“Shkup 1972″/ Kur shqiptarët shkëlqenin në Olimpiadën e shahut, por u “dogjën” se refuzuan Izraelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 21:57

“Shkup 1972″/ Kur shqiptarët shkëlqenin në Olimpiadën e shahut, por u “dogjën” se refuzuan Izraelin

NGA UVIL ZAJMI
Shkup 1972. Kanë kaluar 50 vite nga ajo Olimpiadë. E konsideruar ngjar ja më e madhe, jo vetëm për historinë e shahut, por edhe të sportit shqiptar, ai turne nisi me rezultate premtuese dhe me një përfaqësim dinjitoz, por do të braktisej me bujë nga ekipi shqiptar, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë e as më vonë, duke tronditur mjedisin botëror të kuadratëve, por jo vetëm. Nga grumbullimi i gjatë, përgatitja, starti i 19 shtatorit, entuziazmi, shpresat për një paraqitje sa më të mirë.

Ekipi i Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ’72, nga e majta, në këmbë: Shoqëruesi i sigurimit, Fatos Muco, Ylvi Pustina, Mitat Luci, Floran Vila, Fatos Omari, Aldo Zadrima. Ulur nga e majta, Vangjel Adhami, përkthyesi.

Ekipi i Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ’72, nga e majta, në këmbë: Shoqëruesi i sigurimit, Fatos Muco, Ylvi Pustina, Mitat Luci, Floran Vila, Fatos Omari, Aldo Zadrima. Ulur nga e majta, Vangjel Adhami, përkthyesi.

Pas një gjysmë shekulli, “Panorama Sport” e rikthen për lexuesit, atë kronongjarje të rrëfyer nga vetë mjeshtrit e gurëve bardhezi, protagonistë në atë veprimtari gjigante e të paharruar, kur për një gjysmë pike nuk u sigurua grupi final – A. Nga gazeta “Borba” te “Politika”, çfarë ngjau, ishte vetëm refuzimi për t’u ndeshur me Izraelin apo kishte lidhje me bojkotin e ftesës për pritjen që organizonte Tito në Beograd? Në fund, cili ishte reagimi i Tiranës në mbështetje të shahistëve shqiptarë?

PËRFAQËSIMI I SHAHUT SHQIPTAR NË BALLKANIADA E OLIMPIADA
Nga libri “Shahu shqiptar në vite” i K. Andonit dhe M. Ibrahimit, informohemi se konkurrimi i parë ndërkombëtar regjistrohet në Kampionatin Ballkanik, Beograd 1946, 28- 30 gusht të vitit 1946, ku Shqipëria paraqitet me: Gaspër Shoshin kampion, Bujar Hoxha, Sotir Qirjaku, Skënder Çarçani (kap. ekipi), Lefter Doga, Xhafer Caushi, Qazim Baroni, Ahmet Gashi. Rezerva: Hulusi Spahiu, Vangjel Gjikondi. Përgjegjës ekipi: Anton Mazreku. Gazetar dhe përkthyes: Veiz Sejko. Në përfundim, vendi i fundit, pas Jugosllavisë, Rumanisë e Bullgarisë, vetëm 1 pikë në dy barazime me Bullgarinë.

Konkurrimi i dytë ndërkombëtar i përmasave të mëdha është ai në Lajpcig (RDGJ) 1962,O.B. e Shahut, edicioni i 14-të, që do të shënonte edhe një surprizë për kohën, kur Shqipëria renditet në vendin e 28-të (9 fitore, 1 barazim, 10 humbje), ndër 40 shtete, dhe shahistët janë: Y. Pustina, B. Hoxha, E. Konçi, F. Omari, M. Veizaj, tr. B. Hoxha, përgjegjës ekipi V. Gjikondi. Shqipëria do të jetë prezente edhe në Varna (Bullgari), OB e vitit 1962 duke u renditur në vendin e 26-të ndërmjet 37 shteteve me 10 fitore, 4 barazime e 6 humbje. Në atë turne shahistët janë: Y. Pustina, E Duraku, E. Konçi, M. Veizaj, T. Siliqi, F. Omari, N. Kadiu, përgjegjës ekipi.

Nuk ka pjesëmarrje në Olimpiadën Botërore Tel Aviv 1964, as në Havana 1966, Lugano 1968, për t’u rikthyer në një turne të tillë në edicionin 1970, në Ziegen (RFGJ), ku shahistët shqiptarë janë në grupin e 6-të. Por, humbja 0-4, pas refuzimit për të luajtur me shahistët e Republikës së Afrikës së Jugut ndikoi në renditjen përfundimtare. Vendi i 38-të nga 60 shtete (10 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje). Protagonistët janë: Y. Pustina, E. Duraku, F. Vila, V. Adhami, E. Konçi, F Omari, tr. B Hoxha. Sidoqoftë, shahu shqiptar ka rritje, këtë e tregojnë rezultatet dhe përfaqësimi. Pastaj Olimpiada Botërore e Shkupit 1972, shkëputja e gjatë 8-vjeçare, për t’u rikthyer në këtë turne, pikërisht në OB Shqiptarët shkëlqenin në Olimpiadën e shahut, por u “dogjën” se refuzuan Izraelin Olimpiada e 20-të “Shkup 1972”, çfarë ndodhi 50 vite më parë Dyshimet se kishte lidhje me bojkotin ndaj Titos në Beograd Nga UVIL ZAJMI 1980, e zhvilluar në La Valeta të Maltës.

PËRGATITJA NËN FRYMËN: “NJË PËR TË GJITHË E TË GJITHË PËR NJË”
Për Olimpiadën Botërore të Shkupit (Jugosllavi), skuadra u grumbullua në Durrës, hotel “Vollga”, duke nisur nga 1 korriku. Grupi përbëhej nga gjashtë shahistë, sipas renditjes më të mirë, bazuar në rezultatet më të mira të dy viteve të fundit, ku janë mjeshtra, kampionë, dhe me eksperiencë në të tillë turne ndërkombëtarë: Ylvi Pustina, Vangjel Adhami, Floran Vila dhe Fatos Omari. Si dhe shahistët e kategorisë së parë, Fatos Muço e Aldo Zadrima debutues në një veprimtari të tillë. Trajnerë janë Bujar Hoxha dhe Zef Ashta.

“Përgatitja synon në shtimin e numrit të hapjeve, finalet. Zhvillohen ndeshje kontrolli, ndeshje konsultative me grupe, ndeshje me kohë të shkurtër ‘blic’ dhe të zgjatur. Grumbullimi ka për qëllim edhe përgatitjen teoriko-praktike, duke bërë një punë të kujdesshme ideopolitike, gjithmonë me parimin ‘një për të gjithë e të gjithë për një’, që demonstron shpirtin e solidaritetit e të unitetit”, informon gazeta “Sporti”. Përveç seancave stërvitore, ajo fazë e gjatë përgatitore është shoqëruar edhe nën ndikimin e finales më të madhe në historinë e shahut botëror me metçin ndërmjet kampionit të botës, rusit Boris Spaski, dhe Robert Fisherit, i zhvilluar në Reikjavik të Islandës, pikërisht në periudhën korrik-gusht 1972. Njëtakim që për ngjarjet që përcolli, tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës, jo vetëm asaj shahistike. Mbi të gjitha, loja, befasitë, surprizat e kandidati amerikan, Bob Fisher, që u shpall kampion në përfundim të tij. 1972,

Hapja e Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ‘72

Hapja e Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ‘72

VITI I NGJARJEVE TË MËDHA
Ai vit mbetet edhe sot tejet i veçantë, i lidhur me disa veprimtari të mëdha, si në sportin shqiptar dhe atë botëror. Siç thamë më sipër, metçin final në shah për titullin kampion botëror, ndërmjet rusit Spaski dhe pretendentit, amerikanit Bob Fisher. Pastaj Olimpiada Mynih ‘72, një ngjarje e madhe historike edhe për sportin kombëtar, kur për herë të parë regjistrohet pjesëmarrja e një delegacioni shqiptar në një Olimpiadë me një grup sportistësh garues: peshëngritësi Ymer Pampuri, në qitje me Ismail Ramën, Fatos Pilkatin, Beqir Kosovën dhe Afërdita Tushën, femrën e parë shqiptare konkurruese në Lojërat Olimpike.

