Skuadra e Kategorisë së Parë rrezikon rënien nga kategoria, kryebashkiaku zbret në fushë: Koha të flisni me rezultate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2022 | 23:15

Skuadra e Kategorisë së Parë rrezikon rënien nga kategoria, kryebashkiaku zbret në fushë: Koha të flisni me rezultate

Kryebashkiaku zbarkon në fushë. Rreth orës 13:00, në ambientet e stadiumit u shfaq Ilir Xhakolli, i cili mban edhe statusin e presidentit të klubit të futbollit “Pogradeci”. Ka qenë ai vetë që e ka kërkuar këtë takim me stafin dhe lojtarët, për të folur rreth gjendjes së përgjithshme të ekipit.

pOGRADECI

Duke parë që kampionati është në metrat e fundit dhe liqenorët rrezikojnë mbijetesën, numri një i bashkisë dhe i klubit e ka parë të udhës që të mobilizojë grupin. Pasi ka ofruar garanci financiare, qartazi u ka thënë që tashmë është koha për rezultate. “Ne kemi qenë më korrektë se kurrë nga ana financiare dhe materiale, por që edhe ju duhet të na e ktheni besimin në fushën e blertë. Kjo është detyra juaj e vetme. Jepni më shumë nga vetja që skuadra ta kalojë këtë moment, pasi premtimet janë plotësuar dhe besimin tonë e keni pasur gjithmonë”, ka thënë mes të tjerash kryetari i Bashkisë Pogradec.

Fjalën e mori edhe trajneri Ardjan Abazaj, i cili u ka kërkuar lojtarëve që çdo problem ta diskutojnë edhe me administratorin. Tashmë vëmendja duhet të jetë e gjitha në fushë, ndaj çdo gjë tjetër duhet të sheshohet. Kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje, mobilizimi duhet maksimal. “Ju i keni aftësitë si lojtarë, por këto duhet të përkthehen në rezultate dhe lojë të mirë. Unë besoj te aftësitë, pasi cilësinë e keni. Asgjë nuk ju mungon, vetëm duhet t’i nxirrni në pah”, ka thënë tekniku para ekipit. Gazeta i mori një deklaratë edhe administratorit Kopi Gusho, i cili sqaroi qëllimin e këtij takimi:

“Së pari duam të falënderojmë kryetarin e bashkisë për bisedën që zhvilloi me të gjithë skuadrën. Lojtarët premtuan mobilizim dhe vazhdimësi në rezultate, për të kaluar këtë situatë të vështirë ku ndodhemi. Ky takim u zhvillua në ambientet e brendshme të stadiumit dhe për faktin që ekipi ndodhet në një moment kritik. Pogradeci është klubi më korrekt sa u takon pagesave dhe kjo falë edhe kryetarit të bashkisë, ndaj tani ‘topi’ kalon në anën e lojtarëve”.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"