Skandal në peshëngritje/ Asamble fshehurazi, federata përjashton Teutën dhe Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2023 | 18:09

Skandal në peshëngritje/ Asamble fshehurazi, federata përjashton Teutën dhe Kamzën

Në ditën kur në Tiranë mbahej Asambleja e Vjetore e KOKSHit, Federata Shqiptare e Peshëngritjes zhvilloi në Durrës një asamble të jashtëzakonshme. Pa asnjë shkresë zyrtare, siç e kërkon statuti, me klubet që duhet të njoftohen një muaj përpara, si dhe pa vënë në dijeni Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, FSHP-ja ka i “kopsitur” punët me mënyrën e saj.

shtange

Në një asamble “top secret”, ku nuk pati njoftim as për mediat, peshëngritja shqiptare vendosi për përjashtimin e 2 “diversantëve”. Më konkretisht drejtorin e klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, dhe presidentin e Kamzës, Dashamir Çajka. Leka, siç dihet ka qenë një prej lobuesve kryesorë për rikthimin e presidentit Elez Gjoza në krye të federatës, ndërsa së fundmi duket sa palët kanë pasur mosmarrëveshje për Botërorin U-17 që u mbajt në Durrës. Ndërsa Çajka, javën e kaluar ka pasur përplasje të forta me Gjozën. Ai denoncoi disa skandale që kishin lidhje me presidentin Gjoza, ndërsa federata i publikoi presidentit të Kamzës një video të disa muajve më parë, ku shihej Çajka duke sulmuar fizikisht trajnerin Bashkim Nikolla përpara një aktiviteti në Bosnjë-Hercegovinë.

Klubi Shumësportësh Teuta ka reaguar me anë të një videoje në rrjetet sociale: “Skandal! Elez Gjoza bën diktatorin te peshëngritja, nuk lejon në asamble dhe përjashton Kreshnik Lekën, drejtorin e klubit Teuta. Një asamble për të përjashtuar klubin e Teutës dhe Kamzës dhe për më tepër e mbledhur vetëm me një mesazh në ‘Whatsapp’. Ky vendim arbitrar vjen pasi presidenti i klubit të Kamzës, Dashamir Çajka, publikoi një foto skandaloze të presidentet Gjoza, i cili i kishte dërguar një mesazh ish-punonjëses së FSHPsë, se çfarë ngjyre i donte të brendshmet. Elez Gjoza ka shkelur statutin që kur u rigjodh në dhjetor të 2020-ës. Që ne fillim të marrjes së mandatit, shkarkoi dy anëtar me vendim të komitetit drejtues. Kjo është shkelje e statutit të FSHP-së, sepse çdo shkarkim ose emërim duhet të bëhet me votë nga përfaqësues të asamblesë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Teutës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"