Stërvitja e fundit, trajneri Magani ka merak peshën. Porosi “strikte” për 7 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 21:58

Stërvitja e fundit, trajneri Magani ka merak peshën. Porosi “strikte” për 7 ditë

Besa mbyll zyrtarisht vitin. Me një seancë të zhvilluar pardje, kavajasit u kanë dhënë fund përgatitjeve për 2022-shin. Skuadra do të pushojë plot 7 ditë dhe meraku i madh i trajnerit është… pesha.

MAGANI

Përpara të besuarve të tij, numri një i pankinës nuk harroi të jepte porositë për pushimet. Ai pret që kur të kthehen më 5 janar, të gjithë të kenë formë trupore brenda parametrave dhe gati për të startuar fazën përgatitore.

“Shumica jeni djem të rinj dhe është normale që në ditë festash ta teproni disi me ushqimin dhe pijet. Ndaj e shoh të udhës, që t’ju jap një porosi secilit. E mirëkuptoj të festuarit me familjen, shoqërinë, por dhe një gotë verë më shumë apo një pjatë më shumë. Por ju këshilloj të ruheni nga shtimi i kileve, pasi do të jetë në dëmin tuaj. Secilit do t’i jap një program stërvitor individual dhe dua ta zbatoni atë, pasi do të jetë parandaluesi i peshës dhe do të bëjë të ruani gjendjen fizike. Jo më kot thuhet se nëse e lë stërvitjen një ditë, ajo do disa ditë të kapësh gjendjen. Prandaj festoni, gëzohuni me familjet tuaja, por mos harroni dhe as mos i neglizhoni këto porosi”, mësohet t’u ketë thënë futbollistëve, tekniku peqinas.

Më tej, i gjithë grupi i është drejtuar seancës stërvitore në të cilën nuk mungoi as presidenti Nexhat Bizhdili. Pas saj të gjithë pa përjashtim iu drejtuan një prej lokaleve të bregdetit për të drekuar e kaluar një mesditë të larmishme. Kujtojmë se vetëm para pak ditësh të gjithë futbollistët dhe stafi teknik “mbushën xhepat”, çfarë do të thotë se do ta hanë drekën me qejf. Ndërkohë, i pyetur enkas nga gazeta “Panorama Sport”, në mbarim të stërvitjes për çështjen e merkatos, Gugash Magani deklaroi se po vijojnë bisedimet për të marrë futbollistë të tjerë. Nuk ka dhënë fort detaje, e megjithatë ka evidentuar se në të tria repartet do të ketë përforcime. Mbetet për të parë në datën 5 janar se kush do të jenë “krushqit” e parë të Besës për 2023- shin.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"