Dinamo dhe padrejtësia e tretë nga CEV, duhej shmangur rivali sovjetik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 22:39

Dinamo dhe padrejtësia e tretë nga CEV, duhej shmangur rivali sovjetik

NGA UVIL ZAJMI
Në edicionin 1981-1982 dhe pikërisht Kupa e Kampioneve për femra, regjistroi padrejtësinë e tretë që ka goditur volejbollin shqiptar në përfaqësimet europiane. Pas Partizani-Stade de France, Dinamo-Ekzacibasi për meshkuj, në një konkurrim të tillë kontinental, në përballjet në Kupën e kampioneve, e ka radhën Dinamo e vajzave.

MixCollage-27-Mar-2024-10-36-PM-8429

Në sezonin 1981-1982, për Kupën e Kampioneve në volejboll për femra, turi i parë, SV Lohof (RFGj)-Dinamo 3-0/0-3. Në bazë të pikavarazhit, Dinamo do të sigurojë kualifikimin për në raundin e 1/8 të trofeut, por që do të ndalet nga një vendim absurd i CEV (Konfederata Europiane e Volejbollit), si një rast i paprecedent dhe i padëgjuar.

Pra,të mbetesh jashtë Europës edhe kur kualifikimin e ke arritur me djersë në fushë, kur dy sfidat vajtje-ardhje kanë përfundime të rregullta dhe është diferenca e pikëve në favor të bluve që do të përcaktojë fituesen, pikërisht Dinamon.

TRIUMFUESE NË SHQIPËRI, PROTAGONISTE EDHE NË EUROPË

Debutuese në sezoni 1978-1979, dhe pas eliminimit dramë, vetëm për një pikë, në atë vijues 1979-1980, në të dytin konkurrim europian, për Dinamon do të jetë sezoni i shpërthimit triumfal. Një arritje ndër më sensacionalet për klubin e volejbollin shqiptar të vajzave, duke kaluar dy raunde dhe regjistruar për herë të parë kualifikimin historik në “Final Four” në elitën e kontinentit. Starti merr udhë në dhjetor në turin e parë. Përballë është kampionia e Gjermanisë dhe Shverte-Dinamo 1-3 (15-8, 7-15, 13-15, 9-15). Dinamo: Tase, Duka, Ibrahimi, Turdiu, Aliko, Duni; (Kavaja, Iftiu, Dreni). Trajner: Kreshnik Tartari; Në kthim Dinamo-Shverte 3-0 (15-6, 15-3, 15-11). Dinamo: Tase, Duka, Turdiu, Ibrahimi, Duni, Aliko; (E .Kavaja, I. Iftiu).

Në turin e dytë janë kampionet e Italisë, Bari. Shkurt 1980, Bari-Dinamo 3-1 (17- 15, 15-7, 9-15, 15-9). Dinamo: Tase, Turdiu, Duka, Aliko, Ibrahimi, Duni. Publik i shumtë, në mbështetje të skuadrës vendëse, me pesë shutere dhe organizatoren e Kombëtares. 3-1 për italianet, ndaj një Dinamoje që nuk u shfaq si zakonisht, duke gabuar në shërbime. Rivalitet ka seti i parë, barazim 14-14, 15-15, që fitohet nga vendaset 17-15. Dinamo merr të tretin, që është një mundësi për sfidën e dytë, ndërsa pikavarazhi i përgjithshëm është 56- 46 për barezet. Për kualifikim, duhet një 3-0, por edhe 3-1, shoqëruar me diferencën e pikëve. Por, asnjëra prej tyre nuk do të shërbejë. 16 shkurt, Dinamo-Bari 3-0 (15-9, 15-5, 15-1). Dinamo: Tase, Turdiu, Duka, Ibrahimi, Duni, Aliko; (Kavaja, Iftiu, Pushaj, Podgorica, Gripshi). Tase, Turdiu e Duka shkëlqejnë, ndërsa edhe Ibrahimi e Aliko që pasojnë saktë.

Me to edhe Ibrahimi, Babuli e Turdiu, shoqëruar me një triumf 3-0, në gati një orë lojë. Seti i parë vetëm 13-të minuta, Dinamo ka epërsi, dëshirë dhe 15-9, nën mbështetjen e një publiku të jashtëzakonshëm. Seti i dytë, vendaset komandojnë thellë, një grafik në ngjitje nga 7-0, në 11-0, 14-4 dhe Aliko vulos 15-5. Seti tretë ishte më i shkurtri, por më spektakolari dhe një mbyllje e pabesueshme 15-1. Italianet janë dorëzuar krejtësisht, përfundimisht 3-0 dhe 45-15, janë pikët në total, duke u kualifikuar për në fazën finale, që regjistron herën e parë për një formacion shqiptar të volejbollit për femra, të futet në klubet më të forta të Europës.

