Skadojnë kontratat për trajnerin dhe lojtarët, ekipi që shkëlqeu këtë sezon do të ribëhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 20:10

Skadojnë kontratat për trajnerin dhe lojtarët, ekipi që shkëlqeu këtë sezon do të ribëhet

AF Elbasani ka marrë zyrtarisht pushimet. Më mbylljen e këtij sezoni, kanë përfunduar edhe kontratat me lojtarët. Burime të “Panorama Sport” pranë klubit elbasanas pohojnë se sezonin e ardhshëm do të formohet një ekip që të pretendojë elitën, ndaj edhe do të shihen me kujdes lojtarët që do të qëndrojnë, pasi do të ketë afrime të rëndësishme për ta kthyer ekipin konkurrent edhe në të Parën.

Elbasani

Nga ana tjetër, është mbyllur edhe marrëveshja me trajnerin Eriol Merxha, pasi ai ishte një zgjidhje provizore në skuadër në katër javët e fundit, deri kur edhe u arrit ngjitja një kategori më lart. Me pak fjalë, në Elbasan pritet të ketë shumë lëvizje gjatë kësaj periudhe, ku gjëja e parë që do të bëhet do të jetë zgjidhja e timonierit të ri dhe më pas do të nisë zyrtarizimi i lojtarëve që do të qëndrojnë dhe atyre që do të afrohen.

Sa i përket teknikut, është ende herët për të dalë në pista konkrete, ndonëse drejtuesit kanë nisur kontaktet e para për të parë se deri te cili emër mund të shkojnë. Gjasat janë që të jetë një emër i njohur i trajningut shqiptar dhe me eksperiencë, duke qenë se bëhet fjalë për një kategori ku verdheblutë kanë mundësinë për të bërë hapin final drejt ngjitjes në Superiore.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"