“S’jemi të kënaqur me finalen”, Stërmasi analizon garën e Botërorit: Luiza vrapon 9:05, por sezoni mbetet super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2023 | 23:22

“S’jemi të kënaqur me finalen”, Stërmasi analizon garën e Botërorit: Luiza vrapon 9:05, por sezoni mbetet super

Në Kampionatin Botëror të Atletikës që u mbajt në Budapest, Luiza Gega regjistroi një tjetër rezultat të madh, duke u renditur e teta në finale, me një kohë shumë pranë rekordit të saj kombëtar. Edhe pse me një problem fizik, kampionia kuqezi e Europës fiksoi në Hungari kohën më të mirë sezonale.

gega-1

Megjithatë, si vetë atletja, gjithashtu edhe presidenti i FSHA-së, Taulant Stërmasi, duket se nuk kanë dalë shumë të kënaqur nga finalja, kjo jo për rezultatin, pasi ai mbetet “top”, por për shkak se shqetësimi fizik e pengoi Luizën që të jepte më të mirën e saj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Stërmasi e ka komentuar kështu paraqitjen e Gegës në garën e 3000 metrave me pengesa në Botëror:

“Duke qenë se ne kemi pritshmëri të mëdha, unë me Luizën ngelëm të pakënaqur, edhe pse të njëjtën kohë e ka arritur edhe një vit më parë në Botërorin e zhvilluar në Oregon”, shprehet trajneri kryeqytetas, i cili thekson se dëmtimi e penalizoi Gegën:

“Këtë herë kishim disavantazh të madh shqetësimin e këmbës, i cili iu shfaq gjatë garës dhe kjo bëri që Luiza të kishte edhe disa gabime taktike, sepse nuk po arrinte që të kontrollonte strukturën muskulore, kërcimet me pengesë të ujit, apo pengesat, pasi sa herë që zgjaste këmbën ndiente shqetësimin.

Në këto kushte, automatikisht harron detyrat e tjera, pasi instinktivisht trupi mundohet të ruajë atë strukturë muskulore që ka problem sesa teknikën, vrapimin e supet para. Pra, janë disa probleme të vogla, të cilat Luiza i kishte tejkaluar që prej vitit 2018, pasi teknikisht është përmirësuar shumë në pengesa, duke fituar të paktën 2-3 sekonda”, rrëfen presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës.

DETAJE NGA GARA – Më tej trajneri analizon me detaje paraqitjen në finale dhe ndikimin e dëmtimit: “Këmba nisi që t’i bllokohej dhe Luiza nuk pati atë superfinishin, edhe pse bëri finish shumë të mirë duke kaluar 3 kundërshtare gjatë 2 xhirove të fundit. Por siç e thashë, kishim pritshmëri të tjera. Mungesa e lirshmërisë muskulore bën që të zhbalancohet trupi, me peshën që kalon natyrshëm te këmba tjetër dhe nis rrjedhimisht edhe kontraktimi.

Trupi biomekanikisht nuk vrapon drejt dhe kur flasim për limite, apo për të thyer rekorde elite, trupi duhet të jetë në 100% të formës, pa asnjë lloj shqetësimi. Që në nxehje e pashë që kishte probleme, pasi dallohej që po mbështetej më shumë te këmba e djathtë se tek e majta. Sportiste të tjera që kanë pasur të njëjtin shqetësim si Luiza kanë bërë kohën 9:27 vitin e kaluar në Oregon”, thotë trajneri.

PRETENDIMET – Stërmasi deklaron se pretendimet ishin më të larta, pasi në formën e saj optimale Luiza Gega mund të vrapojë deri në 9:05. “Duke qenë se kishte pasiguri prej dëmtimit vrapoi keq në finale, jo për rezultatin, sepse ai ishte normalisht i lartë, por duke marrë në konsideratë pretendimet tona, të cilat ishin për të arritur kohën 9:05 – 9:06, pasi e dimë që Luiza është te ky rezultat. Pra, nëse nuk do të kishte shqetësim, Luiza në formën e saj optimale aktualisht është te rezultati 9:05 apo 9:06”.

NDALESAT E RADHËS – Menjëherë pas Botërorit Gega ka fluturuar për në Zyrih, aty ku më 31 gusht do të garojë në “Diamond League”, ndërsa lidhur me këtë garë Stërmasi shprehet: “Pavarësisht se ka shqetësim në këmbë, Luiza do të shkojë për të provuar veten edhe në ‘Diamond League’ në Zyrih. Sigurisht edhe atje nuk do të jetë në 100%, por për të përmirësuar ato gjëra që mund të bënim më mirë në Botëror, duke qenë se Luiza e kishte mendjen te dëmtimi dhe mund të bënte më mirë në pjesën e teknikës. Në Zyrih objektivi është për të vendosur rekord kombëtar, pra për të përmirësuar kohën e vendosur një vit më parë në Oregon”.

BILANCI SEZONAL – Me sezonin që tashmë po i drejtohet fundit, është koha e bilancit, që sigurisht mbetet tepër pozitive edhe për Stërmasin: “Në varësi të gjendjes në ‘Diamond League’ do të shikojmë më pas për kalendarin e garave në shtator, por ky mund të jetë një sezon i mbyllur me sukses. E teta në botë, e para në Lojërat Olimpike Europiane, duke u konfirmuar si europiania më e shpejtë me rekord në 3 liga duke shënuar kohën më të shpejtë në një kompeticion të tillë.

Tri herë kampione e Ballkanit në 3 gara për dy ditë. Një sezon shumë i mirë. Ka mbi 1200 pikë olimpike, të cilat për atletikën janë një shifër e jashtëzakonshme, pasi është e vetmja në histori që vrapon mbi 1150 pikë. Rezultatet kanë qenë të gjitha ‘top’”, përfundon kreu i FSHA-së.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"