Statistikat e Lajpcig-Bajern/ Prisni spektakël dhe 4-5 gola, Kejn ballafaqohet me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2023 | 10:20

Statistikat e Lajpcig-Bajern/ Prisni spektakël dhe 4-5 gola, Kejn ballafaqohet me…

Lajpcig-Bajern Mynih i ka rezervuar gjithë “projek torët” e vëmendjes në javën e 6-të drejt “RedBull Arena”, si tempulli ku do të japë verdiktin mbi formën e ekipeve respektive. Konkretisht kampionët numërojnë 13 pikë pas 5 raundesh, një me tepër se “demat”, të cilët mbajnë vendin e 4-t në tabelë. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga statistikat me interesante nga të dyja kampet.

lajpcig bajern

MYLER, I PANDALSHËM- Tomas Myler, përgjatë suksesit javën e kaluar ndaj Bohumit, regjistroi fitoren numër 321 në harkun e 447 takimeve. Nëse 34-vjeçari nga Bavaria ia del sërish kundër Lajpcigut, ai do të barazojë Nojerin me 322 ndeshje si triumfues në Bundesligë.

GOLEADORI KEJN- Bomberi anglez Herri Kejn i ka përmbushur pritshmëritë deri në këtë pikë me Bajernin, duke gjetur rrugën e rrjetës në 7 raste (kampionat). Në përballjen me Bohumin, 30-vjeçari anglez u përfshi në 5 gola (3 finalizime dhe 2 asiste), kuotë e njëjtë është arritur më parë nga Herri në maj të vitit 2017 ndaj Leisterit me fanellën e Totenhemit (4 gola dhe 1 asist) dhe në shtator të 2020- shit karshi Southamptonit.

SULMI KUNDËR MBROJTJES- Bajern Mynih mburret më të drejtë pas 5 javësh si ekipi që e ka tundur më shpesh kuadratin mik, saktësisht 18 herë, me një mesatare prej 3.7 golash për ndeshje. Por, nga krahu tjetër, gjen mbrojtjen më të mirë në ligë. Fituesit e Superkupës së Gjermanisë rezultojnë si kockë e fortë në prapavijë, vetëm 4 gola të pësuar, aq sa është edhe kuota në kampin e miqve. Nëse mbledhim minutat që Janis Blasvish e ka mbajtur portën e pastër, përkon me 325 minuta radhazi, 3 sfidat e fundit nuk ka nxjerrë në asnjë rast topin nga kuadrati (Union-Lajpcig 0-3, Lajpcig-Augsburg 3-0 dhe M’Gladbah-Lajpcig 0-1).

BILANCI- Edhe pse të besuarit e Marko Roze ia kanë dalë të “fshikullojnë” bavarezët në dy përballjet pararendëse, ata mbeten prapa nëse marrim në konsideratë numrin total. Ekzaktësisht Bajerni ka 10 fitore, kundrejt 3 të “demave” dhe 5 raste janë ndarë në paqe. Shkohet më tej se rekordmenët nuk e njohin humbjen si mysafirë në tempullin e Lajpcigut në 6 duelet e mëparshme, 3 fitore, 3 barazime.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"