Telushi: Shohim vetëm veten tonë, karrierën e mbyll si qendërmbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 20:15

Telushi: Shohim vetëm veten tonë, karrierën e mbyll si qendërmbrojtës

Partizani mori një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë, që i mban të kuqtë ende në garë, megjithëse situatat sa vijnë e bëhen më të ndërlikuara.

BRUNO TELUSHI

Pas triumfit me shifrat 2-1 të të kuqve, për “Panorama Sport” u prononcua ekskluzivisht kapiteni i ekipit, Bruno Telushi. Vlonjati shprehet se ekipi duhet t’i rregullojë statistikat në mbrojtje, teksa shton se të kuqtë do të përqendrohen vetëm për të fituar ndeshjet e tyre dhe në fund do të bëjnë llogaritë e titullit.

Pas atij barazimi në derbi, si u motivuat gjatë javës për këtë ndeshje ndaj Vllaznisë?

Duhej dhe u motivuam. Unë nuk e konsideroj zhgënjyes rezultatin e derbit. Ishte një ndeshje, që dihet sa e vështirë është. Ne dhamë maksimumin. Normalisht mund të kishim bërë pak më shumë në pjesën e dytë dhe në atë moment, kur pësuam gol. Ishte një ndeshje për të luftuar, që në fund barazim. Këtë javë normalisht që nuk mund të dorëzoheshim, sepse kampionati do të shkojë deri në fund. Edhe ne do t’i luajmë ndeshjet deri në minutën e fundit. Kështu që normalisht të gjithë kemi qenë të motivuar.

Partizani ka pasur mundësi rrugës për t’u shkëputur dhe për të mos e diskutuar titullin deri në këtë pikë. Ju vjen keq që tashmë vareni nga të tjerët?

Është e vërtetë që kemi bërë ndalesa rrugës, por ne nuk e kthejmë kokën pas dhe do të shohim garën tonë. Normalisht që nuk do të përqendrohemi te ndeshjet e tjera. Të shohim vetëm veten tonë. Të mundohemi të fitojmë ndeshjet tona, pastaj se si dalin kundërshtarët, është çështje tjetër. Ne japim maksimumin tonë.

36 gola në 34 javë. Mos janë shumë për Partizanin kaq rrjeta të pësuara?

Mendoj se nuk janë as pak, por as shumë. Por them se duhet ta përmirësojmë këtë statistike, duke pësuar më pak dhe duke shënuar më shumë gola.

Tirana në vijim luan me dy skuadra, që janë ende në garë për mbijetesën. Sa shanse mendoni se keni për titullin kampion?

E thashë, nuk e shikojmë fare as Tiranën, as kundërshtarët e tjerë. Ne do të shikojmë punën tonë, ndeshjet tona. Do të mundohemi të japim maksimumin në ato ndeshje dhe në fund të shohim si shkojnë gjërat.

Nga mesfushor, në qendërmbrojtës. Kush ishte iniciator i këtij spostimi dhe si ndiheni në këtë pozicion të ri?

Në pjesën më të madhe të karrierës kam luajtur në mesfushë, por duke parë se u largua Bitri në janar dhe patëm një ngërç në mbrojtje, trajneri Kolela dhe stafi i tij menduan të më kalonin mua qendërmbrojtës. Jam përshtatur shumë mirë dhe mendoj se do të vijoj të luaj në këtë pozicion deri ndoshta në mbyllje të karrierës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"