“Shpërdorojmë raste flagrante dhe kjo do të na kushtojë një ditë”, Magani: Më kënaq loja e Besës, por jo…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2022 | 11:53

“Shpërdorojmë raste flagrante dhe kjo do të na kushtojë një ditë”, Magani: Më kënaq loja e Besës, por jo…

Gugash Magani “qan” renditjen. Trajneri vlerëson lojën e zhvilluar nga të tijtë deri më tani, por ka rezerva për pikët e lëna rrugës dhe sidomos ato në shtëpi. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri evidenton çfarë nuk shkon te Besa e tij:

MAGANI

“E kam thënë që në korrik, ekipi ka lojtarë të rinj që kanë dëshirë e ego. Por kjo nuk mjafton për të pasur sukses.

Jam i kënaqur nga dëshira, lufta, gjendja fizike e futbollistëve, por përvoja dhe pragmatizmi kanë munguar.

Kemi lënë shumë pikë në shtëpinë tonë dhe ajo që nuk më kënaq është fakti se pavarësisht lojës së mirë, rasteve flagrante, ato që mbeten janë pikët”.

GABIMET

Peqinasi i stolit verdhezi ndalet me konkretisht te “sëmundja” që skuadra ka në vijën e parë.

“Nëse shihni takimet me Tomorin, Korabin, Luzin apo qoftë edhe fitoren e fundit me Lushnjën, do të konstatoni me lehtësi dominimin tonë total në lojë, me raste të pafalshme.

Ndërsa në 3 takimet e fundit kemi pasur jo pak, por plot 5 mungesa.

Thënë ndryshe, 40% të formacionit. Fituam në Cërrik dhe me Lushnjën me këto mungesa, ndaj bëra dallimin mes lojës dhe rezultateve teknike”, tha 57-vjeçari.

TRANSFERTA

Verdhezinjtë këtë fundjavë do të spostohen në veri, konkretisht drejt Pukës. Trajneri nuk harron t’i japë Tërbunit merita për ecurinë që kanë pasur deri më tani, por në krahun tjetër deklaron se objektivi mbetet fitorja.

“Të shtunën na pret një kundërshtar që ka bërë mjaft mirë, veçmas në shtëpinë e tij. Tërbunin e njohim dhe kemi vlerësim maksimal për të.

Këtë pragndeshje jemi disi më të plotë, pasi na kthehen 2 futbollistë nga dëmtimi. Për vetë objektivat që kemi kudo ku luajmë, hyjmë në fushë për fitore.

Këtë objektiv kemi edhe ndaj Tërbunit përtej vështirësive të ndeshjes.

Fundjava e parë me Luzin është dëshmia më e qartë se tashmë në Kategorinë e Parë nuk ka kundërshtar, që mund të thuash me siguri se përballë tij do të fitojmë.

Fola për synimet tona në këtë përballje, të tjerat le t’ia lëmë fushës”, mbylli deklaratën e tij trajneri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"