Silvinjo, me dilema në portë dhe mesfushë/ Kristjan Asllani mund të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 21:10

Silvinjo, me dilema në portë dhe mesfushë/ Kristjan Asllani mund të…

Kombëtarja sh qiptare e futbollit vazhdon përgatitjet për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, që luan në javët e ardhshme në kualifikueset e “Euro 2024”. Trajneri Silvinjo po sheh të shtohet pak nga pak grupi i futbollistëve të grumbulluar, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë mbyllur aktivitetet dhe angazhimet që kishin me klubet përkatëse.

Kombetarja

Dje, grupit u janë bashkuar edhe Gjimshiti, Ismajli, Bajrami, Bare dhe Aliji, me këtë të fundit i cili ka zëvendësuar Balliun e dëmtuar. Ata kanë vazhduar punën normalisht sipas programit të Silvinjos, ndërsa pritet që grupi të plotësohet në ditët në vijim. Taulant Seferi, Elseid Hysaj, Jasir Asani dhe Kristjan Asllani janë katër emrat që mungojnë dhe të cilët do t’i bashkohen grupit në ditët në vijim.

Asllani pritet të jetë i fundit që do të bashkohet me skuadrën, pasi do të jetë në finalen e Ligës së Kampioneve në këtë fundjavë me Interin. Dhe në rast suksesi, nuk është çudi që kthimi i tij në Shqipëri të shtyhet ndonjë ditë më shumë.

DILEMAT- Kundër një ekipi si Moldavia, e cila aplikon një skemë mbrojtëse dhe shumicën e kohës rri e tërhequr mbrapa dhe pret, do të duhet një strategji e mirë për të gjetur avantazhin. Por, Silvinjo s’duhet të shqetësohet për këtë pjesë, pasi sulmi kuqezi është në formë, me pothuajse të gjithë futbollistët. Uzuni, Seferi, Cikalleshi, Asani, Muçi apo Sadiku kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me golin.

Teksa hedhim një vështrim te mbrojtja, edhe pse mungesa e Kumbullës është e rëndësishme, rikthimi i Gjimshtiti dhe Ismajlit dhe me shumë mundësi kalimi i Hysajt në të djathtë, japin një garanci në prapavijë. Por, ajo që mbetet problem është porta, kur dy prej portierëve kryesore kanë pasur probleme në këtë sezon dhe nuk janë aktivizuar pothuajse fare. Sa i përket mesfushës, dilemat po ashtu qëndrojnë, pasi nga një numër i lartë alternativash, Silvinjo duhet të zgjedhë vetëm tre.

KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"