Një befasi edhe për specialistët e huaj. “Final Four” do të zhvillohet në fillim të marsit 1980 në Jicin të Çekosllovakisë dhe skuadrat finalist janë: Ruda H (Bratislavë), Dinamo (Tiranë) NIM/ SE (Budapest), Ekzacibashi (Stamboll). Në përfundim të tij, Dinamo do të renditet në vendin e katërt. Sidoqoftë një pjesëmarrje historike, një konkurrim dinjitoz.

EDICIONI 1981-1982, KUPA E KAMPIONEVE, TURI PARË

Tashmë Dinamo shqiptare e vajzave është një realitet jo surprizë, konkurruese dhe rivalizues në Europë, deri e frikshme për klubet pretendente. Edicioni 1981-1982, Kupa e Kampioneve, një turne i nisur me pretendime që në start, në turin e parë ka përballë kampionet e RF Gjermane, Lohof. Takimi, vajtje do të zhvillohet me 12 dhjetor, që mbyllet 3-0 (15- 6, 15-12, 15-11) me një diferencë pikësh 45- 29 në total për vendaset. Një ndeshje pa shumë histori. E ndodhur para një skuadre të panjohur, shtatlartë me të dhëna të mira në sulm e bllok, Dinamo nuk e filloi mirë. Gjithçka ndryshoi në dy setet e tjera, kur loja e saj pati rritje. Por, dobësia kryesore ishte pritja e shërbimit. Pas një jave, ajo e Tiranës pritet më interes dhe do të rezultojë vendimtare. Prag sfida shoqërohet me një atmosferë entuziaste, shpresë të madhe për fitore e kualifikim. Dinamo me lojtare cilësore, me një potencial të madh teknik, fizik, skuadër e organizuar, me eksperiencë ndërkombëtare dhe që në stol ka një strateg, Kreshnik Tartari, në kërkim të rezultateve, përfaqësimeve befasuese kontinentale. Dhe sfida e kthimit nuk do të zhgënjejë. Ndonëse me një rezultat identik si në të parin, por do jetë llogaria e pikëve që do të vendosë kualifikimin.

TIRANË, E SHTUNË, 19 DHJETOR, Dinamo-SV Lohof 3-0 (15-5, 15-12, 15-3) Dinamo:

Tase, Ibrahimi, Duka, Duni, Qirici, Gripshi. Trajner: Kreshnik Tartari Lohof: Baier, Liebelt, Vosen, Meiertons, Reick, Place, Zeilter, Vitte. Trajner: A. imçik Arbitër: D.Vasile (Rumani), Isa Boletini (Shqipëri); Përballja është e vështirë, delikate, pasi kundërshtari ka në favor 3 sete, dhe 16 pikë diferencë, një shifër e konsiderueshme. Në të tilla kushte, Dinamos i duhet të zgjidhë dy probleme të vështira: Jo vetëm të fitojë 3-0 me sete, por të kalojë edhe shifrën, diferencën prej 16 pikësh. Ndaj një kundërshtari me shtatëlartësi, mesatarja që arrin në 1.79 metra. Por, vetëm një orë e gjysmë lojë i ka mjaftuar Dinamos.

Në setin e parë, e nxitur nga publiku, Dinamo shpërthen duke shënuar pikë pas pike, falë një lojë të organizuar nga Ibrahimi dhe 15-5. Lohof, e bindur në një fitore dhe kualifikim, aplikon një lojë, jo të mbështetur shumë te shtatëlartësia, por duke luajtur shpejt me topa të ulët, rrafsh me rrjetën dhe të shtrirë në tërë gjerësinë e saj, deri në dy ekstremet e saj. Lojtarët e saj godisnin topin jashtë bandës dhe larg, duke e vështirësuar punën e bllokut dinamovit. Kjo lojë erdhi edhe nga njohja që kishin, pas fitores 3-0 në takimin e parë, që ishte një avantazh i madh për to. Por, do të jetë loja e Dunit dhe Qiricit në bllok, të caktuara në këtë rol, një mekanizëm që funksionoi me rendiment, duke e nxjerrë jashtë funksionimin taktikën e lojës së gjermaneve. Njëkohësisht edhe shërbimi, një element i fortë te kundërshtarët për fillimin e sulmit, u neutralizua nga vajzat e Dinamos. U duk se gjermanet do të dominonin në setin e parë, por e kundërta.

Dinamo reagon, spikasin forca e Tases, Dukës, duke marrë të parin me shifrat e thella 15-5 befasuese për gjermanet dhe që hapin mundësitë dhe shpresën. Në setin e dytë, gjermanet luajnë mirë në bllok, frenojnë Dukën, dallohet Place që ngre moralin e skuadrës dhe duke udhëhequr 8-6, me dëshirën, shpresën në fitimin e atij fraksioni loje. Por Tase barazon në 9-9, pas të cilit vrulli dinamovit nuk ndalet dhe 15-12. Seti i tretë duhet të fitohet 15-11 që të sigurohet kualifikimi. Por, Dinamo e fitoi bindshëm 15-3, një triumf i thellë pas një loje të zjarrtë, pa i lënë asnjë mundësi reagimi kundërshtareve.

Me 3-0 dhe bashkë me pikët (45-20 ndaj 45-29), që i garantojnë vazhdimin e turneut të jetë në 1/8. Tase ishte e papërmbajtshme, veçanërisht në setin e tretë, duke i shtangur kundërshtaret për shpërthimin e saj, jo të tillë në Gjermani. Po kështu edhe Ibrahimi, truri i skuadrës, e kudondodhur në organizimin e sulmit, me një intuitë të admirueshme në manovrat, dhe në funksion të ekipit, në sulm e mbrojtje. Duka, një tjetër pikë e fortë, me goditjet e saj të fuqishme, duke u dalluar edhe në pritje të shërbimit. Duni e lëvizshme gjatë lojës, aktive në bllok e sulm, e palodhur në bllok dhe sulm. Një ndër më të mirat në realizmin me efikasitet të shërbimit. Qirici, bllokuese energjike, sulmuese me rendiment në pozicionin 3 edhe kjo e dalluar në shërbim. Gripshi, një tjetër lojtare që zbatoi detyrat, në situate të caktuara organizoi me sukses sulmin.

Po kështu edhe Babuli. Meritë e madhe i takon edhe trajnerit Kreshnik Tartari, skuadra e të cilit gaboi shumë pak, me kombinimet efikase Tase-DukaDuni. Bashkë me mbrojtjen, që zhvilloi një lojë aktive, falë lëvizjeve taktike. Në entuziazmin e madh, pas ndeshjes, por edhe në shtypin sportiv, jepet një urim, përgëzim për hyrjen në tetë skuadrat më të mira të kampioneve të Europës. Më 6 dhe 13 janar luhet turi çerekfinal, ndërsa kundërshtar do të jetë Sollentuna (Suedi). Një kualifikim i shumëpritur, por që në pak orë do të rezultojë pa vlerë. Nuk do të njihet nga CEV, i cili do ta konsiderojë të pavlefshëm, duke orientuar për një tjetër zgjidhje.

PROPOZIMI BEFASUES NGA CEV DHE REAGIMI I FSHV-SË

Krejt papritur Dinamo është skualifikuar. Njoftimi është dhënë në shtyp, në faqen e parë të “Sporti Popullor”, sipas një sqarimi zyrtar të Federatës Shqiptare të Volejbollit, bazuar në tri fakte:

Fakti i parë: Me telegramin e datës 26 dhjetor, kjo konfederatë na njoftonte zyrtarisht kalimin e ekipit tonë Dinamo në turin e dytë të kupës, duke na vënë përballë ekipit Solletuna të Suedisë. Ishin njoftuar datat dhe arbitrat për këto sfida. Po në këtë telegram, kërkohej gjithashtu “garancia” jonë për t’u ndeshur në turin final me ekipet hungareze, bullgare, rumune dhe sovjetike, në një kohë kur ende nuk është përcaktuar fituesja e çiftit Sollentuna-Dinamo, në turin e dytë.

Fakti i dytë: Në mënyrë të papritur e të çuditshme, më 29 dhjetor vjen një “vendim” tjetër i CEV-it, i cili bën fjalë për reklamimin e klubit Lohof, për ndeshjen e zhvilluar në Tiranë, pra 10 ditë pas zhvillimit të saj. Por, sipas nenit 10 të rregullores së Kupave të Europës, “Reklamimet ndaj zhvillimit të një ndeshjeje duhet të shkruhen në protokollin e ndeshjes dhe të konfirmohet brenda 48 orëve me letër rekomande drejtuar CEV-it. Në fakt, pas përfundimit të ndeshjes, protokolli u nënshkrua pa u shënuar asnjë reklamim në të.

Fakti tretë: CEV është në dijeni se FSHV, nuk ka gjyqtarë volejbolli të kategorisë ndërkombëtare. Në tre edicionet e fundit të Kupave të Europës për meshkuj e femra, në të cilat kanë marrë pjesë ekipet tona, në ndeshjet e zhvilluara në Tiranë, janë aktivizuar gjithnjë gjyqtarë të dytë shqiptarë pa kategori ndërkombëtare. Gjithashtu, në kërkesën e CEV-it në teletekstin e datës 9 dhjetor 1981, FSHV i dërgonte kësaj Konfederate listën e gjyqtarëve shqiptarë që viheshin në dispozicion të saj për aktivitetet e Kupave të Europës.

Këtu kërkohej t’u jepej edhe titulli i gjyqtarit apo kandidatit për gjyqtar ndërkombëtar. Në këtë listë, për të cilën nuk pati asnjë vërejtje nga ana e CEV-it, përfshihet edhe gjyqtari i dytë i ndeshjes DinamoLohof. Nëse sipas CEV-it, aktivizimi i gjyqtarëve tanë pa kategori ndërkombëtare përbën shkelje, atëherë pse heshti ndaj kërkesës tonë? Pse CEV nuk mori masa për të dërguar 2 gjyqtarë të huaj ndërkombëtarë në Tiranë?

Nisur nga këto fakte, Federata Shqiptare nuk mundet të pajtohet kurrë me vendime të njëanshme e të padrejta. Ajo refuzon kategorikisht që ekipi ynë Dinamo të zhvillojë një ndeshje të tretë, duke qenë plotësisht e bindur në drejtësinë e qëndrimit të saj. Kështu shkruhej në njoftimin e kohës nga Federata Shqiptare e Volejbollit.

TRUKU NGA FRIKA E NJË DUELI ME EKIP SOVJETIK

Ndonëse shkak u gjet arbitri Isa Boletini, çështja ishte shumë më e thellë. CEV ishte i sigurt se Dinamo do të fitojë ndaj kampioneve suedeze dhe do të kualifikohet në “Final Four”, ku do të jenë edhe sovjetiket e Uraloçkës, një përballje e pamundur, ndaj të cilave vajzat e Dinamos do të refuzonin të luanin. Për të shmangur këtë përplasje, me një telegram CEV i kërkon FSHV-së përsëritjen e ndeshjes Dinamo-SV Lohof në një vend asnjanës, duke pretenduar se në Tiranë FSHV ka aktivizuar arbitrin e dytë, Isa Boletini, jo të kategorisë ndërkombëtare.

Ndonëse jashtë çdo rregulli, CEV ka lejuar që në Kupën e Kampioneve të luajë Lohof, skuadër e renditur në vendin e dytë në kampionatin gjerman. Një propozim absurd që do të refuzohet publikisht dhe me të drejtë nga federata dhe shteti shqiptar. Nuk ka më asnjë informacion, asnjë reagim nga të dyja palët dhe këtu do të mbyllet përfundimisht kjo padrejtësi. Në turin tjetër do të kalojë Lohof, ndonëse zyrtarisht është eliminuar nga Dinamo.

Kështu, historia do të përsëritet në dëm të klubeve shqiptare, dhe pas Partizani-Stade de Francë (1961), kur francezët nuk erdhën në Tiranë, me pretendimet se ndeshja do të luhej në një terren të hapur, siç ishte parku sportiv “Studenti” dhe propozimit të CEV për ta zhvilluar në Rumani, por që u refuzua nga klubi Partizani, si dhe FSHV. Pas 20 viteve, e njëjta situatë do të përsëritet tashmë me vajzat e Dinamos. Propozimi nuk do të pranohet, ndërsa pati një reagim të fortë nga FSHF, por pa dobi. CEV edhe në këtë rast nuk do të lëkundet, duke vijuar turneun me Lohof, ndonëse të eliminuar dhe pa Dinamon e përjashtuar. Për të regjistruar një tjetër skandal me emrin padrejtësi!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"