Tragjedia, pas sulmit terrorist ndaj sportistëve izraelitë në këtë olimpiadë, me pasojë vdekjen e disa prej tyre. Futboll: Kualifikimi i madh i Besës së Kavajës ndaj danezëve të Framadit, në turin e parë të Kupës së Kupave, në të parin e të fundit konkurrim europian të klubit kavajas. E para edhe për historinë e klubeve shqiptare në përfaqësimet kontinentale. Dhe mbi të gjitha, paraqitjen e shkëlqyer të shahistëve shqiptarë në Olimpiadën Botërore të Shkupit. Të gjitha aktivitetet e zhvilluara në harkun e pak muajve, korrik-tetor 1972.

OLIMPIADA XX, DREJT SHKUPIT ME PRETENDIME
Ajo mund të konsiderohet skuadra më e fortë përfaqësuese në historinë e shahut kombëtar. E caktuar në grupin e 7-të (tetë ishin grupet në total), ku janë edhe Bullgaria, Holanda, Kolumbia, Australia, Porto Riko, Iraku dhe Andorra, Shqipëria do të luajë me: Y. Pustinën (tavolina e parë), Floran Vilën (tavolina e dytë), Vangjel Adhamin (tavolina e tretë) dhe Fatos Muçon (në tavolinën e katërt). Rezerva janë: Fatos Omari, Aldo Zadrima. Nuk do të jetë Bujar Hoxha, dhe ekipi nuk do të ketë trajner. Shoqërues është Mitat Luci.

Por, dy ditë para nisjes, vjen lajmi se për në Shkup do të shkojnë vetëm katër shahistë dhe një rezervë. Reagimi i komunitetit të shahut është i fortë që e detyron shtetin të ndryshojë projektin. Motivi ishte shumë banal. Udhëtimi do të bëhet me autobus, Qafë-Krrabë, Qafë-Thanë, Strugë. Në Shkup, sistemimi i shahistëve është caktuar në fshatin olimpik në periferi të qytetit, ku janë edhe ekipet e tjera. Pretendimet janë të mëdha, pasi edhe potenciali teknik është i tillë, edhe pse ajo Olimpiadë Botërore parashikohej e vështirë me takime, sfida, përballje të ashpra. Do të luhet ndaj kolosëve të shahut botëror, mjeshtrave të mëdhenj, ku midis tyre janë edhe Petroshian, Korcnoi, Tal, Karpov, Portish, Gligoric, etj. Për në fazën finale, në Grupin A kualifikohen vetëm dy ekipet e para të çdo grupi.

Pamje e sallës ku do të zhvilloheshin takimet

Pamje e sallës ku do të zhvilloheshin takimet

CILAT ISHIN REZULTATET E NDESHJEVE NË TURIN E PARË ELIMINATOR?
Në ndeshjet e turit të parë kualifikues, shahistët shqiptarë u paraqitën mjaft mirë, duke i befasuar të gjithë me rezultatet që arritën. Në ditën e parë, 19 shtator, përballë është Porto Riko, që në Ziegen ‘70 ka fituar 3.5-5. Pustina barazon me MN Kaplan, Vila, Adhami, Muço fitojnë me Martinezin, Berior e Benitez dhe 3.5- 05. Në ditën e dytë, 3-1 me Andorrën. Fitojnë, Pustina, Adhami, Muço, humbet Vila me Korderos.

Në ditën e tretë, përballë është Kolumbia, me të cilën ishim ndarë në barazim dy vite më parë. Pa asnjë humbje, 3.5-5 do të përfundojë takimi, kur Pustina barazon me MN Kulear, Vila fiton me Gueteres, Adhami me Kuerias dhe Muço me shahistin e mjeshtrin e njohur, De Greif. Në ditën e katërt luhet me Bullgarinë, një ekip cilësor: Dy barazime me dy MMN: Pustina me Bobokovin, Adhami me Pedevskin. Humbasin Vila me Rudolovin, Muço me Pejevin edhe këta MMN. Do të vijohet me triumfin e bujshëm e të thellë, 3.5-5 me Australinë, e konkretizuar me fitoret e Vilës me Fuller, Adhamit me Hej, Muços me Plotoev. Në tavolinën e parë Pustina barazon me MMN, Braun.

Për të ardhur në ditën e parafundit me ekipin e fortë të Holandës të gjithë MN, një takim vendimtar, dhe 2-2. E fundit në grup, fitore 4-0 me Irakun. Në renditjen përfundimtare, vendi i parë, Bullgaria me 20.5, Holanda 20, Shqipëria 19.5 pikë (1 humbje, 5 fitore dhe 1 barazim), Kolumbia 16, Australia 16, Porto Riko 10.5, Iraku 5.5, Andorra 4 pikë. Në grupet e tjera: Grupi 1: BS, Danimarka; Grupi 2: Jugosllava, Zvicër, Grupi 3: Hungari, Poloni; Grupi 4: RFGJ, Argjentina; Grupi 5: Çekosllovaki, Spanjë; Grupi 6: RDGJ, Suedi dhe në Grupin 8: SHBA, Rumani. Shqipëria me 19.5 ishte ndër formacionet e forta, kur skuadra që mori më shumë pikë në atë fazë eliminatore ishte RFGJ me 25 pikë, Çekosllovakia, RDGJ 23.5, Hungaria 23, BS 22, apo vendet e dyta: Polonia 22, Suedia 20, Norvegjia 20, Zvicra 19, Argjentina 18.5 etj.

KOMPROMIS EDHE NË SHAH
Ndodh edhe në shah dhe kjo është e lidhur me dy përballjet e grupit të 7-të, saktësisht me takimet Shqipëri-Holandë dhe Holandë-Porto Riko. Në raundin e parafundit, Shqipëria dhe Holanda barazojnë 2-2, një rezultat i kërkuar, i pranuar, i dëshiruar, i interesuar nga holandezët. Pustina barazon me Doner, Vila me Ri, Adhami me Timan, Muço me Hertof. Holanda, tashmë në vendin e dytë me 18 pikë pas Bullgarisë kryesuese, dhe Shqipëria në të tretin me 15.5 pikë.

Në turin e fundit që për Holandën ishte vendimtar, do të luajë me Porto Rikon që ka 8 pikë dhe pa asnjë pretendim. Përballja ka si protagonist kompromisin apo marrëveshjen spektakolare midis dy ekipeve: Barazim 2-2, kur të gjitha sfidat, pavarësisht nga disniveli i shahistëve, u mbyllën pas 11 lëvizjeve. Holandezët sigurojnë dy pikët e nevojshme që i garantojnë vendin e dytë dhe kualifikimin për në grupin finalist A, bashkë me Bullgarinë. Shqipëria, ndonëse fitoi 4-0 me Irakun, u rendit në vendin e tretë me gjysmë pike më pak, për të luajtur në Grupin B. “

