Shkëmbi e ka mendjen te Vllaznia, Çyrbja shënon me U21

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 15:16


Shkëmbi e ka mendjen te Vllaznia, Çyrbja shënon me U21

Teuta vijon me intensitet përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, fillimisht ndaj Luzit në transfertë për Kupën e Shqipërisë më 26 shtator dhe më pas kundër Vllaznisë në Durrës për javën e gjashtë të kampionatit më 30 shtator.

shkembi

Nisja e dobët e këtij sezoni natyrisht që ka shqetësuar jo pak drejtuesit. Trajneri Bledi Shkëmbi po përpiqet të fusë idetë e tij për lojtarët dhe ndryshimet që mund të sjellin fitoren e parë pas gjashtë javësh. Grupi i lojtarëve është duke marrë ngarkesat e duhura në të gjitha drejtimet dhe gradualisht situata po përmirësohet sa i përket lojtarëve që kanë pasur probleme fizike. Në çdo ditë vihet re një avancim në planin stërvitor, që nuk është më i njëjtë si më parë.

Një vëmendje të madhe po merr ana taktike. Shkëmbi ka kërkuar saktësi në veprime, ndërsa në seancën e djeshme është parë shpesh të ndërhyjë kur ka parë paqartësi, vetëm e vetëm që grupi të arrijë pritshmëritë. Gjatë së mërkurës Shkëmbi e ndau ekipin në dy grupe, duke punuar me repartet e ndara. Gjithashtu, trajneri ka zhvilluar edhe një minindeshje kontrolli për rreth 20 minuta, për të vlerësuar edhe situata të ndryshme taktike. Këto ditë i shërbejnë Shkëmbit për të njohur sa më shumë skuadrën, që ndryshe nga ndeshjet e kampionati, në kupë ndaj Luzit, do të testojë edhe disa emra të rinj.

Nisur nga kundërshtari dhe fakti se Luzi nuk e ka objektiv Kupën e Shqipërisë, ka shumë mundësi që të hënën trajneri Shkëmbi të hedhë në fushë një skuadër komplet të ndryshuar në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Tiranës. Lajm i mirë është rikthimi i qendërmbrojtësit Harrallamb Qaqi me grupin. Shkëmbi shpreson që të ketë sa më shpejt të gatshëm edhe mbrojtësin tjetër, Jazxhi, që ka disa javë larg fushave.

NDESHJA – Dje luajti edhe Teuta U-21, e drejtuar nga Gentian Begeja, teksa fitoi me shifrat 3-1 kundër Tiranës. Golat për durrsakët u realizuan nga Bebeziqi në minutën e parë, Zaimaj në të 18-ën dhe Çyrbja në të 42-ën. Disa prej lojtarëve që nuk kanë marrë shumë minuta me ekipin e parë, u aktivizuan me U-21, siç ishte edhe rasti i sulmuesit të krahut, Çyrbja, që u bë protagonist me golin e shënuar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL