Shënoi në derbin ndaj Partizanit, heroi Deliu: Uroj që goli të vlejë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 22:14

Shënoi në derbin ndaj Partizanit, heroi Deliu: Uroj që goli të vlejë titullin

Ardit Deliu mund të ketë shënuar ndoshta golin e titullit në derbin me Partizanin. Gjuajtja e tij nga distanca i dha barazimin Tiranës në një moment shumë deciziv të derbit.

Deliu

Në fund të takimit për mediat, Ardit Deliu rrëfeu emocionet e golit dhe sfidës me të kuqtë.

Ardit ndoshta keni shënuar golin që në fund të kampionatit mund të vlejë titullin kampion?

Shpresoj që të jetë kështu. Do të ishte gjëja më e bukur. Është goli im i parë në këtë kampionat do të ishte perfekte. E kam pritur shumë gjatë këtë gol, por kur vjen në derbi ia vlejti pritja. Të shënosh gol në derbi me stadiumin plot është emocion i veçantë.

Cili ishte çelësi i suksesit në këtë sfidë me Partizanin?

Ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, sepse mund të vendosej edhe titulli. Kemi arritur ta përfundonim me sukses këtë sfidë. E fituam falë trajnerit. Qëllimi i Tiranës në këtë sfidë ishte që të mos humbiste.

Barazuat dhe jeni të parët shumë pranë titullit?

Faleminderit për urimin. Ka qenë një ndeshje e vështirë dhe mungesat na e vështirësuan akoma më shumë. Jemi mbështetur te njëri-tjetri për të bërë mirë. Kjo është forca jonë, grupi.

Kur shënuat golin e menduat gjuajtjen apo goditja ishte diçka instiktive?

Të them të vërtetën, kur erdhi topi pashë që kundërshtarin e kisha shumë larg. Mendova sa të marr topin të godas portën.

Kujt ia dedikoni këtë gol kaq të rëndë?

Familjes sime që ishin të pranishëm në stadium dhe të dashurës. Shpresoj që të bëj edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme, pasi nuk ka mbaruar asgjë. Janë edhe tri ndeshje të vështira. Golat më kanë munguar dhe nëse nuk shënon në kampionatin shqiptar nuk shitesh dot apo nuk shkon në një skuadër më të mirë jashtë vendit.

Keni pasur detyrë për të markuar Rrapajn?

Trajneri na tha direktivat të ishim 1 kundër 1 dhe arrita ta bëj me sukses punën time. Me daljen e Rrapajt u lehtësua puna ime dhe kisha më shumë hapësirë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"