Mjeshtri Vangjel Adham

Mjeshtri Vangjel Adham

EDHE SHQIPËRIA NË MESIN E FUQIVE”
Pas rezultateve të shkëlqyera të shahistëve shqiptarë, interesimi nga gazetarët dhe televizionet vendëse ishte i madh. Ka kuriozitet edhe nga informacioni i pakët që qarkullon, për të ditur diçka më shumë nga një vend, ku sportistët kanë si privilegj një 5-orësh, dhe sporti luhet në nivele amatorësh, nuk është profesionist. “Një ndër befasitë më të mëdha pozitive të fazës eliminatore, paraqet pa dyshim hapi i madh përpara, i përfaqësueses së Shqipërisë, për një kohë të shkurtër ndërmjet dy olimpiadave. Sidomos u dallua më tepër, i shkëlqyeshmi, lojtari kryesor, Pustina, i cili në një konkurrencë shumë të fortë nuk humbi asnjë lojë, duke grumbulluar 4.5 pikë në 7 ndeshje e duke zënë vendin e parë së bashku me Mjeshtrin e Madh Bobocov, e duke lënë pas Mjeshtrat e Mëdhenj Doner, Kapllan, Braun, etj. Kjo nuk është e rastit, pasi loja e tij është vërtet kualitative dhe e sigurt.

Kjo u duk në duelin me Australinë, ku Pustina luajti kundër kryemjeshtrit Braun dhe gjatë gjithë lojës ishte në lartësi në të gjitha drejtimet. Në lëvizjen 10. Dd3 Pustina tregon se posedon dituri moderne nga teoria e shahut”. Këto do të ishin komentet e Damjanoviçit, një Mjeshtër i Madh kroat, pas fitores ndaj Australisë, në një shkrim botuar te gazeta e njohur “Borba”. Ndërsa “Politika” do të shprehej: “Edhe Shqipëria, në mesin e fuqive”. Floran Vila kujton: “Nuk po i besonin rezultatet… Kishte kuriozitet si stërviteshim, çfarë profesionesh kishim, etj. Nisur edhe nga fakti se unë isha një fizikan, pedagog, gjatë një interviste në një kanal jugosllav, duke më provokuar, gazetari këmbëngulte: “Nuk ka mundësi, nuk je i sinqertë, nuk thua të vërtetën, ti je një shahist profesionist, por nuk e tregon, e mban sekret. Shteti juaj e ka futur profesionizmin në sport, ne e dimë, ju nuk mund ta mohoni. Nuk mundesh edhe të luash shah, të jesh kampion…” Atij, pra, i dukej e pamundur se të merrje pjesë në turne e njëkohësisht edhe pedagog, fizikant. Ai nuk e besonte, kërkonte me çdo kusht që unë ta pranoja, thotë Vila për “Panorama Sport”.

306157391_1154036488796184_400769399224130695_n

Mjeshtri Floran Vila, përballë mjeshtrit M. Fuler (Australi)

TURI I DYTË, DEKLARATA: “NUK LUAJMË ME IZRAELIN”
Në Grupin B, aty ku luhet nga vendi 17- 34, bashkë me Shqipërinë janë edhe 15 shtete të tjera. Para fillimit të ndeshjeve, drejtuesit e ekipit shqiptar, me anë të një deklarate zyrtare bëjnë me dije organizatorët se ekipi shqiptar i shahut nuk do të luajë me ekipin e Izraelit për shkak se ky i fundit ndjek dhe zbaton një politikë ekspansioniste dhe agresive. Pavarësisht nga kjo kërkesë, nuk ka përgjigje, asnjë reagim, ndërsa takimet kanë vijuar normalisht:
Shqipëri-Belgjikë, 3- 1; Shqipëri-Indonezi, 2-2; Shqipëri-Kubë, 1.5-2.5; Shqipëri-Kanada, 2.5-1.5; ShqipëriIslandë, 1.2-2.5; Shqipëri-Islandë, 1.5-2.5, Shqipëri-Norvegji, 3-1, Shqipëri-Angli, 1.2- 2.5.
Në turin e tetë, 4 tetor, përballë është Izraeli. Ekipi shqiptar nuk paraqitet. Me 5 tetor, turi 9, zhvillohet Shqipëri-Itali, 2.5-1.5, ndërsa 6 tetori është caktuar ditë pushimi. Me 7 tetor, Shqipëri-Austri, 1-3, pastaj turi i 11-të me 8 tetor, Shqipëri-Kolumbi, 2.5-1.5. Pas këtij turi, Shqipëria nuk do të luajë katër turet e mbetura dhe këtu do të ndërpritet përfaqësimi i saj në këtë Olimpiadë, pasi delegacioni shqiptar do të largohet, duke e braktisur atë.

Mjeshtri Ylvi Pustina, përballë mjeshtrit W. Braun (Australi)

Mjeshtri Ylvi Pustina, përballë mjeshtrit W. Braun (Australi)

REFUZIMET, NGA ZIEGEN NË SHKUP
Jo vetëm në shah, por në të gjitha sportet, me klube, përfaqësuese, individë, me disa shtete, ishte e ndaluar, e pamundur të ndesheshe, për shkak të politikës që ndiqte Shqipëria. Nuk luhej kundër SHBA-së, Republikës së Afrikës së Jugut, Spanjës, BRSSsë, Izraelit, madje me këto vende as marrëdhënie diplomatike nuk kishte. Reagimi i sportistëve, skuadrave shqiptare shoqërohej haptazi me refuzime publike, deri largime nga turnetë dhe ndeshjet, pa marrë parasysh asgjë. Kjo për një periudhë të gjatë, e shtrirë në disa dekada, deri në fund të viteve ‘80. Dhe rastet kanë qenë të shumta e me pasoja.

Në shah, rasti i parë do të regjistrohet në Ziegen (RDGJ), “Olimpiada Botërore ’70″. 8 shtator 1970, ekipi shqiptar do të luajë ndaj Afrikës së Jugut. Para takimit, përgjegjësi i ekipit, Bujar Hoxha, bëri një deklaratë ku dënonte ashpër praninë e Afrikës së Jugut në këtë Olimpiadë. Nisur nga ky fakt, ekipi nuk u paraqit në ndeshje. Ishin organizatorët vendës, ata gjermanë, që e mbuluan mosparaqitjen, duke e justifikuar se “shahistët shqiptarë i kishte zënë gjumi” dhe gjithçka u kalua pa zhurmë, vetëm një humbje teknike 4- 0. Pas disa vitesh në Shkup, përballë është Izraeli, me të cilin jemi ndeshur në O.B të vitit 1960(Lajpcig) e humbur 1-3 (fitore e Y. Pustinës).

Por pas ngjarjeve të vitit 1967, situatës që mbizotëronte në Lindjen e Mesme në konfliktin izraelito-arab, atmosfera e rënduar politike kishte bërë të ndryshonin marrëdhëniet. Kjo edhe pas reagimit të delegacionit shqiptar në mbledhjen e OKB-së në qershor të këtij viti, me qëndrimin “pro” shteteve arabe, ku Shqipëria doli hapur kundër strategjisë, politikës amerikano-anglo-sovjetike që ata i jepnin Izraelit. Një histori që lidhet me rezoluta, projekte, propozime, qëndrime të ndryshme kontradiktore midis shteteve, gjithmonë duke iu referuar ngjarjeve në Lindjen e Mesme, ku Shqipëria ishte në vijën e parë në mbështetje të të drejtave të vendeve arabe.

PRITJA E TITOS, BOJKOTI I SHQIPTARËVE
Rikthehemi në Olimpiadën e Shkupit, ka qenë 6 tetor, ditë pushimi e caktuar në kalendar. Pikërisht në atë ditë është në program një vizitë, një pritje, që Mareshalli J.B. Tito, do të japë në Beograd për përfaqësuesit e delegacioneve të kësaj olimpiade, të cilën ai shqiptar e bojkoton dhe nuk shkon. Pikërisht pas saj, nga organizatorët, do të vijë njoftimi se Shqipëria duhet të ndeshet me Izraelin, pas të cilit delegacioni shqiptar reagon në Komisionin e Apelit duke kërkuar që përballja me Izraelin të konsiderohet një ndeshje e humbur shoqëruar vetëm një vendim, ndëshkim teknik.

Komisioni i Apelit i Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ‘72

Komisioni i Apelit i Olimpiadës Botërore të Shahut, Shkup ‘72

Por, si përgjigje, ai ripërsërit edhe një herë vendimin e tij, duke i kërkuar ekipit shqiptar të luajë me Izraelin, madje duke caktuar edhe datën, 13 tetor. Në të kundërtën, ai paralajmëron se ekipi shqiptar do të skualifikohet, duke i anuluar të gjitha rezultatet e arritura prej tij në këtë turne. Përpara këtij vendimi, drejtuesit e ekipit shqiptar reagojnë, protestojnë ashpër duke kërkuar anulimin e tij, në të kundërtën nëse nuk do të rishikohej ky vendim, ekipi është e detyruar të largohet nga Olimpiada. Por, Komisioni i Apelit është i prerë, nuk e merr në konsideratë kërkesën e shqiptarëve. Pas kësaj, duke shprehur keqardhje, të detyruar delegacioni i shahistëve shqiptarë u largua nga Olimpiada Botërore e 20-të e Shahut, ende pa përfunduar, duke mos zhvilluar ndeshjet me Greqinë, Mongolinë, Perunë dhe Filipinet.

BUJË E MADHE MEDIATIKE, SHTETI SHQIPTAR: QËNDRIM I DREJTË
Pas deklaratës së delegacionit shqiptar, që refuzonte të luante ndaj Izraelit, në të gjithë mjedisin e Olimpiadës, kudo zhurma ishte e madhe. Diçka befasuese, kur një shtet i vogël, shahistët e tij, kundërshtojnë të përballen ndaj shahistëve të një shteti me reputacion ndërkombëtar. Kjo jo vetëm për organizatorët, por më shumë për agjencitë e ndryshme, për të cilat ky lajm përbënte një sensacion edhe për faqet e para të gazetave.

Po në Shqipëri?! Edhe komuniteti i shahut, pasionantët, i gjithë populli e ka përjetuar çdo moment atë ngjarje, gjithçka ndërmjet informacioneve nga radio, TV dhe gazetat, kryesisht “Sporti” që dilte një herë në javë, ditën e martë. Për herë të parë do të njoftohet shteti, qeveria, drejtuesit e lartë të saj dhe të gjithë qëndrojnë, janë në pritje, si do të reagohet, veprohet?! Çfarë urdhri do të merret, çfarë do të ngjasë?! Presioni është i madh mbi delegacionin shqiptar, shahistët, kjo nga federata botërore, por edhe shteti shqiptar. Do të merret një vendim politik, pa lidhje me frymën e sportit, aq më tepër kur prezantimi ee rezultatet janë të jashtëzakonshme.

Si zakonisht, reagimi i shtetit shqiptar, udhëheqjes së kohës, do të ishte i menjëhershëm, i padiskutueshëm, i njohur, publik, kur në gazetën “Sporti” në faqen e parë, do të jepet njoftimi i Komisionit Qendror Shqiptar të Shahut, që i mbledhur me 14 tetor 1972, pasi dëgjoi raportet e mbajtura nga përgjegjësi i ekipit, Mita Luci, arriti në këto konkluzione, duke aprovuar qëndrimin e drejtë për të mos u ndeshur me ekipin e Izraelit, si shtet që ndjek një politikë ekspansioniste e agresive dhe në të njëjtën kohë KQSH aprovon largimin e ekipit tonë nga Olimpiada e 20-të Jubilare e Botërore e Shahut.

VIJON….

*Në numrin e ardhshëm do të lexoni intervistat me mjeshtrit Floran Vila, Vangjel Adhami, Fatos Muço dhe Aldo Zadrima, që braktisën Olimpiadën. Si e përjetuan ata refuzimin dhe orët e ankthit derisa reagoi qeveria shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"