TENIS/ Siner në histori, fiton Australian Open 2024. Janik sjell në Itali pas 48 vitesh një trofe grand slam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 10:43

TENIS/ Siner në histori, fiton Australian Open 2024. Janik sjell në Itali pas 48 vitesh një trofe grand slam

Janik Siner ka shkruar historinë. 22-vjeçari bëhet italiani i parë që fiton turneun Australian Open dhe i treti “axurr” që triumfon në një grand slam.

ffgf

Siner fitoi dje në finale kundër rusit Danil Medvedev me rezultatin 3-2 (3-6, 3-6, 6-4, 6-4, 6-3), në një takim spektakolar që zgjati 3 orë e 46 minuta. Një sukses me përmbysje nga 0- 2 në 3-2, me Sinerin që sjell në Itali një trofe grand slam që mungonte prej 48 vitesh, që prej triumfit të Adriano Panatës në vitin 1976 në Roland Garros. Siner shfrytëzon në maksimum forcën dhe përgatitjen e tij fizike, duke mposhtur kundërshtarin e tij në setin e pestë. Janik shkruan kështu një kapitull themelor në historinë e tenisit dhe të sportit italian, duke thyer një mallkim që kishte zgjatur për gati gjysmë shekulli. Ai e bën këtë në fund të një finaleje shumë të gjatë, gati 4- orëshe, një duel që për pak e pa tenistin italian në kolaps, por më pas Siner u rikthye fuqishëm, duke realizuar përmbysjen e madhe. Medvedev dominoi dy setet e para, duke shfrytëzuar mbi të gjitha një shërbim “vdekjeprurëse”, ndërsa Siner e vuajti shumë fillimisht lojën e rusit, duke humbur shumë topa të parë, për të kaluar në nervozizëm.Por më tej, pas dy seteve të humbura 3-6, italiani reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Siner u përmirësua në shërbim, ndërsa Medvedev nisi të shfaqte shenja lodhjeje. Kështu Janik fiton besim në veprimet e tij, teksa fillimisht ngushton në 1-2 duke fituar setin e tretë 6-4. Me të njëjtat shifra italiani triumfon edhe në setin e katërt, duke e çuar finalen me pesë sete. Me anën psikologjike dhe fizike në krahun e tij, Siner ishte i pamëshirshëm ndërsa Medvedev dukej i dorëzuar. Kështu Siner nuk fal, duke e fituar setin final 6-3 për të hyrë fuqishëm në historinë e tenisit. Një sukses i jashtëzakonshëm, por ky pritet të jetë vetëm fillimi për Sinerin, i cili edhe pas titullit në Australian Open mbetet në vend të katërt në renditjen ATP, po duke u afruar edhe më shumë me kreun.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"