rëndësia e kësaj ndeshjeje dihet, por ne do të futemi në fushë me besimin maksimal që të marrim një rezultat pozitiv. Nuk futemi në fushë me mendimin që të shmangim humbjen, por të fitojmë ndeshjen për t’u ngjitur në tabelë. Ky kampionat ka treguar që nuk ka diferenca, prandaj kush përqendrohet dhe jep më të mirën, mund çdo skuadër.

Sa shanse keni për të kapur vendin e katërt, që është një pozicion, i cili mund të japë Europën përmes kampionatit?
Fitorja me Tiranën në kampionat na shtoi besimin dhe tashmë vazhdimësia është e rëndësishme, pasi mbeten vetëm katër ndeshje. Nëse marrim tri pikë në Shkodër, do të ishte një bonus i madh. Duket se keni gjetur një stabilitet mes reparteve si skuadër.

Si e keni parë lojën në ndeshjet e fundit?
Mendoj se skuadra po bën mirë në të dyja fazat e lojës. Duke qenë të bashkuar, shanset i kemi më të mëdha për një mbyllje pozitive. Besojmë shumë që do të arrijmë objektivin e klubit.

A mund të themi që sezoni i Teutës varet nga ndeshja në Shkodër?
Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e fortë dhe të gjithë çunat janë të ndërgjegjshëm për këtë. Duhet të jemi 100% të përqendruar për të marrë atë që kërkojmë. Besoj se të gjithë që janë në skuadër do të japin maksimumin e tyre.

Çfarë ju bind më tepër te kjo Teutë për të kapur Europën në fund?
Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe do të vazhdojmë si të tillë. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Kemi kualitete dhe harmonia në skuadër do të na çojë drejt suksesit. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që t’i tregojmë në fushë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"